Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 16

Mana dhe shkurtat

36 vargje

Mana dhe shkurtat

1Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit bënë çojën edhe prej Elimit dhe erdhi në shkretëtirën e Sinit, që gjendet ndërmjet Elimit dhe Sinait. Ishte e pesëmbëdhjeta ditë e të dytit muaj pasi kishin dalë prej dheut të Egjiptit.

2Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë.

3I thonin njëri-tjetrit: »Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia?!«

4Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecën në ligjin tim apo jo.

5Të gjashtën ditë, kur të përgatisin çka kanë mbledhur duhet të jetë dyfish se sa kanë mbledhur për çdo ditë.«

6Moisiu e Aroni u thanë të gjithë bijve të Izraelit: »Në mbrëmje do ta dini pse Zoti ju nxori nga dheu i Egjiptit,

7kurse në mëngjes do ta shihni lavdinë e Zotit. Sepse e dëgjoi ankimin tuaj kundër Zotit. Sepse, kush jemi ne që të nynykatni kundër nesh?!«

8Atëherë Moisiu shtoi: »Zoti do t’ju japë të hani mish në mbrëmje dhe në mëngjes bukë derisa të ngopeni, sepse Zoti e dëgjoi ankimin tuaj që e përshperitni kundër tij. Sepse, kush jemi ne? Nynykatja juaj nuk është kundër nesh, por kundër Zotit.«

9Moisiu i tha Aronit: »Thuaj mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit: Afrohuni në praninë e Zotit, sepse e ka dëgjuar ankesën tuaj!«

10Dhe, ndërsa Aroni po i fliste mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit, e sollën shikimin drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re!

11Atëherë Zoti iu drejtua Moisiut. I tha:

12»I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj!«

13Posa u bë mbrëmje, ia behën shkurtat dhe e mbuluan tëbanishën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull tëbanishtës.

14E kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokërrizë e hollë porsi brymë.

15Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri-tjetrit: »Manhu?« (që do të thotë: »Çfarë është kjo?«). Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: »Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!

16Dhe ja, çka Zoti urdhëron: ‘Secili le të mbledhë sa i del mjaft për të ngrënë; për çdo anëtar një gomor, sipas numrit të anëtarëve tuaj. Merrni kështu secili sipas numrit të njerëzve që ka në tendë.«

17Bijtë e Izraelit vepruan kështu: bashkuan kush më shumë e kush më pak.

18E matën me masën e gomorit: as ai që kishte mbledhur më shumë, nuk kishte më tepër dhe, as atij që kishte bashkuar më pak, nuk i mungoi: kishin mbledhur të gjithë aq sa mund të hanin.

19Moisiu u tha: »Askush të mos ruajë gjë për të nesërmen.«

20Ata që nuk e dëgjuan, por ruajtën ndonjë sasi prej saj për të nesërmen, u mbush me krimba dhe u qelb. Moisiu u zemërua kundër sish.

21Secili mblidhte në mëngjes aq sa i nevojitej për ushqim. Kur nxente dielli, u shkrinte.

22Të gjashtën ditë mblodhën ushqim të dyfishtë, d.m.th. dy gomorë për çdo njeri. Erdhën të gjithë të zotët e shtëpive të bashkësisë dhe i treguan Moisiut.

23Ai u tha: »Është shi ashtu siç u tha Zoti: ‘Nesër është e shtunë, pushim në nder të Zotit: çka keni për të pjekur, piqeni, çka keni për të zier ziejeni. Gjithçka t’ju teprojë lëreni për nesër në mëngjes.«

24Vepruan ashtu siç u tha Moisiu dhe nuk u prish dhe nuk u gjetën krimba në të.

25Moisiu u tha: »Hajeni sot, sepse është e shtuna në nder të Zotit, sot nuk do të gjendet në fushë manë.

26Gjashtë ditë do ta mblidhni, kurse e shtata ditë është e shtuna në nder të Zotit: prandaj edhe nuk do të ketë.«

27Të shtatën ditë disa prej popullit dolën për të mbledhur, por nuk gjetën.

28Zoti i tha Moisiut: »Deri kur nuk doni t’i zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjin tim?

29A s’po shihni se Zoti ju ka dhënë të shtunën? Për këtë arsye ju jep të gjashtën ditë bukë për dy ditë. Secili le të rrijë në shtëpinë e vet! Të shtatën ditë askush të mos dalë nga vendi ku gjendet!«

30Kështu, pra, populli pushoi të shtatën ditë.

31Këtë ushqim shtëpia e Izraelit e quajti manë. Ishte porsi kokrra e koriandrit, e bardhë, kurse shijen e kishte porsi kulaçi me mjaltë.

32Moisiu tha: »Ja urdhri që ka dhënë Zoti: ‘Mbushe me të një gomor dhe të ruhet për pasardhësit tuaj që ta njohin bukën me të cilën ju ushqeva në shkretëtirë, kur qetë nxjerrë nga dheu i Egjiptit’.«

33Atëherë Moisiu i tha Aronit: »Merre një enë dhe qit në të aq sa nxen një gomor dhe vendose para Zotit e ruaje për pasardhësit e tu.«

34Po ashtu si i urdhëroi Zoti Moisiut, Aroni e vendosi për ta ruajtur para Dëshmisë.

35Bijtë e Izraelit hëngrën manën për dyzet vjet, derisa s’erdhën në dheun e banueshëm. Me këtë bukë u ushqyen derisa s’erdhën në kufijtë e dheut të Kanaanit.

36Gomori është e dhjeta pjesë e efit.