Të gjithë kapitujt

Mateu · Kapitulli 5

Predikimi në mal, Lumturitë, etj.

48 vargje

Predikimi në mal

1Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij.

2Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

Lumturitë

3»Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

4Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen!

5Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën!

6Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen!

7Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë!

8Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin.

9Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

10Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

11Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!

12Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!«

Kripa e tokës e drita e botës

13»Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit.

15As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi.

16Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«

Qëndrimi i Jezusit ndaj Besëlidhjes së Vjetër

17»Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej.

18Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

20Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.«

Zemërimi

21»Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vraj!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.

22E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje,

24lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

25Ndrequ me shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg.

26Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe më të sprasmen para.«

Mësimi mbi kurorëthyerjen

27»Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’

28E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të.

29Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.

30E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.«

Mësimi mbi divorcin

31»Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’

32E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet - përveç në rastin e fëlligështisë - e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.«

Mësimi mbi betimin

33»Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’

34E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit,

35as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh.

36Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë.

37Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.«

Mësimi mbi hakmarrjen

38»Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’.

39Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën.

40Atij që do të qesë në gjyq për të marrë këmishën, jepja edhe mallotën.

41E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy;

42atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.«

Dashuria ndaj armiqve

43»Keni dëgjuar se që thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.

44E unë po ju them: Doni armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,

45për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtit.

46Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bejnë kaq edhe tagrambledhësit?

47E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!«