Tradhtimi dhe kapja e Jezusit
1Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij.
2Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet.
3Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behi atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë.
4Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha: »Kë kërkoni?«
5»Jezu Nazarenin!« - i përgjigjën ata. »Unë jam.« - u tha Jezusi. Me ta ishte Juda që po e tradhtonte.
6Kur, pra, Jezusi u tha: »Unë jam!«, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe.
7Atëherë i pyeti përsëri: »Kë kërkoni?« »Jezusin Nazarenas!« - i përgjigjën ata.
8Jezusi u tha: »Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lini këta të shkojnë!«
9Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pat thënë: »Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.«
10Atëherë Simon - Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk.
11Atëherë Jezusi i tha Pjetrit: »Shtjere shpatën në mill! A mos ta pi gotën që ma dha Ati?«
Jezusi para kryepriftit
12Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
13E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti.
14Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë: »Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!«
Pjetri i bie mohit Jezusit
15Simon-Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit,
16kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me dertaren dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda.
17Ndërkaq shërbëtorja dertare i tha Pjetrit: »A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?« »Nuk jam!« - i përgjigji ky.
18Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej.
Kryeprifti e merr në pyetje Jezusin
19Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënës të tij dhe për mësim të tij.
20Jezusi i përgjigji: »Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas.
21Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’kam thënë.«
22Mbas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha: »A kështu i përgjigj kryepriftit?«
23»Nëse fola keq - i tha Jezusi - ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?«
24Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa.
Pjetri i bie prapë mohit Jezusit
25Simon-Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa: »A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?« Ai e mohoi dhe tha: »Nuk jam.«
26Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, i kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: »Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?«
27Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.
Jezusi para Pilatit
28Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve.
29Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti: »Ç’padi keni kundër këtij njeriu?«
30»Po të mos ishte ky keqbërës - i përgjigjën ata - nuk do ta kishim sjellë para teje!«
31Pilati u përgjigji: »Merrnie ju e gjykonie sipas Ligjit tuaj!« [Atëherë] Judenjtë përgjigjën: »Ne s’kemi leje të vrasim askënd!«
32Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’vdekje do të vdiste.
33Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti: »A je ti mbreti i judenjve?«
34Jezusi i përgjigji: »A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?«
35Pilati përgjigji: »Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?«
36Jezusi përgjigji: »Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.«
37»Pra, ti qenke Mbret?«- i tha atëherë Pilati. »Mirë thua! - i përgjigji Jezusi - Unë jam mbret! E unë leva dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.«
38»Po çka është e vërteta?« - i tha Pilati.
Jezusin e dënojnë për vdekje
Si foli kështu, doli prapë para judenjve dhe u deklaroi:
»Unë nuk gjej në të kurrfarë faji!
39Tashti, ndër ju është doke t’ju liroj dikënd për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?«
40Por ata bërtitën prapë: »Jo këtë, por Barabën!« E Baraba ishte cub.