Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 32

5. Viçi i artë e Besëlidhja e përtëritur, Viçi i artë, etj.

35 vargje

5. Viçi i artë e Besëlidhja e përtëritur

Viçi i artë

1Kur populli pa se Moisiu po vononte të zbresë nga mali, u bashkua te Aroni e i tha: »Ngritu e na i puno disa hyjni që të na prijnë! Nuk dimë se çfarë i ka ndodhur atij njeriu, Moisiut, që na nxori nga dheu i Egjiptit.«

2Aroni u përgjigji: »Ua hiqni vathët e artë prej veshëve grave të bijve tuaj, e të bijave tuaja, e bini tek unë.«

3Mbarë populli bëri siç i urdhëroi Aroni dhe ia solli vathët.

4Pasi i mori këta dha të punohet me daltë trajta e viçit dhe me ta e punoi viçin e metaltë. Ata thanë: »Ja, hyjnitë e tua, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit.«

5Kur pa Aroni dha të punohet një lter para trupores dhe me zë të zëdhënësit shpalli: »Nesër do të festojmë në nder të Zotit.«

6Të nesërmen, mëkuan herët, kushtuan fli shkrumbimi dhe fli pajtimi. Atëherë populli u ul të hajë e të pijë. Pastaj u ngrit të defrejë.

Zoti e vë në dijeni Moisiun

7Por Zoti i tha Moisiut: »Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish.

8E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: »Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!«

9Mandej Zoti i tha Moisiut: »Po shoh se ky popull është popull zverkngurrtë.

10Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros e pastaj prej teje do të bëj një popull të madh.«

Moisiu lutet për popullin

11Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: »Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë?

12Jo, të lutem, që të mos thonë egjiptianët: ‘I nxori me dredhi që t’i vrasë në male e t’i zhbijë nga toka. ‘Le të qetësohet hidhërimi yt dhe dëftohu i mëshirshëm mbi të keqen e popullit tënd.

13Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, për të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë.’«

14Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet.

Moisiu i copëton rrasat e Ligjit

15Moisiu u kthye dhe zbriti prej malit me dy rrasat e Dëshmisë në dorë, të shkruara në të dy anët,

16vepër e Hyjit; edhe shkrimi ishte i Hyjit, i gdhendur në rrasa.

17Jozuehu dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste e i tha Moisiut: »Kushtrim lufte në tëbanishtë!«

18Moisiu i përgjigji: »S’ është brohori ngadhënjyesish, as vaj i të vënëve në ikje: britmë këngëtarësh unë dëgjoj!«

19Kur iu afrua tëbanishtës pa viçin e vallet. Moisiu, i hidhëruar për së tepërmi, i hodhi prej dorës rrasat dhe i copëtoi në rrëzë të malit.

20E kapi viçin që ata kishin punuar, e dogji në zjarr dhe e thërmoi e e bëri pluhur, pluhurin e qiti në ujë dhe i shtrëngoi izraelitët ta pinë.

21Atëherë i tha Aronit: »Çfarë të ka bërë ky popull që e ngarkove me më të madhin mëkat?«

22Ai i përgjigji: »Mos m’u hidhëro, imzot. Ti e njeh mirë këtë popull se është i gatshëm të bëjë të keqen.

23Ata më thanë: ‘Na i puno zotat që të na prijnë; nuk dimë se çfarë i ka ndodhur këtij Moisiu, njeriut që na nxori nga dheu i Egjiptit.’

24Unë u thashë: ‘Kush prej jush ka ari? ‘E morën e ma prunë, unë e qita në zjarr dhe doli ky viç.«

Zelli i levitëve

25E pa, pra, Moisiu se populli ishte i shfrenuar, sepse Aroni ia kishte lëshuar frerin aq sa ishte bërë lojë për kundërshtarët e tij.

26Moisiu zuri vend në derë të tëbanishtës dhe thirri: »Kush është për Zotin, le të vijë tek unë!« E rrethuan të gjithë bijtë e Levit.

27Moisiu u tha: »Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Secili le ta ngjeshë në ijë shpatën e vet. Përshkojeni e ripërshkojeni tëbanishtën derë më derë e le të vrasë secili vëllanë e mikun e të afërmin e vet.’«

28Bijtë e Levit bënë gjithë si ju tha Moisiu: ranë vdekur prej popullit atë ditë rreth tri mijë njerëz.

29Atëherë Moisiu u tha: »Sot iu kushtuat Zotit për shërbesë, kush me çmim të djalit, kush me çmim të vëllait të vet, që ta fitoni bekimin.«

Moisiu përsëri ndërmjetëson

30Të nesërmen Moisiu i tha popullit: »Keni bërë mëkat të madh fort. Unë po ngjitem te Zoti; kushedi, ndoshta mund të nxjerr me uratë falje për fajin tuaj.«

31Moisiu u kthye te Zoti e u lut: »Vaj për mua! Ky popull bëri mëkat të madh: punuan zota të artë për vete! Por falja fajin kësaj herë…

32ose, nëse nuk e fal, atëherë më shlyej mua prej librit tënd që ke shkruar.«

33Zoti i përgjigji: »Do ta shlyej prej librit tim atë që ka mëkatuar kundër meje.

34Ti shko e çoje këtë popull ku të kam thënë. Para teje do të shkojë engjëlli im. Ditën, kur do të dua të ndërmarr masat e mia, do ta ndëshkoj edhe këtë mëkat të tyre.«

35E Zoti e ndëshkoi popullin pse e kishte punuar viçin, të punuar prej Aronit.