Të gjithë kapitujt

1 i Kronikave · Kapitulli 17

Profecia e Natanit, Urata e Davidit

27 vargje

Profecia e Natanit

1Kur Davidi u vendos të banojë në pallatin e vet, i tha profetit Natan: »Ja, unë po banoj në shtëpi prej cedri, ndërsa Arka e Besëlidhjes së Zotit nën lëkura.«

2Atëherë Natani i tha: »Bëj gjithçka të dëshiron zemra, sepse Hyji është me ty.«

3Porse shi atë natë i qe drejtuar Natanit kjo fjalë e Hyjit:

4»Shko e thuaj Davidit, shërbëtorit tim: Kështu thotë Zoti: Ti s’ke për të ma ndërtuar Shtëpi që të banoj në të.

5Kurrë nuk kam banuar në Shtëpi qysh prej kohës kur e nxora Izraelin deri në ditën e sotme, por jam endur prej tendës në tendë e prej tëbanishtës në tëbanishtë.

6Ngado që kam udhëtuar në mbarë Izraelin, a i jam ankuar ndonjërit prej gjyqtarëve të Izraelit, të cilëve u kisha urdhëruar ta udhëheqin popullin tim, a mos u kam thënë: Pse nuk ma ndërtuat një shtëpi cedri?

7Andaj kështu m’i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i gjithësisë: Unë të kam marrë nga kullosat kur po e mballosje grigjën që të jesh prijës i popullit tim Izraelit

8dhe qesh me ty gjithku shkove. Unë i vrava të gjithë armiqtë e tu ndër sytë e tu, e rrita emrin tënd si emrin e njërit ndër të mëdhenjtë e tokës.

9Unë ia caktova popullit tim Izraelit vendin e banimit dhe e ngulita që të banojë në të dhe më nuk do të shpërngulet dhe bijtë e mëkatit më s’do të vazhdojnë t’i dëmtojnë si më parë,

10në kohën kur popullit tim Izraelit i dhashë gjyqtarë dhe i mposhta të gjithë armiqtë e tu. Prandaj po të lajmëroj se Zoti do ta ndërtojë ty shtëpinë.

11Kur ti t’i kesh mbushur ditët e tua për të shkuar tek etërit e tu, unë do ta ngris pasardhësin tënd pas teje e ky do të jetë prej bijve të tu, dhe mbretërinë e tij do ta bëj të qëndrueshme.

12Ky do të ma ndërtojë mua Shtëpinë e unë do ta bëj fronin e tij të qëndrueshëm për amshim.

13Unë do të jem për të babë e ai do të jetë për mua bir. Atij s’do t’ia heq përkrahjen time, siç ia hoqa atij që qe para teje.

14Atë do ta mbaj vazhdimisht në shtëpinë time dhe për amshim në mbretërinë time; froni i tij do të jetë i paluhatshëm për jetë të jetës.«

15Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe mbarë këtë zbulesë.

Urata e Davidit

16Atëherë Davidi shkoi, u ul në praninë e Zotit dhe tha: »Po kush jam unë, o Zot Hyj, e ç’vlerë ka shtëpia ime, që më prure deri këtu?

17Madje edhe kaq u duk pak syve të tu, o Hyj, por t’i po i shtrin premtimet e tua edhe mbi familjen e shërbëtorit tënd edhe në një të ardhme të largët. Ti po më shikon mua si një varg njerëzish të lartësuar, o Zot Hyj!

18E çfarë mund të shtojë më tepër Davidi, kur ti kaq fort e lartësove shërbëtorin tënd? Ti e njeh mirë atë.

19O Zot, për dashuri ndaj shërbëtorit tënd dhe sipas dëshirës së zemrës sate e ke kryer këtë vepër të madhërishme për t’i zbuluar gjithë këto vepra të mëdha!

20O Zot, nuk ka një tjetër të ngjajshëm me ty dhe një zot tjetër përveç Teje, nuk kanë dëgjuar veshët tanë.

21A ka ndokund mbi tokë, një popull tjetër si populli yt Izraeli, tek i cili të ketë shkuar Hyji për ta shpaguar e bërë popull të vetin, për ta bërë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm duke i dëbuar kombet para popullit tënd që e çlirove prej Egjiptit?

22Kështu e bëre popullin tënd Izraelin popull të vetin për amshim dhe ti, o Zot, u bëre Hyji i tij.

23Tani, o Zot, le të të shkojë në vend zotimi që e dhe lidhur me shërbëtorin tënd dhe lidhur me familjen e tij për amshim: bëj ashtu siç the!

24Le të jetë i palëkundshëm për madhërinë e Emrit tënd në jetë të jetës e të thuhet: ‘Zoti i gjithësisë, Hyji i Izraelit, është Hyj mbi Izraelin e shtëpia e shërbëtorit tënd Davidit le të jetë e qëndrueshme para Teje,’

25sepse Ti, o Hyji im, i premtove shërbëtorit tënd se do t’ia ndërtosh atij shtëpinë. Këndej edhe shërbëtori yt gjeti forcë të lutet para teje.

26Tani, pra, Ti o Zot, ti je Hyj, dhe ti ia dhe shërbëtorit tënd këtë premtim të mrekullueshëm

27dhe fillove ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd që të jetë përgjithmonë para teje: sepse, në qoftë se ti, o Zot, do ta bekosh, do të jetë e bekuar për jetë të jetës.«