Të gjithë kapitujt

2 i Mbretërve · Kapitulli 19

Kërkohet këshillë nga Isaia, Nisja e kryekomandantit, etj.

37 vargje

Kërkohet këshillë nga Isaia

1Kur i dëgjoi këto fjalë Ezekia, i shqeu petkat e veta, ngjeshi grathoren dhe hyri në Shtëpinë e Zotit.

2Atëherë i dërgoi tek Isaia profet, biri i Amosit, Eliacimin, kryekuj- destarin e pallatit, sekretarin Sobnë dhe krerët e priftërinjve të veshur me grathore.

3Ata i thanë: “Kështu thotë Ezekia: Ditë ngushtimi, ditë ndëshkimi e ditë turpi është kjo ditë: foshnjat janë rritur për të dalë në dritë, porse lindëses i mungojnë fuqitë për ti qitur në dritë!

4Ndoshta Zoti, Hyji yt, do ti dëgjojë të gjitha fjalët e Rabsacesit, që zotëria i tij, mbreti i Asirisë, e dërgoi për ta poshtëruar Hyjin e gjallë, e do ta ndëshkojë për fjalët që i dëgjoi Zoti, Hyji yt. Thuaji një uratë për tëpricën që ende ka mbetur”.

5Shkuan, pra, shërbëtorët e mbretit Ezeki tek Isaia.

6Isaia u tha: “Kështu thuajini zotërisë tuaj. Kështu thotë Zoti: Mos i druaj fjalët që i dëgjove ti, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë sharë mua.

7Ja, unë po çoj në të një shpirt dhe, posa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e vet . Do të bëj që në vendin e tij të vritet prej shpatës”.

Nisja e kryekomandantit

8Rabsaci u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë duke sulmuar Lobnën; i kishte shkuar lajmi se mbreti e kishte lëshuar Lakisin.

9Sepse kishte dëgjuar lajmin lidhur me Tarakën, mbretin e Etiopisë, që thuhej: “Ja, erdhi për të luftuar kundër teje”!

Letra e Senakeribit

Atëherë Senakeribi i dërgoi përsëri kasnecët e vet tek Ezekia për ti thënë:

10“Kështu thuajini Ezekisë, mbretit të Judës: Të mos gënjejë Hyji yt, në të cilin ke vënë shpresën dhe mos thuaj: Jerusalemi nuk do të bjerë në dorë të mbretit të Asirisë.

11Ti vetë ke dëgjuar mirë fort se ç’u kanë bërë të gjitha vendeve mbretërit e Asirisë: se si i kanë shkretëruar! A thua vetëm ti do të shpëtosh?

12A thua secili nga zotat e popujve i shpëtoi popujt e vet që i shkretëruan etërit e mi, domethënë Gozanin, Harranin, Resefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Thelasar?

13Ku është mbreti Emat, mbreti Arfad e mbreti i qytetit Sefarvaim, Ana e Ava”?

14Kur Ezekia mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe pasi e lexoi, shkoi në Shtëpinë e Zotit dhe e shtriu përpara Zotit.

15Kështu u lut në praninë e Zotit: “O Zot, Hyji i Izraelit, që rri mbi kerubinë! Ti i vetmi je Hyji i të gjitha mbretërive të tokës! Ti e krijove qiellin e tokën!

16Prire veshin tënd e dëgjo! Hapi, o Zot, sytë e tu e shiko! Dëgjo të gjitha fjalët e Senakeribit, që i dërgoi për të poshtëruar Hyjin e gjallë!

17Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë shkretëruan popuj dhe vendet e tyre!

18Edhe zotat e tyre i dogjën në zjarr. Veçse ata nuk ishin Zot, por vepër e duarve të njerëzve prej drurit e gurit, dhe mbretërit e Asirisë i rrënuan.

19Por ti, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij, që ta marrin vesh të gjitha mbretëritë e tokës, se ti, o Zot, je i vetmi Hyj”.

Ndërmjetësimi i Isaisë

20Atëherë Isaia, biri i Amosit, dërgoi për ti thënë Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: E kam dëgjuar lutjen që ma ke drejtuar ti lidhur me Senakeribin, mbretin e Asirisë.

21Ja fjalët që Zoti i tha kundër tij: Të përbuz, të përqesh virgjëra, bija e Sionit! Prapa teje e tund kokën bija e Jerusalemit!

22Kë poshtërove, kë shave? Kundër kujt e ngrite zërin dhe me krenari i lartësove sytë? Kundër Shenjtit të Izraelit!

23Me gojën e shërbëtorëve të tu e feve Zotin. Ti the: ‘Me karrocat e mia të shumta në majë u dola maleve; në më të lartat maja të Libanit dhe ia preva më të lartët cedra, më të bukurit bredha! I dola në më të lartat maja, në më të dendurin pyll!

24Hapa e piva ujët e huaj; me shputat e këmbëve të mia i shtera ujërat e Egjiptit!’

25Pse a nuk e di se që kaherë e kam bërë këtë synim, se prej kohësh të lashta ta kam përftuar? Tani do ta sendërtoj: të është dhënë t’i shndërrosh qytetet e forta në rrënoja.

26Banorët e tyre të pafuqishëm u tmerruan dhe u mposhtën, u bënë porsi bari i fushës, porsi bari në lëndinë, bar pullazesh, që thahet pa mbërritur pjekurinë!

27E di kur rri, kur del e kur kthehesh. Edhe tërbimin tënd kundër meje:

28u shkumite kundër meje, krenaria jote arriti në veshët e mi! Hundës sate mëhundëzën do t’ia vë, në gojën tënde fre të hekurt e do të të kthej udhës nga ke ardhur!

29Ty Ezeki, kjo le të jetë shenja: ha sivjet ç’të gjesh, kurse sot një vit ç’të mbijë vetiu. Në vitin e tretë mbillni e korrni, mbillni vreshta dhe hani frutat e tyre.

30Ata që të shpëtojnë prej shtëpisë së Judës, thellë rrënjët do t’i lëshojnë, e lart fruta do të prodhojnë;

31sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica, të Shpëtuarit prej malit Sion! Dashuria përvëluese e Zotit do ta bëjë këtë!

32Prandaj Zoti kështu thotë për mbretin e Asirisë: S’do të hyjë, jo, në këtë qytet, kundër tij s’do të qesë shigjetë, kundër tij as shqyt s’do të kthejë, s’do të thellojë kanal rreth tij!

33Rrugës nga erdhi ai do të zmbrapset, në këtë qytet këmba si shkel! Është kjo fjala që Zoti e flet.

34Këtë qytet e mbroj vetë dhe e shpëtoj për shkakun tim e për Davidin, shërbëtorin tim”.

Humbja dhe vdekja e Senakeribit

35Po atë natë engjëlli i Zotit hyri në fushimin e asirëve dhe i vrau njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë asirë. Kur u ngritën herët në mëngjes, i panë të gjitha kufomat e të vdekurve.

36Senakeribi, mbreti i Asirisë, bëri çojën dhe shkoi e u ndal në Ninivë.

37Dhe, ndërsa po adhuronte në tempullin e Nesrokut, zotit të vet, Adrameleku dhe Sarasati, bijtë e tij, e vranë shpatë dhe ikën në tokën e armenëve. Në vend të tij u bë mbret Asarhadoni, biri i tij.