Të gjithë kapitujt

2 i Mbretërve · Kapitulli 9

5. HISTORIA E JEHUIT, Një nxënës i Elizeut e shuguron mbret Jehuin, etj.

37 vargje

5. HISTORIA E JEHUIT

Një nxënës i Elizeut e shuguron mbret Jehuin

1Elizeu profet thirri një nga bijtë e profetëve dhe i tha: “Ngjishe ijën tënde, merre këtë enë me vaj e shko në Ramot të Galaadit.

2Kur të kesh arritur atje, do ta shohësh Jehuin, birin e Jozafatit të Namsiut, hyr brenda dhe thirre nga mesi i vëllezërve të vet e priji në dhomën e brendshme.

3Merre enën e vajit, zbraze mbi kokë të tij e thuaj: Kështu thotë Zoti: Të shugurova mbret mbi Izraelin! Hape derën, ik e mos qëndro atje”.

4Djaloshi, shërbëtori i profetit, shkoi në Ramot të Galaadit

5e hyri brenda, dhe ja, prijësit e ushtrisë po rrinin. Tha: “Prijës, kam një fjalë me ty”. Jehui iu përgjigj: “Me cilin prej gjithë nesh”? Ai i tha: “Me ty, o prijës”!

6Ai u çua dhe hyri në dhomë. Atëherë ai ia zbrazi enën e vajit mbi kokë e i tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Të shugurova mbret mbi popullin e Zotit, Izraelin.

7Vritie familjen e Akabit, zotërisë tënd, për tua marrë gjakun shërbëtorëve të mi profetëve dhe gjakun e të gjithë shërbëtorëve që i vrau Jezabela.

8Do ta shuaj mbarë familjen e Akabit dhe do ti vras të gjithë meshkujt prej familjes së Akabit, të madh e të vogël në Izrael.

9Shtëpinë e Akabit do ta gjejë si shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nabatit dhe porsi shtëpinë e Baasës, birit të Ahisë.

10E Jezabelën do ta hanë qentë në fushë, dhe askush s’ka për ta varrosur”. E hapi derën dhe iku.

Jehuin e shpallin mbret

11Jehui doli te shërbëtorët e zotërisë së vet, të cilët i thanë: “A është gjithçka mirë? Pse erdhi tek ti ky marran”? Ai u tha: “E njihni njeriun dhe përrallat e tija”.

12Por ata i thanë: “Gënjeshtër! Na e trego”. E ai u tha: “Kështu e kështu më ka biseduar e më tha: Kështu thotë Zoti: Të shugurova mbret mbi Izraelin”.

13Ata nxituan e i hoqën leshnikët e tyre dhe secili e shtroi nën këmbët e tija në shkallë, u ranë borive e brohoritën: “Jehiu është mbret”!

Jehui përgatitet për ta marrë pushtetin

14Kështu, pra, Jehui, biri i Jozafat Namsiut, bëri përbetim kundër Joramit. Jorami e kishte mbrojtur, ai e mbarë Izraeli, Ramotin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë,

15dhe ishte kthyer për tu shëruar në Jezrahel prej plagëve që kishte marrë nga sirianët duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Jehui foli: “Nëse, pra, jeni me mua, askush të mos dalë prej qytetit, që të mos shkojë e të lajmërojë në Jezrahel”.

16Jehui hipi në karrocën e vet e u nis për Jezrahel. Atje Jorami lëngonte e Okozia, mbreti i Judës, kishte shkuar për ta parë.

17Rojtari që qëndronte në pyrgun e Jezrahelit, e pa togën e Jehuit duke ardhur dhe lajmëroi: “Po shoh një grumbull njerëzish”! Jorami urdhëroi: “Merr një kalorës e dërgoje para tyre për ti pyetur: a po vini për paqe”?

18Kalorësi shkoi para tij dhe e pyeti: “Kështu thotë mbreti: A është gjithçka në paqe?” E Jehui iu përgjigj: “Çpunë ke ti me paqen? Kalo dhe eja pas meje”. Rojtari lajmëroi përsëri: “Rojtari ka arritur tek ata e nuk po kthehet”.

19E nisi edhe kalorësin e dytë. Edhe ky kur arriti tek ata, tha: “Kështu thotë mbreti: A është paqe”? Jehui iu përgjigj: “Çpunë ke ti me paqen? Kalo e eja pas meje”!

20Rojtari lajmëroi: “Arriti deri tek ata, por nuk po kthehet. Porse vrapimi është si ai i Jehuit, birit të Namsiut: vrapon si të kish flatra”!

21Jorami urdhëroi: “Mbërtheje karrocën”! E mbërthyen karrocën e tij. Jorami, mbreti i Izraelit, dhe Okozia, mbreti i Judës, dolën jashtë e hipën secili në karrocën e vet. U nisën në takim me Jehuin dhe u ndeshën me të në pronën e Nabotit jezrahelit.

Vrasja e Joramit

22Kur e pa Jehuin, Jorami, i tha: “A është paqe, Jehu?” E ai iu përgjigj: “Çfarë paqeje! Kur vazhdojnë lavirësitë e Jezabelës, nënës sate, dhe shortitë e saja të shumta!”

23Atëherë Jorami u kthye dhe, duke ikur, i tha Okozisë: “Tradhti, Okozi”!

24Jehui ngrehu harkun me dorë dhe e goditi Joramin ndërmjet shpatullave. Shigjeta i doli nëpër zemër dhe ai u rrëzua në karrocën e vet.

25Jehui i tha prijësit Badacer: “Kape dhe flake në arën e Nabotit jezrahelit! Të të bjerë ndër mend: unë e ti ishim bashkë me ata që dy e dy në karroca shkonin pas babait të tij Akabit, kur Zoti tha:

26Gjakun e Nabotit e gjakun e bijve të tij, që e pashë dje - thotë Zoti - do ta marr po në këtë arë prej teje, thotë Zoti. Tani pra, kape e hidhe në arë sipas fjalës së Zotit”.

Vrasja e Okozisë

27Kur e pa këtë Okozia, mbreti i Judës, iku në drejtim të Betganit. Jehui e ndoqi dhe dha urdhër: “Goditeni edhe këtë!” E plagosën edhe këtë në karrocën e tij në përpjetën e Gaverit afër Jeblaamit. Por ky ia doli të ikte deri në Magedo dhe aty vdiq.

28Shërbëtorët e tij e vunë në karrocën e tij dhe e çuan në Jerusalem. E varrosën në varrezën me etërit e tij në Qytetin e Davidit.

29Në të njëmbëdhjetin vit të sundimit të Joramit, birit të Akabit, mbret mbi Judën u bë Okozia.

Vrasja e Jezabelës

30Jehui po arrinte në Jezrahel. Kur mori vesh Jezabela për ardhjen e tij, i leu sytë, e stolisi kokën, e pa për dritareje

31tek po hynte nëpër derë në qytet dhe tha: “Gjithçka mirë, o Zambri, vrasës i zotërisë tënd”?!

32Jehui ngriti sytë nga dritarja e tha: “A është kush me mua, a është kush?” Dy a tre oborrtarë u kthyen drejt tij.

33Ai u urdhëroi: “Hidheni poshtë”! Ata e hodhën poshtë. Gjaku i saj stërpiku muret dhe kuajt që e shqelmuan.

34Jehui hyri brenda, hëngri dhe piu e atëherë tha: “Shkoni e shiheni atë të mallkuar dhe varroseni, se është bijë mbreti”!

35Kur shkuan për ta varrosur, nuk i gjetën tjetër përveç kafkës, këmbëve dhe shuplakave të duarve.

36U kthyen dhe i treguan. Jehui tha: “U plotësua fjala që e kishte thënë Zoti me gojën e Elisë nga Tesbiu, shërbëtorit të vet, që tha: Në fushën e Jezrahelit qentë do ta hanë trupin e Jezabelës.

37Trupi i Jezabelës do të jetë si pleh në fushën e Jezrahelit, kështu që të mos mund të thuhet as: Po a kjo qenka ajo Jezabela”!