Të gjithë kapitujt

Esdra · Kapitulli 5

Ndërtimi i Tempullit /520-515/

17 vargje

Ndërtimi i Tempullit /520-515/

1Atëherë profetët Agjeu dhe Zaharia, biri i Ados, zunë t’u profetizonin judenjve që ishin në Jude dhe në Jerusalem, në emër të Hyjit të Izraelit që i frymëzonte.

2Atëherë u ngritën Zorobabeli, biri i Salatielit, e Jezuai, biri i Jozedekut, dhe filluan ta ndërtojnë Tempullin e Hyjit në Jerusalem. Me ta ishin profetët e Hyjit që u jepnin zemër.

3Po në atë kohë erdhi tek ata Tatanaji që ishte qeveritar i krahinës së Përtejlumit, edhe Starbuzanaji si dhe këshilltarët e tyre, dhe u thanë kështu: »Kush ju ka dhënë leje ta ndërtoni këtë Shtëpi dhe ta përgatitni këtë material?

4Cilët janë emrat e njerëzve që e ndërtojnë këtë godinë?«

5Por sytë e Hyjit të tyre ishin mbi pleqtë e Judës dhe nuk ua ndaluan punën deri që lajmi të shkonte te Dariu e të vinte përgjigjja lidhur me këtë çështje.

6Kjo është dysheritja e letrës të cilën mbretit Dari ia dërguan Tatanaji, satrap i krahinës së Përtejlumit, Starbuzanaji dhe këshilltarët dhe prijësit e tyre nga krahina e Përtejlumit.

7Lajmi që ia dërguan ishte i shkruar kështu: »Mbretit Dari, paqe të vazhdueshme!

8Le ta dijë mbreti se kemi shkuar në krahinën e Judesë, në Shtëpinë e Hyjit të Madh që po ndërtohet me gurë të mëdhenj katrorë; muret po i mveshin me dru. Punimet po zhvillohen me kujdes dhe po përparojnë në duart e tyre.

9Ne i pyetëm pleqtë e tyre dhe u thamë:’ Kush ju dha leje ta ndërtoni këtë Shtëpi dhe ta përgatitni këtë material?’

10Ne i pyetëm edhe për emrat e tyre për të të lajmëruar. Kështu edhe i shkruam emrat e prijësve të tyre.

11Ata na u përgjigjën kështu: ‘Ne jemi shërbëtorët e Hyjit të qiellit e të tokës dhe po e ndërtojmë Tempullin që ishte i ndërtuar para shumë vitesh, dhe të cilin e kishte ndërtuar dhe stolisur mbreti i madh i Izraelit.

12Por, pasi etërit tanë e hidhëruan Hyjin e qiellit, ai i lëshoi në dorë të Nabukodonosorit të kaldenjve, mbretit të Babilonisë. Ky e rrënoi Tempullin dhe popullin e treti me dhunë në Babilon.

13Por në vitin e parë të sundimit të Kirit, mbretit të Babilonit, mbreti Kir dha leje të ndërtohet Tempulli i Hyjit.

14Madje edhe enët e Tempullit të Hyjit të arta e të argjendta, të cilat Nabukodonosori i kishte rrëmbyer nga Tempulli që ishte në Jerusalem dhe i kishte mbartur në tempullin e Babilonit, vetë mbreti Kir i nxori nga tempulli i Babilonit dhe ia dha njërit që quhej Sasabasar, të cilin edhe e bëri prijës

15dhe i urdhëroi: ‘Merri këto enë, shko e çoji në Tempullin e Jerusalemit dhe po në atë vend, ku kanë qenë më parë le të ndërtohet Shtëpia e Hyjit.

16Atëherë ky, Sasabasari, erdhi dhe i vuri themelet e Tempullit të Hyjit në Jerusalem. Prej aso kohe e deri tash po ndërtohet dhe ende nuk është kryer.’

17Tashti, nëse mbretit i pëlqen, le të bëhen hetime në arkivin mbretëror që është në Babilon, dhe le të vërtetohet se mbreti Kir e ka dhënë këtë leje për ta ndërtuar Shtëpinë e Hyjit në Jerusalem. Pastaj ju na njoftoni lidhur me vendimin e mbretit.