Të gjithë kapitujt

Numrat · Kapitulli 32

Ndarja e Transjordanisë

42 vargje

Ndarja e Transjordanisë

1Bijtë e Rubenit e bijtë e Gadit kishin bagëti shumë, një numër jashtëzako‑ nisht të madh gjë të gjallë. Kur panë se Jazeri e Galaadi ishin vende të përshtatshme për blegtori,

2erdhën te Moisiu, e te Eleazari prift dhe te prijësit e bashkësisë e thanë:

3”Ataroti e Diboni, Jazeri e Nemra, Heseboni e Elealeja, Sabani e Neboja e Beoni,

4vendet që Zoti i goditi para syve të bashkësisë së izraelitëve, është trevë posaçërisht e pasur për blegëtori dhe ne, shërbëtorët e tu, kemi bagëti shumë”.

5Dhe shtuan: “Nëse kemi gjetur hir para syve të tu, le t’u jepet shërbëtorëve të tu kjo tokë për pronë dhe mos na bëj të kalojmë përtej Jordanit”.

6Moisiu u përgjigj: “Si? Vëllezërit tuaj do të shkojnë në luftë e ju do të rrini këtu?

7Pse doni t’ua mbushni mendjen bijve të Izraelit të mos kenë guxim të kalojnë në tokën që Zoti e ka në mend t’ua japë?

8Po a nuk vepruan kështu edhe etërit tuaj, kur u nisa prej Kadesbarnes për të bërë vrojtimin mbi vendin?

9Ata kur arritën në Neheleskol e pasi e shqyrtuan vendin, ua prishën zemrën bijve të Izraelit që të mos hynë në tokën që Zoti ua kishte dhënë.

10E Zoti i hidhëruar tha:

11’Këta njerëz që dolën prej Egjiptit njëzet vjeç e përpjetë nuk do ta shohin tokën që me përbetim ua kam premtuar Abrahamit, Izakut e Jakobit, sepse nuk deshën të më ndjekin mua,

12përveç Kalebit, birit të Jefoneut, Cenezeut, e Jozuehit, birit të Nunit: vetëm këta e ndoqën Hyjin’.

13Zoti atëherë, i hidhëruar kundër Izraelit, e solli andej‑këndej nëpër shkretëtirë për dyzet vjet, deri të mbaronte mbarë ajo brezni që mëkatoi para syve të tij.

14Dhe, ja ‑ shtoi ‑ ju u ngritët në vend të etërve tuaj ‑ pjellë njerëzish mëkatarë, që ta shtoni zemërimin e hidhërimit të Zotit kundër Izraelit.

15Nëse nuk do të doni ta ndiqni atë, do ta bëjë përsëri këtë popull të endet nëpër shkretëtirë dhe ju do të bëheni shkaku i sharrimit të të gjithëve”.

16Atëherë ata iu afruan edhe më fort e thanë: “Ne këtu do të punojmë vathë për bagëtitë tona dhe qytete për fëmijët tanë;

17kurse ne, të armatosur e të ngjeshur, do të shkojmë në luftë para bijve të Izraelit derisa t’i shtiem ata në vendet e tyre. Kurse fëmijët tanë le të qëndrojnë në qytete të rrethuara me mur për shkak të pritave të banorëve.

18Ne nuk do të kthehemi në shtëpitë tona, derisa ta kenë marrë për pronë bijtë e Izraelit trashëgimin e vet.

19Ne nuk do të kërkojmë pjesë përtej Jordanit e mëtej, sepse ne e kemi tashmë trashëgimin tonë në trevën e tij të lindjes”.

20Moisiu u tha: “Nëse do të bëni, siç po premtoni, nëse do të shkoni në luftë para Zotit,

21nëse çdo luftëtar i armatosur do ta kalojë Jordanin, derisa Zoti t’i dëbojë armiqtë e vet para vetes

22e, pasi të jetë nënshtruar tërë ky vend, do të ktheheni, atëherë do të jeni të pafajshëm para Zotit e para Izraelit dhe do ta fitoni për trashëgim para Zotit.

23Por, nëse nuk do të bëni, si thoni, s’ka farë dyshimi se mëkatoni kundër Zotit dhe mbajeni mend mirë se mëkati juaj ju do t’ju ndrydhë.

24Ndërtoni, pra, qytetet për fëmijët tuaj dhe vathat për bagëtitë tuaja, dhe mbajeni fjalën që e dhatë”.

25Atëherë bijtë e Gadit e të Rubenit i thanë Moisiut: “Jemi shërbëtorët e tu, do të bëjmë gjithë sa urdhëron zotëria ynë:

26fëmijët tanë, gratë, bagëtitë e gjëja jonë do të rrinë këtu në qytetet e Galaadit,

27kurse ne, shërbëtorët e tu, të gjithë kush janë të armëve do të shkojnë para Zotit në luftë, po ashtu, siç po thua ti, Imzot”.

28Prandaj, Moisiu i urdhëroi Eleazarit prift, Jozuehit, birit të Nunit, dhe të gjithë krerëve të vëllazërive të fiseve të Izraelit dhe tha:

29”Nëse do të kalojnë bijtë e Gadit e të Rubenit përtej Jordanit bashkë me ju të gjithë të armatosur për luftë në praninë e Zotit dhe vendi do të jetë pushtuar prej jush, jepuni atyre për pronë Galaadin.

30Por, nëse nuk do të duan të kalojnë të armatosur me ju në dheun Kanaan, le ta kenë pronën e tyre ndër ju”.

31Bijtë e Gadit e bijtë e Rubenit përgjigjën: “Sikurse Zoti u ka thënë shërbëtorëve të tu, po ashtu do të bëjmë.

32Të armatosur do të dalim para Zotit në dheun e Kanaanit; kurse prona jonë do të jetë në këtë anë të Jordanit”.

33Dhe kështu Moisiu u dha bijve të Gadit e të bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manaseut, birit të Jozefit, mbretërinë e Sehonit, mbretit të amorrenjve dhe mbretërinë e Ogut mbretit të Basanit, tokën me qytetet e tyre e me kufijtë e saj, qytetet e vendit përreth.

34Kështu bijtë e Gadit i ndërtuan qytetet: Dibon, Atarot, Aroer,

35Atrotsofan, Jazer, Jegbaa,

36Betnemra e Betaran, qytete të fortifikuara. Ndërtuan edhe vathë për bagëtitë e tyre.

37Kurse bijtë e Rubenit ndërtuan: Hesebonin, Elealenë, Kariataimin,

38Nabon e Baalmeonin ‑ emrat janë të shndërruar ‑ edhe Sabamën. Ata ua ngjitën emrat e vet qyteteve që ndërtuan.

39Kurse bijtë e Mahirit, birit të Manaseut, shkuan në Galaad, e pushtuan atë pasi i dëbuan amorrenjtë, banorët e tij.

40Kështu Moisiu tokën e Galaadit ia dha për pronë Mahirit të Manaseut dhe ai nguli të banojë në të.

41Jairi, biri i Manaseut, shkoi e i pushtoi fshatrat e tij e u ngjiti emrin Havot Jair /d. m. th. Qytetet Jair/.

42Shkoi edhe Nobeu dhe e pushtoi Kanatin me fshatrat e tij dhe u ngjiti emrin e vet: Nobe.