Të gjithë kapitujt

Numrat · Kapitulli 23

Parakallëzimet e Balaamit

30 vargje

1Balaami i tha Balakut: “M’i ndërto këtu shtatë lterë dhe m’i bëj gati po aq mëzetër edhe aq desh”.

2Balaku bëri si tha Balaami. Atëherë i kushtuan në secilin lter nga një mëzat e një dash.

3Balaami i tha Balakut: “Rri për pak kohë pranë flisë sate të shkrumbimit sa të shkoj se ndoshta Zoti më vjen në takim. Gjithçka të më urdhërojë, unë do të të tregoj”. Shkoi në një majë të shogët

4e Zoti i doli para. Balaami i tha: “I ndërtova shtatë lterë dhe mbi secilin kushtova nga një mëzat e një dash”.

5Zoti i vuri fjalët në gojë Balaamit e i tha: “Kthehu te Balaku e thuaj kështu”!

Parakallëzimet e Balaamit

6Balaami u kthye dhe gjeti Balakun pranë flisë së vet të shkrumbimit së bashku me prijësit e Moabit.

7Atëherë Balaami filloi këngën e vet e tha: “Prej Aramit më bëri të vij Balaku, mbreti i moabitëve i bjeshkëve të lindjes: ‘Eja ‑ më tha ‑ ma mallko Jakobin; mos nguro e ma nëm Izraelin!’

8Si të mallkoj kë Zoti s’e mallkoi? Si të nëm kë Zoti nuk e nëmi?

9Po e shoh prej qetave të larta, po e vërej prej kodrave të larta: shoh një popull të veçuar që ndër kombe nuk numërohet.

10Kush mund të numërojë pluhurin e Jakobit, kush e numëroi rërën e Izraelit?! Vdeksha unë me vdekje të të drejtit, mbarimi im qoftë porsi i tyre”!

11Atëherë Balaku i tha Balaamit: “Po çfarë po bën ashtu?! Unë të thirra të m’i mallkosh armiqtë e mi e ti, përkundrazi, po i bekon”!

12Ai iu përgjigj:”A thua mund të them tjetër, përveç sa të ketë urdhëruar Zoti”?

13Balaku i tha: “Eja me mua në një vend tjetër. Prej këtu sheh vetëm një pjesë të Izraelit e nuk mund ta shohësh të tërin: prej andej ta mallkosh!”

14E çoi në vendin e vrojtuesve mbi majë të malit Fazga. I ndërtoi shtatë lterë dhe mbi secilin vuri mëzat e dash.

15Balaami i tha Balakut: “Qëndro këtu pranë flisë sate të shkrumbimit sa të shkoj t’i dal para Zotit...”.

16Pasi Zoti e takoi dhe ia vuri në gojë fjalët, i tha: “Kthehu te Balaku dhe thuaj kështu”.

17U kthye dhe e gjeti pranë flisë së tij të shkrumbimit dhe princat e moabitëve me të. E Balaku i tha:”Çfarë tha Zoti”?

18E Balaami ia mori këngës e tha: “ Ngritu, Balak, e dëgjo, dëgjo djali i Seforit:

19nuk është Hyji porsi njeriu që të rrejë, porsi biri i Adamit që të ndërrojë! A thua thotë e s’e mba’ fjalën? A thua flet e s’bën çka flet?

20I shtrënguar jam të bekoj, vetë ta ndal bekimin s’mundem!

21Gjë të keqe s’shihet në Jakobin, as vështirësi s’shihet në Izrael: me të është Zoti, Hyji i tij, i brohoritur mbret mes popullit të vet!

22Hyji që e nxori prej Egjiptit është për të fuqi që s’mposhtet!

23Për shorti s’ndien Jakobi, s’ka magji që e dëmton Izraelin! Kur të jetë koha do t’i thuhet Jakobit e Izraelit çfarë ka vepruar Hyji!

24Është një popull që ngrihet si luanesha, që pupëzohet në kërcim si luani! S’shtrohet në strofull pa e përpirë prenë, pa e gëlltitur gjakun e të vrarëve”.

25Atëherë Balaku i tha Balaamit: “As mos e mallko as mos e beko”!

26Por ai iu përgjigj: “Po a nuk të kam thënë se do të bëj gjithçka të më urdhërojë Zoti”?

27Balaku prapë i tha: “Eja e po të çoj në një vend tjetër, se ndoshta prej andej i pëlqen Hyjit të ma mallkosh”.

28Pasi e çoi në majë të malit Fegor, nga me sy merret shkretëtira,

29i tha Balaami: “M’i ndërto këtu shtatë lterë e bëji gati po aq mëzetër e desh”.

30Balaku bëri siç i tha Balaami dhe i vuri mbi çdo lter nga një mëzat e dash.