Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 10

Kthimi i Saulit, Sauli zgjidhet me short për mbret

27 vargje

1Samueli mori enën me vaj, e zbrazi mbi kokë të tij dhe e puthi. I tha: “Ja, Zoti të shuguroi për prijës mbi popullin e vet, mbi Izrael. Ti do ta sundosh popullin e Zotit dhe do ta çlirosh prej dorës së armiqve të tij që janë përreth. Dhe, ja, shenja se Hyji të ka shuguruar për prijës mbi trashëgimin e vet:

2pasi të largohesh sot prej meje, do ti takosh dy njerëz te varri i Rakelës në kufirin e tokës së Beniaminit. Ata do të thonë: “Gomaricat që kishe dalë ti kërkoje, u gjetën; yt atë i ka harruar gomaricat e është bërë shumë marak për ju e thotë: Çka të bëj tani për djalë?

3E kur të shkosh prej andej përtej e të mbërrish te Qarri i Taborrit, aty do të të takojnë tre burra që janë nisur të shkojnë tek Hyji në Betel: njëri do të mbartë tre edha, tjetri tri bukë të rrumbullakëta e i treti një rrëshiq me verë.

4Pasi të të kenë përshëndetur, ata do të ti japin dy bukë dhe ti merri prej dorës së tyre.

5Pastaj do të arrish te Gabaa e Hyjit, ku është roja filistine. Kur të kesh hyrë në qytet, aty do të takosh një turmë profetësh që zbresin prej lartësisë e para tyre harpa, daulle, fyej e cetra e ata duke profetizuar.

6Edhe ty do të të sulmojë shpirti i Zotit e edhe ti do të kalosh në kllapi profetike dhe do të shndërrohesh në një njeri tjetër.

7Kur të shohësh se u përmbushën këto shenja, bëj si të duash, sepse Zoti është me ty.

8Atëherë zbrit para meje në Galgalë. Sepse edhe vetë do të zbres tek ti për të paraqitur kushtin dhe për të flijuar flitë e pajtimit. Prit shtatë ditë derisa të vij tek ti e të të kallëzoj se çfarë duhet të bësh”.

Kthimi i Saulit

9Kështu, pra, sa i ktheu shpinën Sauli Samuelit për tu larguar, Hyji ia shndërroi zemrën e të gjitha shenjat iu vërtetuan po atë ditë.

10Prej andej arritën në Gabaa, kur ja, turma e profetëve i doli përpara. Shpirti i Hyjit e pushtoi atë, dhe edhe ai nisi të profetizonte mes tyre.

11Kur panë ata që e kishin njohur më parë, se si edhe ai papritmas u përzie me profetë e po profetizonte, e pyesnin njëri-tjetrin: “Ç’i ndodhi djalit të Cisit? Po a mos është edhe Sauli profet”?

12Një njeri vendës pyeti: “Kush është babai i tyre”? Këndej edhe u bë thënia e popullit: “Pse, edhe Sauli është një ndër profetët”?

13Por Sauli pushoi së profetizuari e erdhi në Gabaa.

14Ungji i Saulit i pyeti atë dhe shërbëtorin e tij: “Ku keni qenë”? Ai iu përgjigj: “Për të kërkuar gomaricat e, pasi nuk i gjetëm, shkuam te Samueli”.

15Atëherë i tha ungji i tij: “Më trego ç’të ka thënë Samueli”?

16Sauli i tha të ungjit: “Na tregoi se ishin gjetur gomaricat”. Por nuk i tregoi asnjë fjalë lidhur me ç’i tha Samueli për mbretëri.

Sauli zgjidhet me short për mbret

17Samueli e thirri popullin te Zoti në Masfë

18dhe u tha bijve të Izraelit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë i nxora bijtë e Izraelit prej Egjiptit dhe ju shpëtova prej dorës së egjiptianëve e prej dorës së të gjitha mbretërive që ju mundonin.

19E ju sot e përbuzët Hyjin tuaj që i vetmi ju shpëtoi prej të gjitha të këqijave dhe vështirësive tuaja e thatë: Assesi, por na cakto një mbret! Tani, vëruni në rresht sipas fiseve e sipas barqeve tuaja”!

20Samueli i bëri të afroheshin të gjitha fiset e Izraelit. Shorti ra mbi fisin e Beniaminit.

21Bëri të afrohej fisi i Beniaminit e vëllazëritë e tija. Shorti ra në vëllazërinë e Metriut. Shorti i ra Saulit, birit të Cisit. E kërkuan Saulin, por nuk e gjetën.

22Atëherë u këshilluan me Zotin nëse a do të ketë ardhur ai njeri aty ndopak. Zoti u përgjigj: “Ja, është fshehur ndër rrobat”!

23U lëshuan vrap dhe e morën prej andej. Qëndroi në mes të popullit dhe ngalliste përmbi mbarë popullin që prej krahëve e lart.

24Atëherë Samueli i tha mbarë popullit: “A po shihni kë ka zgjedhur Zoti? S’ka shoq në mbarë popullin”! Mbarë populli brohoriti: “Rroftë mbreti”!

25Atëherë Samueli i kumtoi popullit të drejtat e mbretit, i shkroi në libër dhe e vendosi para Zotit. Pastaj Samueli nisi popullin, secilin në shtëpinë e vetë.

26Po ashtu edhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij në Gaba. Me të shkuan edhe trimat e fortë, të cilëve Zoti ua preku zemrën.

27Por disa njerëz të pavlerë, thanë: “A thua ky do të mund të na shpëtojë”? E përbuzën dhe nuk i çuan dhurata. Ai bëri sikur sdëgjoi.