Të gjithë kapitujt

Gjoni · Kapitulli 19

Jezusin e kryqëzojnë, Vdekja e Jezusit, etj.

42 vargje

1Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahet me frushkuj.

2Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye dhe ia veshën një mantel të kuq.

3Iu afronin dhe i thoshin: »Të falemi, mbreti i judenjve!« Dhe i binin flakaresha.

4Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha: »Qe, po jua qes përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.«

5Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha: »Qe, Njeriu!«

6Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën: »Kryqëzoje, kryqëzoje!« »Merrnie ju e kryqëzonie - u tha Pilati - se unë nuk gjej në të farë faji.«

7Judenjtë i përgjigjën: »Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit se e bëri veten Bir të Hyjit.«

8Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër

9dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit: »Prej kah je?« Jezusi nuk i dha përgjigje.

10Atëherë Pilati i tha: »Mua nuk më përgjigj? A nuk e di se kam pushtet të liroj e kam pushtet të kryqëzoj?«

11»Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua - i përgjigji Jezusi - po të mos të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi ty ka mëkat më të madh.«

12Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshojë, porse judenjtë bërtitnin: »Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.«

13Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e qiti Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vend që quhet »Kalldrëm« e hebraisht »Gabatha«.

14Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë. Pilati u thotë judenjve: »Qe mbreti juaj!«

15Ata atëherë bërtitën: »Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!« »Ta kryqëzoj mbretin tuaj?« - u tha Pilati. Krerët e priftërinjve përgjigjën: »Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!«

16Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohet.

Jezusin e kryqëzojnë

E morën, pra, Jezusin.

17Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vend që quhet »Kafka« hebraisht »Golgota«.

18Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anë tjetër, kurse Jezusin në midis.

19Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: »Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.«

20Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht.

21Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: »Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.«

22Pilati u përgjigji: »Çka shkrova, shkrova!«

23Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë - secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund.

24Prandaj i thanë njëri-tjetrit: »Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.« Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit shenjt: ‘I ndanë ndër vete petkat e mia e mbi petkun tim qitën short.’ Ushtarët bënë shi ashtu.

25Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë.

26Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës: »Grua, qe, yt bir!«

27Mandej i tha nxënësit: »Qe, nëna jote!« Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

Vdekja e Jezusit

28Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit shenjt, tha: »Kam etje!«

29Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një shpuzë plot me uthull e ia afruan te goja.

30Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha: »Gjithçka u krye!« Uli kryet e dha shpirt.

Jezusit i shporojnë kraharorin

31Atëherë judenjtë, mbasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën - e ajo e shtunë ishte ditë e madhe - i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit.

32Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë.

33Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

34por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.

35Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni.

36Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit shenjt: »Asnjë asht nuk do t’i thyhet.«

37E në një vend tjetër Shkrimi shenjt thotë: »Do ta shohim Atë që shporuan.«

Varrimi i Jezusit

38Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit - për shkak të drojës së judenjve - iu lut Pilatit ta lejojë të zbresë prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

39Erdhi edhe Nikodemi - ai që pat ardhur te Jezusi dikur më parë natën - dhe solli kund njëqind libra mirrë e aloe të përzier.

40E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, sikurse është doke të bëhet ndër judenj kur varroset kush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira.

41Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush.

42Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.