Të gjithë kapitujt

Gjyqtarët · Kapitulli 7

B. Fushata e Gjedeonit në perëndim të Jordanit, Zoti zvogëlon numrin e ushtrisë së Gjedeonit, etj.

25 vargje

B. Fushata e Gjedeonit në perëndim të Jordanit

Zoti zvogëlon numrin e ushtrisë së Gjedeonit

1Jerobaali, d.m.th. Gjedeoni mëngoi dhe me të mbarë populli dhe e nguli fushimin te burimi që quhet Harad. Taborret e Madianit ishin në luginë, në krahun verior të kodrës Moreh.

2Zoti i tha Gjedeonit: »Ke tepër shumë popull me ty që të mund të lëshoj Madianin në duart e tija, sepse Izraeli mund të lëvdohet e të thotë: ‘Me forcat e mia u çlirova!’

3Fol me popull dhe shpalle ku mund të të dëgjojnë të gjithë: ‘Kush trembet dhe është frikacak, le të kthehet e le të kalojë nëpër malin Gjelboé.’« Prej popullit u kthyen njëzet e dy mijë burra. Mbetën vetëm dhjetë mijë vetë.

4Por Zoti i tha Gjedeonit: »Prapë ka shumë popull. Çoji tek ujët dhe aty do t’i vë në provë. Ai për të cilin do të të them unë të vijë me ty, le të vijë; atij që t’ia ndaloj të vijë, le të kthehet.«

5Gjedeoni e çoi popullin tek ujët, e Zoti i tha: »Cilindo që të llapë ujin me gjuhë, siç e kanë zakon të llapin qentë, ndaje veçmas; kurse ata që të pinë duke u ulur në gjunjë, qiti në anën tjetër.

6Ata që me dorë e avitën te goja ujët dhe e llapën, qenë treqind vetë, kurse mbarë populli tjetër u ul në gjunjë dhe piu.

7Atëherë Zoti i tha Gjedeonit: »Me treqind vetët që llapën ujët, do t’ju çliroj dhe do ta lëshoj Madianin në dorën tënde. Mbarë gjindja tjetër le të kthehet në vendin e vet.«

8Pasi mori, sipas numrit të njerëzve, ushqimet dhe boritë, mbarë popullit tjetër i urdhëroi të kthehej në çadrat e veta. Me vete ndali vetëm ata treqind vetë. Fushimi i madianëve ishte nën të, në luginë.

Parashenja e fitores

9Po këtë natë Zoti i tha Gjedeonit: »Çohu e zbrit në fushim, sepse i kam lëshuar në duar të tua.

10Nëse ke farë frike, le të zbresë me ty Fara, shërbëtori yt.

11Kur të dëgjosh çfarë flasin, atëherë do të marrësh guxim dhe do të zbresësh më me siguri në fushimin e armiqve.« Zbriti pra, me Farën, shërbëtorin e vet, deri në pararojën e fushimit, ku ishin rojet e ushtrisë.

12Madianët, amalekasit dhe të gjithë popujt e Lindjes ishin përhapur në luginë dhe e kishin mbuluar atë si turmë e karkalecave; po ashtu edhe devetë ishin të panumërta si rëra brigjeve të detit.

13Kur arriti Gjedeoni, një ushtar po i tregonte shokut ëndrrën. Ai thoshte: »Ja, pashë një ëndërr. Më dukej se një bukë elbi e pjekur në hi po rrokollisej e po zbriste në fushimin e madianëve. Kur arriti te tenda, e goditi, e rrëzoi dhe e bëri rrafsh me tokë.«

14Ai, të cilit po i fliste, iu përgjigj: »Kjo s’është tjetër pos shpata e Gjedeonit, birit të Joasit, trimit izraelas. Hyji i dorëzoi në duart e tija madianët e mbarë fushimin e tyre.«

15Kur e dëgjoi Gjedeoni ëndrrën dhe shtjellimin e saj, ra me fytyrë përdhe në adhurim dhe, me të kthyer në fushimin e Izraelit, urdhëroi: »Çohuni, se Zoti e lëshoi në duart tuaja fushimin e madianëve.«

Sulmi i papritur

16Gjedeoni i ndau treqind luftëtarët në tri grupe. Secilit i dha në dorë borinë, poçin e zbrazët dhe në poç dritëzën

17e u tha: »Çfarë të shihni se bëj unë, bëni edhe ju. Unë do t’i afrohem brezit të fushimit dhe, çfarë të bëjë unë ashtu bëni edhe ju.

18Kur të bjerë boria në dorën time e të të gjithëve që janë me mua, atëherë edhe ju rreth e rreth fushimit bjeruni borive dhe lëshoni kushtrimin e luftës: »Për Zotin e për Gjedeonin!«

19Gjedeoni e treqind burrat që ishin me të, arritën buzë rrethit të fushimit atëherë kur po ndërrohej roja e mesnatës. Posa i vunë rojet, ata u ranë borive e i thyen poçet që i kishin në dorë.

20Kur jehuan boritë e tri togave dhe, pasi i thyen poçet e i morën në dorën e majtë dritëzat e në dorën e djathtë boritë, bërtitën: »Shpata për Zotin e për Gjedeonin!«

21dhe secili qëndroi në vendin e vet rreth fushimit të armikut. Mbarë taborri u pështjellua dhe madianët, duke ulëritur, u vunë në të ikur.

22Ndërsa treqind vetët vazhdonin t’u binin borive, Zoti bëri që të gjithë madianët të ngrinin shpatën kundër njëri-tjetrit e të vrisnin njëri-tjetrin

23dhe iu dhanë ikjes deri në Betsetë, në Saredë, deri në bregun e Abelmehulës në Tebat.

Ndjekja

Atëherë u thirrën burrat e Izraelit, të fisit të Neftaliut, të Aserit e të mbarë Manaseut dhe, të bashkuar, i ndoqën madianët.

24Gjedeoni dërgoi kasnecë në mbarë malësinë e Efraimit me këtë porosi: »Zbritni kundër madianëve e zini vatë që prej Betberës në Jordan. Të gjithë efraimasit zbritën para tyre dhe i zunë vatë e Jordanit deri në Betberë.

25I zunë edhe dy princa të Madianit: Orebin e Zebin. Orebin e prenë në Qetën Oreb, ndërsa Zebin në Shtrydhësin Zeb. Madianët i ndoqën, kurse krerët e Orebit e të Zebit ia sollën Gjedeonit përtej Jordanit.