Të gjithë kapitujt

Numrat · Kapitulli 6

Nazireati, Trajtëza e bekimit

27 vargje

Nazireati

1Zoti foli me Moisiun e tha:

2“Fol me bijtë e Izraelit dhe thuaju: Burr ose grua kur të ketë bërë kushtin e nazireatit e të duan t’i kushtohen Zotit,

3le të përmbahen prej verës e prej çdo pijeje dehëse; të mos e pinë as uthullën që bëhet nga vera ose çdo lloj lëngu që nxirret nga rrushi; të mos e hanë as rrushin e fresktë as të thatë

4gjatë gjithë kohës në të cilën iu kushtuan Zotit; të mos hanë asgjë që nxirret nga vreshti prej rrushit të papjekur deri te bërsitë.

5Gjatë tërë kohës së veçimit të vet të mos kalojë brisk rroje mbi kokën e tyre deri ditën që të përmbushet dita e shugurimit të vet: le të jetë i shuguruar e le t’i rriten flokët e kokës së tij.

6Gjatë tërë kohës së shugurimit të tij të mos i afrohet të vdekurit;

7dhe të mos ndotet as prej të atit, as nënës, as prej vëllait as prej motrës, sepse shugurimi i Hyjit është mbi kokën e tij.

8Gjatë krejt kohës së nazireatit të vet le të jetë i shuguruari i Zotit.

9Por nëse ndodh që dikush të vdesë papritmas përbri tij, do të ndotet koka e shugurimit të tij, ditën e pastrimit të tij le ta rruajë kokën ‑ d. m. th. të shtatën ditë.

10Të tetën ditë le të kushtojë dy turtuj ose dy zogj pëllumbash e t’ia sjellë priftit në hyrje të Tendës së takimit.

11Prifti le ta flijojë njërin si fli për mëkat e tjetrin si fli shkrumbimi dhe le ta kryejë mbi të ritin e zgjidhjes, sepse mëkatoi duke u ndotur me të vdekurin. Këtë ditë le ta shugurojë kokën e tij

12dhe le t’i shugurojë ditët e veçimit në nder të Zotit duke sjellë një qengj mashkull vjetak si fli për mëkat. Porse ditët e mëparshme të nazireatit të mos numërohen, sepse shugurimi i tij qe bërë i papastër.

13Dhe ja riti për nazireatin: kur të plotësohen ditët e caktuara me kusht, le të sillet ai te hyrja në Tendën e takimit,

14dhe le ta sjellë flinë e vet në nder të Zotit një qengj mashkull vjetak e të patëmetë si fli shkrumbimi dhe një qengje vjetake të patëmetë si fli për mëkat si dhe një dash të patëmetë si fli pajtimi,

15po ashtu një shportë me bukë të pabrume që të jenë të ngjeshura në vaj si dhe petë të lyera në vaj të pabrume si dhe për të gjitha pjesën e flisë së lartësimit dhe të njomjes.

16Këto le t’i kushtojë prifti para Zotit si flinë e tij për mëkat e të shkrumbimit.

17Dashin le ta flijojnë si fli pajtimi duke ia kushtuar Zotit bashkë me shportën e bukëve të pabrume; le ta bëjë edhe kushtimin e flisë bimore dhe njomjen e tyre.

18Atëherë Nazareu le ta rruajë në hyrje të Banesës kokën e vet të shuguruar, le t’i marrë flokët e vet e le t’i vërë mbi zjarr që është para flisë së pajtimit.

19Prifti le ta marrë shpatullën e pjekur të dashit, një pagaçë të tërë dhe një petull të pabrume nga shporta e le t’i vërë në duar të Nazareut, pasi ta ketë rruar kokën e vet,

20dhe le ta kryejë ritin e lartësimit në praninë e Zotit dhe të kushtuarat i përkasin priftit, sikurse edhe gjoksi që duhet kushtuar me ritin e lartësimit dhe sikurse u urdhërua që kosha të merret si ndihmesë. Pas kësaj Nazareu mund të pijë verë”.

21Ky është riti lidhur me Nazareun që bën kusht. Kjo është dhurata që e ka për detyrë t’ia paraqesë Zotit për kushtin e vet të nazireatit, përveç atyre që mund të kushtojë sikurse ai vetë të ketë dëshiruar të kushtojë më tepër. Ai le të veprojë sipas kushtit që të ketë bërë në përkim me ligjin e nazireatit.

Trajtëza e bekimit

22Zoti foli me Moisiun e tha:

23“Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thoni:

24Zoti të të bekoftë e të të ruajtë!

25Të të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty!

26E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë paqen!

27Kështu ata le ta thërrasin emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj”.