Të gjithë kapitujt

Luka · Kapitulli 7

Shërimi i shërbëtorit të centurionit, Të ngjallurit e djalit të vejushës së Nainit, etj.

50 vargje

Shërimi i shërbëtorit të centurionit

1Pasi i kreu të gjitha këto fjalë të drejtuara popullit, hyri në Kafarnaum.

2Një centurion e kishte shërbëtorin të sëmurë në fill të vdekjes. Shërbëtorin e kishte fort për zemër.

3Centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, dërgoi disa kryepleq judenj që ta lusin të vijë e t’ia shërojë shërbëtorin.

4Ata, kur arritën te Jezusi, zunë t’i luten e t’i përluten: »Meriton t’ia kryesh këtë nderë

5sepse e do popullin tonë. Ai na e ndërtoi edhe sinagogën.«

6Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo fort larg shtëpisë, centurioni dërgoi miqtë e vet për t’i thënë: »Zotëri, mos u mundo më tepër se nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim

7- prandaj edhe nuk e çmova veten të denjë të dal përpara, por vetëm jep urdhër me një fjalë e do të shërohet shërbëtori im.

8Sepse edhe unë, ndonëse vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë dhe i them njërit: ‘Shko!’ - dhe ai shkon, një tjetri: ‘Eja!’ - dhe ai vjen; shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ - dhe ai e bën.«

9Jezusi, kur i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua, u kthye kah populli që po e ndiqte dhe i tha: »Po ju them: as në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.«

10Kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndosh e mirë.

Të ngjallurit e djalit të vejushës së Nainit

11Pastaj Jezusi u nis për në qytet që quhet Nain. Me të shkonin nxënsit e tij dhe turmë e madhe e popullit.

12Kur iu afrua dyerve të qytetit, qe se po sillnin përjashta qytetit një të vdekur - djalin e vetëm të nënës e kjo ishte e vejë. E përcillnin shumë banorë të qytetit.

13Kur e pa Zotëria, pati dhimbë për të dhe i tha: »Mos qaj«

14U afrua, preku vigun - ata që e mbartnin, u ndalën. Ai tha: »Djalosh, ty po të them: çohu!«

15I vdekuri u çua dhe nisi të flasë. Jezusi ia dha s’ëmës.

16Të gjithë i kapi frikë e madhe dhe lëvdonin Hyjin duke thënë: »Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!«

17Dhe nëpër mbarë Judenë e anembanë krahinës u hap zëri për të.

Të dërguarit e Gjon Pagëzuesit

18Për të gjitha këto e bënë me dije Gjonin nxënësin e tij. Gjoni i thirri dy prej nxënësve të vet

19dhe i dërgoi te Zotëria për ta pyetur: »A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?«

20Këta, kur erdhën te Jezusi, i thanë: »Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti që të pyesim: ‘A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’«

21Shi në atë çast Jezusi shëroi shumë njerëz prej sëmundjesh, prej dhimbjesh, prej shpirtrash të ndytë edhe shumë të verbëve ua dhuroi dritën e syve.

22Atëherë u përgjigji: »Shkoni e tregoni Gjonit çka patë e çka dëgjuat: ‘të verbërit po fitojnë dritën e syve’, të shqeptët po ecin drejt, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhëtit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e ‘skamnorëve u shpallet Ungjilli’.

23I lumi ai që nuk do ta bjerrë besimin në mua!«

24Kur të dërguarit e Gjonit shkuan, Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: »Ç’dolët të shihni në shkreti? Një kallam që e tund era?

25Atëherë, ç’dolët të shihni? Një njeri të veshur me petka të bukura? Porse njerëzit që veshen me petka të bukura, me shkëlqim e jetojnë në kënaqa banojnë në pallate mbretërore!

26Por, çka atëherë dolët të shihni? Një profet? Po, unë po ju them: edhe më tepër se një profet!

27Gjoni është ai, për të cilin u shkrua në Shkrimin shenjt: ‘Qe unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje për ta bërë gati para teje udhën tënde.’

28Unë po ju them: s’ka djalë nëne që është më i madh se Gjoni! Megjithatë, edhe më i vogli në Mbretërinë e Hyjit, është më i madh se ai.

29Populli mbarë që e dëgjoi - edhe vetë tagrambledhësit - duke u pagëzuar me pagëzimin e Gjonit, e dëshmuan drejtësinë e Hyjit.

30Kurse, farisenjtë e mësuesit e Ligjit, duke mos pranuar të pagëzohen prej tij, e përbuzën planin e Hyjit që kishte për të mirën e tyre.

31Me kë, pra t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie? Kujt i përngjasin?

32U përngjasin fëmijaçave që rrinë ndër sheshe dhe i thërrasin njëri-tjetrit, sipas asaj fjale: ‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet; bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

33Erdhi Gjon Pagëzuesi; as nuk hëngri bukë as nuk piu verë, e ju thoni: ‘Ka në trup djallin.’

34Erdhi Biri i njeriut: Ky ha e pi, e ju thoni: ‘Ja, gopçi, pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve!’

35Por Urtisë i japin të drejtë bijtë e saj.«

Mëkatarja e falur

36Një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.

37Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum,

38zuri vend pas tij, te këmbët e tija dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.

39Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: »Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.«

40Jezusi mori fjalën dhe i tha: »Simon, dua diçka të të them.« »Fol, Mësues!« - i përgjigji ai.

41»Një huadhënës - vazhdoi Jezusi - kishte dy detorës. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë.

42Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?«

43Simoni i përgjigji: »Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.« »Mirë pleqërove! - i tha Jezusi.

44Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit: »A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu.

45Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, qysh se hyri, nuk pushon të m’i puthë këmbët.

46Ti nuk ma leve kryet me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia.

47Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.«

48Atëherë i tha gruas: »Të janë falur mëkatet!«

49Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendojnë në vete: »Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!«

50Por ai i tha gruas: »Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!«