Të gjithë kapitujt

Levitiku · Kapitulli 22

Shenjtëria në pjesëmarrje të ushqimeve të shenjtëruara, A. Priftërinjtë, etj.

33 vargje

Shenjtëria në pjesëmarrje të ushqimeve të shenjtëruara

A. Priftërinjtë

1Zoti foli me Moisiun e tha:

2»Fol me Aronin e me bijtë e tij për raste ku, për të mos e përdhosur emrin tim, u duhet të mos marrin pjesë në disa kushte të shenjta që m’i paraqesin bijtë e Izraelit. Unë jam Zoti.

3E thuaju: Çdo njeri prej pasardhësve tuaj, brez pas brezi, që do të guxojë t’u afrohet në gjendje të papastër kushteve të shenjta që ia kushtojnë bijtë e Izraelit Zotit, do të dëbohet prej pranisë sime. Unë jam Zoti.

4Asnjë pasardhës i Aronit që të jetë i gërbulur ose pëson derdhjen, të mos hajë prej dhuratave të shenjta, derisa të shërohet. Ai që prek çdo gjë që është e papastër për shkak se preket me mejtin, ose ai njeri që pëson derdhjen e farës,

5ose ai që prek zvarranik prej të cilit bëhet i papastër, ose njeriun prej të cilit bëhet i papastër prej çfarëdo papastrie të tij,

6le të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe të mos hajë prej dhuratave të shenjta; por vetëm pasi të jetë larë me ujë

7e pasi të ketë perënduar dielli; vetëm atëherë i pastruar le të hajë prej të shenjtëruarave: sepse janë ushqimi i tij.

8Mishin e bagëtisë së ngordhur ose të shqyer prej egërsirës të mos e hanë që të mos bëhen të papastër.

9Le ta mbajnë urdhërin tim që të mos ngarkohen me mëkat lidhur me ushqim e kështu të sharrojnë pse e përdhosin gjënë e shenjtëruar. Unë jam Zoti që i shenjtëroj ata.«

B. Laikët

10»Asnjë laik nuk guxon të hajë prej gjërave të shenjtëruara. As miku i priftit as mëditësi i tij të mos hajë asgjë prej tyre.

11Prej tyre mund të hajë ai që prifti e ka blerë me para si edhe shërbëtori që i lind në shtëpi.

12Bija e priftit, që është martuar me laik, të mos hajë prej dhuratave që janë kushtuar;

13por në qoftë se është e vejë ose e lëshuar e pa fëmijë e kthyer në shtëpinë e t’et, ashtu siç hante kur ishte vajzë, le të ushqehet me shujtën e t’et. Porse asnjë laik nuk guxon të hajë prej këtyre ushqimeve.

14Nëse ndokush ha gjë, prej padijes, prej kushteve të shenjta, le t’ia kthejë priftit aq sa hëngri dhe le t’ia shtojë të pestën.

15Të mos përdhosën kushtet e shenjta që izraelitët ia paraqesin Zotit;

16duke i ngrënë do të merrnin mbi vete peshën e një gabimi që kërkon shpagim. Unë jam Zoti që shenjtëroj.«

C. Kafshët e flijimit

17Zoti foli me Moisiun e tha:

18»Fol me Aronin e me bijtë e tij dhe me të gjithë izraelitët dhe thuaju: Çdo njeri prej shtëpisë së Izraelit, ose i huaj që banon ndër ju, që sjell dhuratën e vet apo për të çuar në vend një kusht ose si dhunti vullnetare që t’i paraqitet Zotit si fli shkrumbimi,

19- që të jetë i pëlqyer - i duhet të kushtojë mashkull, të patëmetë qoftë prej lopëve, prej deleve e prej dhive;

20mos paraqitni asgjë me të metë, sepse nuk do t’ju pranohet.

21Ai që do të kushtojë, flinë e pajtimit në nder të Zotit apo për të kryer një kusht ose vullnetarisht e paraqet qoftë prej gjedhit qoftë prej bagëtive të imëta, le të kushtojë bagëti të patëmetë, që t’i pranohet: të mos ketë asnjë të metë.

22Mos prano asnjë bagëti të verbët, të çalë, të gjymtuar, të lythët, të shogët, ose me dregëza t’ia paraqesësh Zotit si dhuratë dhe mos vër asgjë prej tyre mbi lter si fli të erëndshme në nder të Zotit.

23Si fli vullnetare mund të paraqesësh bagëti të trashë ose të imët që ka ndonjë gjymtyrë të deformuar ose është e ligshtë; porse me të tillë, për të kryer flinë e kushtimit, nuk është e mundur.

24Mos i kushtoni Zotit asnjë kafshë me kokrra të shtypura, të ndrydhura, të prera ose të hequra, dhe në vendin tuaj këtë punë mos e bëni assesi,

25as mos pranoni prej të huajve ndonjë kafshë të tillë për të kushtuar si ushqim Hyjit tuaj prej të huajve, sepse të gjitha janë të prishura dhe të gjitha me të metë. Prandaj, as nuk do t’ju pranohen.«

26Zoti foli me Moisiun dhe shtoi:

27»Kur lopa, delja dhe dhia të pjellë, viçi, qengji dhe edhi, le të rrinë me t’ëmën për shtatë ditë; të tetën ditë e më tutje do të jenë të pëlqyeshëm si dhuratë e djegur në nder të Zotit.

28As lopa as delja të mos priten për një ditë me pjellën e vet.

29Kur t’i kushtoni Zotit flinë e lavdit, kushtojeni ashtu që të jetë e pëlqyeshme:

30hajeni po atë ditë: mos lini asgjë prej saj për të nesërmen në mëngjes! Unë jam Zoti!«

Ç. Porosia përfundimtare

31»Mbani ligjet e mia dhe zbatoni! Unë jam Zoti!

32Mos e përdhosni emrin tim të shenjtë me qëllim që unë të jem i shpallur shenjt ndër bijtë e Izraelit. Unë jam Zoti që ju shenjtëroj

33dhe ju nxora nga dheu i Egjiptit që të jem Hyji juaj. Unë jam Zoti.«