Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 14

Shërimi i njeriut që kishte hidropizinë, Qortim miqve dhe zotshtëpisë, etj.

35 vargje

Shërimi i njeriut që kishte hidropizinë

1Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

2Kur, qe, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi.

3Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesëve të Ligjit e farisenjve: »A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?«

4Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

5Atyre mandej u tha: »Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?«

6Ata s’mundën t’i përgjigjen në këto fjalë.

Qortim miqve dhe zotshtëpisë

7Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8»Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti,

9që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit.

10Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve.

11Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.«

12Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: »Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë.

13Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër.

14Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtave.«

Shëmbëlltyra e darkës së madhe

15Një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalë, tha: »Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!«

16Jezusi i tha: »Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë.

17Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!’

18Por të gjithë - si të ishin marrë vesh - zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’

19I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto!’

20I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’

21Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha rrogëtarit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’

22Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’

23E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e përngjat gardheve e shtërngo njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’

24Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!«

Sa kushton të jesh nxënës i Jezusit

25Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26»Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet a ka sa i duhen për ta kryer?

29Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë - të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë

30duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’

31Ose - cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë?

32Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.«

Kripa e pashije

34»Kripa është gjë e mirë; por, në qoftë se kripa e humb shijen e vet, me çka do të mund të kripet?

35Nuk vlen as për tokë as për pleh. Hidhet jashtë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!«