Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 10

Dërgimi i të shtatëdhjetedyve, Vaj për qytetet e papenduara, etj.

42 vargje

Dërgimi i të shtatëdhjetedyve

1Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë.

2U thoshte: »Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta.

3Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish!

4Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandale e mos përshëndetni udhës askënd!

5Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’

6Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju.

7Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër!

8Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara.

9Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu:

11‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’

12Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.«

Vaj për qytetet e papenduara

13»Vaj për ty, o Korazin, vaj për ty, o Betsaidë! Sepse të kishin ndodhur në Tir e në Sidon mrekullitë që ndodhën në ju, kaherë, të veshur në grathore e të mbuluar me hi do të kishin bërë pendesë!

14Prandaj, Tiri e Sidoni Ditën e Gjyqit do ta kenë më lehtë se ju!

15E ti, o Kafarnaum, a thua ndoshta ‘do të lartësohesh deri në qiell? do të plandosesh deri në fund të ferrit!’

16Kush dëgjon ju, dëgjon mua. Kush përbuz ju, përbuz mua. Kush përbuz mua, përbuz Atë që më ka dërguar.«

Kthimi i të shtatëdhjetë e dyve

17Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: »Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!«

18Jezusi u tha: »Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit!

19Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq.

20Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!«

Gëzimi i Jezusit

21Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare: »Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve! Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu!

22Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.«

23Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht: »Lum sytë që shohin çka po shihni ju!

24Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.«

Samaritani i mirë

25Kur qe, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti: »Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?«

26»Çka shkruan në Ligj? - i përgjigji Jezusi - Si lexon atje?«

27Dijetari i përgjigji: »‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’«

28Jezusi i tha: »Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!«

29Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: »Kush është i afërmi im?«

30Jezusi vazhdoi e tha: »Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë.

31Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën.

32Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën.

33Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbë për të,

34iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të.

35Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?«

37Ai i përgjigji: »Ai që pati mëshirë për të!« »Hajt - i tha Jezusi - e bëj edhe ti kështu!«

Jezusi në vizitë te Marta e Maria

38Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emër Martë, e priti në shtëpi.

39Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij.

40Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: »Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!«

41»Martë, Martë - i përgjigji Zotëria - ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra,

42e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.«