Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 12

Qortimi kundër hipokrizisë, Kë të droni?, etj.

59 vargje

Qortimi kundër hipokrizisë

1Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit - mijëra e mijëra - aq sa shkelnin njëri-tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet: »Ruajuni prej tharmit të farisenjve d.m.th. hipokrizisë!

2S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh.

3Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.«

Kë të droni?

4»Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër!

5Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: droni nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kinia frikën!

6Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji.

7Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të njehura! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!«

Dëshmimi i Krishtit para njerëzve

8»Unë po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tiji para engjëjve të Hyjit.

9E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t’i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.

10Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t’iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje.

11Mandej, kur t’ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni [se] si do të mbroheni e çka do të thoni:

12sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.«

Shëmbëlltyra e pasanikut të pamend

13Atëherë dikush prej turmës i tha: »Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.«

14»Or mik, - i përgjigji Jezusi - kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?«

15Atëherë u tha: »Viniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.«

16Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: »Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh.

17Ai mendonte në vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’

18Dhe tha: ‘Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia.

19Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’

20Porse Hyji i tha: ‘I marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë?’

21Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.«

Kujdesi dhe shqetësimi

22Pastaj u tha nxënësve: »Prandaj po ju them: Mos u shqetësoni për jetën tuaj: çka do të hani, as për trupin tuaj: me çka do ta veshni,

23sepse jeta është më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku.

24Vëreni korbat! As nuk mbjellin as nuk korrin, nuk kanë as qilar as grunar e Hyji i ushqen. Sa më të vlefshëm jeni ju se shpendët!

25E cili prej jush, sado që të kujdeset me shqetësim, mund ta zgjasë shtatin e vet edhe për një kut?

26Pra, nëse nuk mundeni as më të voglën gjë, përse atëherë shqetësoheni për të tjerat?

27Vëreni si rriten lilat! As nuk tjerrin as nuk bëjnë vekë. E unë po ju them: as Salomoni në tërë madhërinë e vet, nuk ishte i veshur si një ndër ta.

28Nëse, pra, Hyji e vesh në këtë mënyrë barin që sot është e nesër qitet në furrë, sa më shumë do të bëjë për ju, o fepakë?

29Prandaj mos kërkoni çka do të hani e do të pini - mos u shqetësoni!

30Të gjitha këto i kërkojnë paganët e kësaj bote; ndërsa për ju e di mirë Ati juaj se keni nevojë për to.

31Por, kërkoni Mbretërinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë.

32Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë!

33Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren.

34Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.«

Shërbëtori i kujdesshëm

35»Jini gati - të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura -

36porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vij e të trokëllitë.

37Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë.

38Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe, po i gjeti kështu, lum ata!

39E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia.

40Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.«

41Atëherë Pjetri tha: »Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?«

42Zotëria i përgjigji: »Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit?

43I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu.

44Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.

45Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet,

46zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.

47Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna.

48Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.«

Jezusi shkak përçarjeje

49»Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë!

50E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

51A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen!

52Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:

53baba do të zihet me djalë, e djali me babën, nëna me të bijën, e bija me t’ëmën, vjehrra me të renë e reja me të vjehrrën.«

Shenjat e kohës

54Mandej iu drejtua turmës: »Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh.

55Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë.

56Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?«

Ndrequ me paditësin tënd

57»Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë?

58Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në godi me të - që të mos qesë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg.

59Unë po të them se s’do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të sprasmin qindar.«