Të gjithë kapitujt

Danieli · Kapitulli 7

ËNDRRA E DANIELIT: KATËR EGËRSIRAT, Vegimi i egërsirave, etj.

28 vargje

ËNDRRA E DANIELIT: KATËR EGËRSIRAT

Vegimi i egërsirave

1Në vitin e parë të Baltazarit, mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr e disa vegime i silleshin nëpër mend në shtrojën e tij. Ai edhe e shkroi ëndrrën. Fillimi i fjalëve që tha:

2Danieli tha: “Shikoja në vegimin tim natën dhe, ja, katër erërat e qiellit e çonin peshë Detin e Madh;

3katër egërsira të stërmëdha dolën nga deti: ishin të ndryshme nga njëra-tjetra.

4E para ishte porsi luaneshë e kishte krahë shqiponje. Ndërsa unë po e shikoja, iu shkulën krahët, u ngrit nga toka e u ndreq në këmbë porsi njeriu dhe i qe dhënë zemra e njeriut.

5Dhe ja, një tjetër egërsirë, e dyta, e ngjashme me ariun, pjesërisht e ndrequr. Në gojë i kishte tri brinjë: i mbante me dhëmbë. Kështu i qe thënë: “Ngrihu e ha shumë mish!”

6Pastaj shikoja, dhe ja, një tjetër egërsirë, porsi leopardi. Mbi vete kishte katër krahë shpendi. Egërsira kishte edhe katër kokë dhe i qe dhënë pushteti.

7Pas kësaj po shikoja në vegimin e natës dhe, ja, egërsira e katërt e tmerrshme, e çuditshme dhe tejet e fuqishme. Dhëmbët i kishte të hekurt, të mëdhenj: hante e copëtonte dhe tepricën e shkelte me këmbë. Ishte krejtësisht e ndryshme nga egërsirat e tjera që i kisha parë më parë, dhe kishte dhjetë brirë.

8Unë po i vrojtoja këta brirë, dhe ja, mbiu një tjetër bri i vogël mes tyre dhe tre nga brirët e mëparshëm u shkulën para tij. Pashë se ai bri kishte sy si sy njeriu. Kishte edhe gojën me të cilën fliste fjalë të mëdha.

Vegimi i të Tejetlashtit dhe i Birit të njeriut

9Vrojtoja dhe ja, u shtruan fronet dhe i Tejetlashti ndenj. Petku i tij i bardhë porsi bora, flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër; froni i tij porsi flaka e zjarrit, rrotat e tij zjarr i ndezur flakë!

10Lumë i zjarrtë rridhte e dilte përpara tij, mijëra mijërash i shërbenin e miliarda miliardash qëndronin përpara tij: po bëhej gjyqi, u hapën librat!

11Ende më jehonin në veshë fjalët e mëdha që fliste briri, dhe ja, egërsira qe prerë, e copëtuan trupin e saj dhe e hodhën për ta djegur në zjarr.

12Egërsirave të tjera u qe marrë pushteti, por u qe lejuar ta zgjasin jetën edhe për një kohë të caktuar.

13Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: dhe ja, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij.

14Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij pushtet i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet.

Shtjellimi i vegimit

15Tmerri ma mbuloi shpirtin. Mua Danielin më tmerruan këto gjëra. Vegimet që më vlonin në mend më morën mendsh.

16Iu afrova njërit prej atyre që ishin aty e kërkova të ma thotë të vërtetën lidhur me të gjitha këto. Ai mu përgjigj e ma dha shpjegimin e këtyre gjërave:

17“Këto katër egërsira të mëdha, janë katër mbretër që do të ngriten mbi tokë;

18do ta marrin veç prej tyre mbretërinë dhe do ta mbajnë për shekuj të shekujve shenjtërit e Hyjit të Tejetlartë.”

19Pastaj kërkova të mësoj të vërtetën lidhur me egërsirën e katërt, që ishte shumë e ndryshme nga të gjitha këto të tjerat, tepër e tmerrshme, dhëmbët i kishte të hekurt e thonjtë të bronztë, hante, copëtonte e tepricat i shkelmonte,

20nga dhjetë brirët që i kishte në kokë dhe për tjetrin që posa i lindi i ranë tre të tjerë, për atë bri që kishte sy e gojë, me të cilën fliste fjalë të mëdha dhe që ishte më e madhe se të tjerat.

21Unë po e shikoja dhe, ja, ai bri bënte luftë kundër shenjtërve dhe i mundte,

22derisa arriti i Tejetlashti i motit dhe u dha të drejtën Shenjtërve të të Tejetlartit. Erdhi koha dhe Shenjtërit e fituan mbretërinë.

23Ai tha kështu: “Egërsira e katërt do të jetë e katërta mbretëri mbi tokë më e madhe do të jetë se mbretëritë e tjera, do ta përpijë botën mbarë, do ta shkelmojë e do ta grimcojë.

24Kurse dhjetë brirët: nga kjo mbretëri dhjetë mbretëri do të bëhen, por pas tyre një tjetër do të ngrihet. Ky do të jetë më i fuqishëm se të parët, tre mbretër do ti mposhtë,

25blasfemi do të flasë kundër të Tejetlartit, do t’i ndrydhë Shenjtërit e të Tejetlartit, do të kujtojë se mund t’i ndërrojë kohët e Ligjin, e Shenjtërit do të bien në dorë të tij për një kohë, disa kohë e gjysmë kohe.

26Atëherë do të mbahet gjyqi, do t’i merret pushteti, do të shpartallohet e do të zhduket për jetë!

27Mbretëri e pushtet e madhëria e mbretërive do t’i jepen popullit të Shenjtërve të të Tejetlartit, mbretëria e të cilit është mbretëri e amshueshme dhe të gjithë mbretërit atij do t’i shërbejnë, atë do të dëgjojnë. “

28Këtu merr fund tregimi. Unë, Danieli, mbeta shumë i turbulluar në mendimet e mia, fytyra mu zverdh, por këto gjëra i ruajta në zemrën time. VEGIMI I DANIELIT: DASHI E CJAPI