Të gjithë kapitujt

Dalja · Kapitulli 34

Besëlidhja e përtëritur. Rrasat e Ligjit, Dëftimi i Hyjit, etj.

35 vargje

Besëlidhja e përtëritur. Rrasat e Ligjit

1Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Latoji dy rrasa guri si ato të parat e do të shkruaj mbi to fjalët që i patën rrasat që i theve.

2Ji gati për nesër në mëngjes: nesër në mëngjes ngjitu në malin Sinai dhe qëndro atje në majë para meje.

3Askush tjetër të mos ngjitet me ty, dhe të mos shihet njeri askund në mal, as bagëti të imëta e të trasha të mos kullotin kundruall.«

4Moisiu i latoi dy rrasa guri si të parat; u çua me natë e u ngjit në malin Sinai me dy rrasat në dorë sikurse i kishte urdhëruar Zoti.

Dëftimi i Hyjit

5Atëherë Zoti zbriti në re, u ndal aty, përngjat tij dhe e shpalli emrin e Zotit.

6Zoti kaloi përpara tij e shpalli: »Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë,

7që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar asgjë; që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë, madje në nipa - në të tretën e në të katërtën brezni.«

8Moisiu ra vrik me fytyrë përdhe, adhuroi

9e tha: »O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, shtegto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurrtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde.«

Besëlidhja

10Zoti përgjigji: »Ja, unë po bëj besëlidhje: para mbarë popullit tënd, unë do të sendërtoj mrekulli që kurrë nuk janë parë mbi mbarë botën dhe në asnjë popull, që mbarë populli, në mesin e të cilit je, ta shohë veprën e tmerrshme të Zotit që do ta bëj me ty.

11Pra, mbaj të gjitha që unë të urdhëroj sot. Dhe, ja, unë do ta dëboj para fytyrës sate Amorreun, Kanaaneun e Heteun, edhe Ferezeun e Heveun dhe Jebuseun.

12Ruaju se lidh miqësi me banorët e vendeve ku do të hysh që të mos dalë për rrënimin tënd.

13Por, rrënoji lterët e tyre, copëtoji gurngulët dhe banirët e tyre.

14Mos adhuro zot të huaj: sepse Zoti i vërtetë quhet Zotëri Ziliqar, - Hyji është ziliqar.

15Mos lidh besëlidhje me njerëzit e atyre vendeve, që, kur lavirsohen ata me zotat e tyre e t’u kushtojnë fli, të mos thërrasë edhe ty ndonjëri e të hash prej flive të tyre.

16Mos merr grua për bijtë e tu prej bijave të tyre, që, pasi ato të jenë lavirsuar me zotat e tyre, t’i bëjnë të lavirsohen edhe bijtë e tu me zotat e tyre.

17Mos puno për ty zota metali të shkrirë.

18Mbaje festën e të Pabrumeve: për shtatë ditë ha bukë të pabrume, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib; sepse në muajin e kohës pranverore dole prej Egjiptit.

19Çdo i parëlindur mashkull, më përket mua; çdo i parëlindur qoftë i bagëtive të trasha qoftë i bagëtive të imëta, mua më përket.

20Të parëlindurin e gomarit shpërbleje me një krye bagëtie të imët. Në qoftë se nuk e shpërblen, përdridhja arrçin. Çdo të parëlindur të bijve të tu shpërbleje dhe mos u duk para meje duarthatë.

21Gjashtë ditë puno, të shtatën ditë pusho; mos puno as në kohë të mbjellave as të korrjeve.

22Festoje të Kremten e Javëve për frytet e para të korrjes së grurit - dhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur bashkohen të gjitha prodhimet.

23Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu le të paraqiten para Hyjit të Izraelit, Zotit të gjithpushtetshëm.

24Sepse, kur t’i shpronësoj kombet para teje e kur ta zgjeroj kufirin tënd, askush nuk do ta sulmojë tokën tënde, kur tri herë në vit të ngjitesh për t’u paraqitur në praninë e Zotit, Hyjit tënd.

25Mos e flijo gjakun e flisë që ke caktuar për mua me asgjë që të ketë tharm; dhe asgjë prej flisë të kushtuar për të kremten e Pashkëve të mos mbesë deri në mëngjes.

26Frytet e para të tokës sate çoj në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd. Mos e ziej edhin në qumështin e nënës së tij.«

27Zoti i tha Moisiut: »Shkruaj këto fjalë, sepse në bazë të këtyre fjalëve e kam lidhur besëlidhjen me ty e me izraelitët.«

28Moisiu qëndroi me Zotin dyzet ditë e dyzet net: as nuk hëngri bukë as nuk piu ujë dhe i shkroi në rrasa fjalët e Besëlidhjes - dhjetë Fjalët.

Moisiu rizbret nga Sinai

29Kur Moisiu zbriti nga mali Sinai i mbante dy rrasat e Dëshmisë dhe nuk e dinte se fytyra e tij lëshonte rreze për shkak të bisedimit të tij me Zotin.

30Kur Aroni e bijtë e Izraelit panë se prej lëkurës së fytyrës së tij dilnin rreze, patën frikë t’i afrohen.

31Atëherë Moisiu i thirri Aronin e të gjithë krerët e bashkësisë e shkuan tek ai. E pasi bisedoi me ta,

32erdhën edhe të gjithë izraelitët tek ai, dhe Moisiu u tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti në malin Sinai.

33Kur Moisiu e kreu bisedën me ta, ia qiti fytyrës një mbulesë, të cilën e hiqte kur hynte te Zoti e ndërsa bisedonte me Të, derisa dilte jashtë.

34Kur dilte për t’u treguar izraelitëve çfarë i ishte urdhëruar,

35izraelitët shihnin se prej lëkurës së fytyrës së Moisiut dilte dritë, por ai e mbulonte përsëri fytyrën e vet derisa nuk hynte të fliste përsëri me Zotin.