Të gjithë kapitujt

Danieli · Kapitulli 13

Suzana e gjykimi i Danielit, Gjyqi i Danielit

64 vargje

Suzana e gjykimi i Danielit

1Na ishte në Babiloni një njeri që e kishte emrin Joakim.

2Kishte marrë për grua Suzanën, bijën e Helcisë, që ishte shumë e bukur dhe e druante Zotin.

3Prindërit e saj, pasi ishin njerëz të drejtë, e edukuan vajzën e vet sipas Ligjit të Moisiut.

4Joakimi ishte shumë i pasur. Përbri shtëpisë së vet kishte një kopsht. Tek ai tuboheshin judenjtë me shumicë, sepse e çmonin më tepër se të gjithë të tjerët.

5Atë vit zgjodhën për gjykatës dy pleq nga populli. Ishin nga ata, për të cilët Zoti ka thënë: “Paudhësia doli nga Babilonia me anë të pleqve gjykatës që vetëm dukeshin si udhëheqës të popullit.

6Këta shkonin në shtëpinë e Joakimit e te ta shkonin të gjithë ata që kishin ndonjë çështje gjyqësore.

7Kur, rreth mesditës, populli shpërndahej, Suzana dilte e shëtiste në kopshtin e burrit të vet.

8Ata dy pleqtë e shihnin çdo ditë duke hyrë e shëtitur dhe e lakmuan.

9E humbën dritën e arsyes, sytë e vet më nuk i lartësuan për ta parë Qiellin e për ti kujtuar gjyqet e drejta.

10Të dy u goditën nga dëshirimi për të, por s’ia dëftuan njëri-tjetrit epshin e vet,

11sepse u vinte turp t’ia zbulonin shokut lakmimin që kishin për të,

12por çdo ditë mundoheshin me shumë dëshirë që ta shikonin. Një ditë i thanë njëri-tjetrit:

13”Po shkojmë në shtëpi se është koha e drekës!” Dolën jashtë e u shpërndanë,

14por u kthyen dhe u gjetën në të njëjtin vend e, duke pyetur njëri-tjetrin pse u kthyen, rrëfyen epshin e vet. Atëherë së bashku caktuan kohën kur Suzanën do ta gjenin vetëm.

15Kështu ata po prisnin rastin e volitshëm. Një ditë erdhi Suzana, sikurse edhe ditëve më përpara, vetëm me dy shërbëtore e, pasi bënte vapë, deshi të bëjë banjë në kopsht.

16Aty s’ishte askush tjetër, përveç dy pleqve të fshehur që po e shikonin.

17Suzana u tha shërbëtoreve: “Më sillni vaj e erëra të mira dhe ma mbyllni derën e kopshtit që të lahem.”

18Ato bënë si i urdhëroi. E mbyllën derën e kopshtit dhe dolën nëpër anësore për të sjellë çka kishte kërkuar: e nuk dinin se pleqtë ishin fshehur brenda.

19Kur shërbëtoret dolën, u çuan dy pleqtë, vrapuan tek ajo e i thanë:

20“Ja, dyert e kopshtit janë të mbyllura e askush nuk na sheh. Ne kemi rënë në dëshirimin tënd: na u dorëzo e të biem me ty!

21Por, nëse sdëgjon, do të bëjmë dëshmi kundër teje se ka qenë me ty një djalosh e për këtë arsye i ke nisur shërbëtoret larg teje.”

22Suzana dënesi e tha: “Kam rënë gjallë e ngushtë: në qoftë se bëj atë çka kërkoni, më pret vdekja, në qoftë se sbëj ashtu, s’do të mund të shpëtoj prej duarve tuaja;

23por më mirë është për mua të bie në duart tuaja pa e pasë bërë këtë të keqe se të mëkatoj para syve të Zotit.”

24Atëherë Suzana lëshoi një britmë të madhe. Bërtitën edhe pleqtë kundër saj

25dhe njëri prej tyre u lëshua vrap dhe e hapi derën e kopshtit.

26Kur anëtarët e familjes dëgjuan britmat në kopsht, u lëshuan vrap nëpër derën anësore për të parë se çkishte ndodhur.

27Kur pleqtë i treguan fjalët e veta, shërbëtorëve u ra një hije e zezë, sepse kurrë për Suzanën nuk ishte thënë një fjalë e tillë.

28Të nesërmen, kur u mblodh populli në kuvend te Joakimi, burri i saj, erdhën edhe dy pleqtë plotësisht të vendosur që ta dënojnë Suzanën me vdekje.

29Ata thanë para popullit: “Silleni Suzanën, bijën e Helcisë, gruan e Joakimit!” Ata shkuan për ta sjellë.

30Ajo erdhi me prindër, me fëmijë e me të gjithë kushërinjtë.

31Vërtet Suzana ishte shumë e njomë dhe e bukur për kah hijeshia!

32Ata të paudhë urdhëruan ta hiqte velin, sepse me të ajo e kishte mbuluar fytyrën - për tu kënaqur me bukurinë e saj.

33Qanin të gjithë njerëzit e saj dhe të gjithë ata që e shikonin.

34Dy pleqtë u ngritën mes popullit e ia vunë duart mbi kokë.

35Ajo, duke qarë, i çoi sytë drejt qiellit: sepse zemra e saj kishte besim në Zotin.

36Pleqtë thanë: “Ndërsa ne po shëtisnim vetëm në kopsht, kjo hyri në kopsht me dy shërbëtore, e mbylli derën e kopshtit e i nisi shërbëtoret.

37Atëherë iu afrua një djalosh që kishte qenë i fshehur, dhe ra me të.

38Ne që ndodheshim në një kënd të kopshtit, kur e pamë këtë poshtërsi, vrapuam tek ata e i pamë mirë se ishin bashkuar.

39Por atë nuk mundëm ta kapnim, sepse ishte më i fuqishëm se ne dhe, si e hapi derën, iku.

40Këtë e kapëm dhe e pyetëm kush ishte ai djalosh, por nuk deshi të na tregojë. Për këtë gjë ne jemi dëshmitarë!”

41Njerëzit u besuan porsi pleqve të popullit e gjykatësve dhe e dënuan Suzanën me vdekje.

Gjyqi i Danielit

42Suzana lëshoi një britmë të madhe e tha: “O Hyj i amshueshëm, ti që i njeh fshehtësitë, ti që di gjithçka para se të ndodhë,

43ti e di mirë se kundër meje sollën dëshmi të rreme! Ja, unë po vdes, megjithëse nuk bëra asgjë prej atyre që i sendërtoi shpirtligësia e tyre kundër meje!”

44Zoti e dëgjoi lutjen e saj.

45Ndërsa po e çonin për ta vrarë, Hyji zgjoi shpirtin e shenjtë të një djaloshi të ri, që quhet Daniel.

46Ai bërtiti me zë të lartë: “Unë jam i pafajshëm për gjakun e saj!”

47Mbarë populli u soll prej tij e i tha: “Ç’është kjo fjalë që e the?”

48Ai qëndroi mes tyre e tha: “Kaq të marrë jeni, bijtë e Izraelit? Pa e pasë pleqëruar të vërtetën e pa e njohur, e dënuat bijën e Izraelit!

49Kthehuni në gjyq, sepse kanë dhënë dëshmi të rreme kundër saj!”

50Vrik u kthye mbarë populli e të parët i thanë: “Eja, ulu mes nesh e na trego, sepse Zoti ta dha nderin e pleqërisë!”

51Atëherë Danieli u tha: “Ndajini ata larg njëri-tjetrit e unë do ti marr në pyetje.”

52Pasi qenë ndarë prej njëri-tjetrit, e thirri njërin prej tyre e i tha: “Plakushani i ditëve të zeza, tani po dalin në dritë mëkatet e tua, që më parë i bëje,

53duke gjykuar gjyqe padrejtësisht: të pafajshmit i dënoje e fajtorët i liroje, e mirë e di se Zoti thotë: Mos e vra të pafajshmin e të drejtin!

54Tani, pra, nëse e ke parë, thuaj nën cilën pemë i pe duke biseduar? Ai u përgjigj: “Nën xinë.”

55Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate! Sepse, ja, posa engjëlli e mori dënimin prej Hyjit, do të të presë përmes!”

56Si e larguan atë, urdhëroi të sillet tjetri e i tha: “Pjellë e Kanaanit e jo e Judës, ti mori mendtë bukuria e lakmia ta prishi zemrën.

57Kështu ua bënit bijave të Izraelit e ato prej frikës ju lëshoheshin në duar, por bija e Judës nuk e duroi poshtërsinë tuaj.

58Tani, pra, më thuaj: nën cilën pemë i zure ata duke biseduar?” Ai tha: “Nën plepin e egër!”

59Atëherë Danieli i tha: “Me të drejtë rrejte në dëm të kokës sate edhe ti! Gati është në këmbë engjëlli i Hyjit, me shpatë në dorë për të të prerë përmes e për të të vrarë!”

60Atëherë mbarë kuvendi zuri të bërtasë me zë të lartë e ti japë lavdi Hyjit, që i shpëton ata që shpresojnë në të.

61U çuan kundër dy pleqve - të cilët Danieli i shtrëngoi të pohonin me gojën e vet se kishin dhënë dëshmi të rreme - dhe ua bënë atyre ashtu si ata, të shtyrë nga shpirtligësia e vet, kishin sendërtuar t’ia bënin të afërmit,

62sipas Ligjit të Moisiut i vranë ata. Dhe atë ditë e shpëtuan gjakun e pafajshëm.

63Helcia e gruaja e tij i dhanë lavdi Hyjit për bijën e vet Suzanën bashkë me Joakimin, burrin e saj, e me të gjithë të afërmit e saj që s’u gjet në të farë turpi.

64Që prejasaj dite Danieli u bë i përmendur në sy të popullit. BELI E GJARPRI