Të gjithë kapitujt

Esdra · Kapitulli 8

II. ORGANIZIMI I BASHKËSISË NGA ANA E ESDRËS DHE NEHEMISË, Detyra dhe personaliteti i Esdrës, etj. (2)

36 vargje

1Dhe, ja, prijësit e familjeve me breznitë e tyre, që u nisën me mua nga Babilonia në kohën e mbretërimit të mbretit Artakserks:

2Nga bijtë e Fineesit: Gersoni; nga bijtë e Itamarit: Danieli; nga bijtë e Davidit: Hatusi, biri i Sekenisë;

3nga bijtë e Farosit: Zakaria: me të u regjistruan njëqind e pesëdhjetë burra.

4Nga bijtë e Fahatmoabit: Elioenaji, biri i Zareheut, e me të edhe dyqind burra.

5Nga bijtë e Zetuasë: Sekenia, biri i Jahazielit, e me të edhe treqind burra.

6Nga bijtë e Adanit: Abedi, biri i Jonatanit, e me të edhe pesëdhjetë burra.

7Nga bijtë e Alamit: Isaia, biri i Atalisë, e me të edhe shtatëdhjetë burra.

8Nga bijtë e Safatisë: Zebedia, biri i Mikaelit, e me të edhe tetëdhjetë burra.

9Nga bijtë e Joabit: Obedia, biri i Jahielit, e me të edhe dyqind e tetëmbëdhjetë burra.

10Nga bijtë e Baniut: Selomiti, biri i Josfisë, e me të edhe njëqind e gjashtëdhjetë burra.

11Nga bijtë e Bebajit: Zakaria, biri i Bebajit, e me të edhe njëzet e tetë burra.

12Nga bijtë e Azgadit: Johanani, biri Ekcetanit, e me të edhe njëqind e dhjetë burra.

13Nga bijtë e Adonikamit erdhën më të rinjtë. Ja emrat e tyre: Elifaleti, Jehieli e Samaja dhe me ta gjashtëdhjetë burra.

14Nga bijtë e Begujit: Utaji, biri i Zakurit, e me të shtatëdhjetë burra.

15I bashkova në bregun e lumit që rrjedh drejt Ahavës e aty qëndruam tri ditë. E numërova popullin dhe priftërinjtë, e nga levitët nuk gjeta asnjë aty.

16Prandaj i dërgova Eliezerin, Arielin, Semejën, Jojaribin, Elnatanin, Natanin, Zakarinë dhe Mosolamin, njerëz të urtë.

17I dërgova te Edoja, që është i pari i vendit Kasfi dhe i vura në gojën e tyre fjalët që do t’ia thonë Edos dhe vëllezërve të tij për të na sjellë shërbestarë për Shtëpinë e Hyjit tonë.

18E pasi dora bamirëse e Hyjit tonë ishte mbi ne, na sollën një burrë shumë të dijshëm nga bijtë e Moholiut, të birit të Levit, të birit të Izraelit, me emër Serebi me bijtë e me vëllezërit e tij: tetëmbëdhjetë burra,

19Hasabinë e me të edhe Isainë, nga bijtë e Merariut, me bijtë e me vëllezërit e tyre: njëzet burra.

20Sollën edhe ‘të dhuruar’, të cilët i kishte dhuruar Davidi, dhe prijësit për shërbesat e levitëve: dyqind e njëzet burra: të gjithë këta qenë regjistruar me emra.

21Aty, pranë lumit Ahavë, shpalla agjërim për t’u përkulur para Hyjit tonë e për të lypur udhë të mbarë për ne, për fëmijët tanë e për gjithçka kishim.

22Në të vërtetë më erdhi turp të kërkoja prej mbretit ushtarë e kalorës për të na mbrojtur udhës nga armiku, madje i kisha thënë mbretit: »Dora e Hyjit tonë është e shtrirë që t’i mbrojë të gjithë ata që e kërkojnë; kurse fuqia dhe hidhërimi i tij bie mbi ata që e harrojnë.«

23Kështu agjëruam dhe e kërkuam ndihmën e Hyjit tonë me këtë qëllim dhe ai na e solli të mbarën.

24Atëherë i zgjodha dymbëdhjetë eprorë të priftërinjve, Sarabinë dhe Hasabinë, edhe dhjetë vetë me ta prej vëllezërve të tyre,

25ua mata argjendin, arin dhe enët: dhuratë për Shtëpinë e Hyjit tonë që i kishin dhuruar mbreti, këshilltarët, prijësit e tij dhe mbarë izraelitët që ndodheshin aty.

26I mata, pra, dhe ua dhashë në dorë atyre: argjend: gjashtëqind e pesëdhjetë talenta; enë argjendi: njëqind. Secila peshonte nga dy talenta; ar: njëqind talenta;

27gota të arta: njëzet nga një mijë darikë dhe dy enë bronzi të shkëlqyshme, të lara me ar dhe të çmueshme si ari.

28Dhe u thashë: »Ju jeni të shuguruarit e Zotit; këto janë enët e shuguruara, ky argjend e ar i janë kushtuar Zotit, Hyjit të etërve tanë.

29Ruani e kujdesuni deri sa t’i peshoni para krerëve të priftërinjve, të levitëve dhe të krerëve të familjeve të Izraelit në Jerusalem, në dhomat e Shtëpisë së Zotit.«

30Atëherë priftërinjtë dhe levitët e morën në dorëzim sasinë e peshuar të argjendit, të arit e të enëve për t’i çuar në Jerusalem, në Shtëpinë e Hyjit tonë.

31Më dymbëdhjetë të muajit të parë, u nisëm nga bregu i lumit Ahavë për të shkuar në Jerusalem. Dora e Hyjit tonë qe me ne, e na shpëtoi nga dora e armikut dhe e kundërshtarit gjatë udhëtimit.

32Arritëm në Jerusalem aty dhe pushuam tri ditë.

33Të katërtën ditë u peshua argjendi, ari dhe enët në Shtëpinë e Hyjit tonë me dorën e Meremotit, birit të priftit Uri. Bashkë me të qe edhe Eleazari, biri i Fineesit, e me ta edhe levitët: Jozabedi, biri i Jezuasë dhe Noadaja, biri i Benuit.

34Gjithçka ishte sipas numrit e peshës dhe kjo u shënua me shkrim. Aso kohe,

35ata që ishin kthyer nga mërgimi, të kthyerit kushtuan fli shkrumbimi për nder të Hyjit të Izraelit: dymbëdhjetë mëzetër për mbarë popullin e Izraelit, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja, dymbëdhjetë cjep për fli shpërblimi për mëkat: të gjitha këto fli shkrumbimi për nder të Zotit.

36Pastaj urdhëresat e mbretit ua dorëzuan satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të Përtejlumit, të cilët e përkrahën popullin dhe Shtëpinë e Hyjit.