Të gjithë kapitujt

Predikuesi · Kapitulli 6

“I gjithë mundi i njeriut është për të ngrënë

12 vargje

“I gjithë mundi i njeriut është për të ngrënë

1Por është edhe një e keqe tjetër që unë e pashë nën diell, e madje kjo edhe shumë i rëndon njerëzit:

2është ai tip njeriu, të cilit Hyji i dha kamje e pasuri e ndersa që asgjë nuk i mungon prej të gjitha që mund t’i dëshirojë zemra, por Hyji nuk ia jep mundësinë që të hajë prej saj e do t’i përlugtojë të gjitha këto të mira një njeri i huaj: kjo është një kotësi dhe një mjerim i keq!

3Pastaj: nëse dikush i ka njëqind fëmijë, nëse edhe jeton shumë vjet e nëse ditët e jetës së tij janë të shumta, por nëse nuk i gëzon të mirat e veta aq sa s’ka as varr për t’u kondisur, për të tillin unë pohoj: dështaku është më i mirë se ai!

4Sepse kot lindi e shkoi në errësirë dhe edhe errësira do ta mbulojë emrin e tij.

5Nuk e pa diellin, s’pa asgjë, e prapë më i madh është pushimi i këtij se i atij!

6Po edhe sikur ai të jetonte edhe dy mijë vjet, por në mos i gëzoftë të mirat e veta, a thua s’do të shkojnë të gjithë në të njëjtin vend!

7“I gjithë mundi i njeriut është për të ngrënë e prapë shpirti i tij nuk ngihet.”

8Çka ka më shumë i urti se i marri? Çka ka skamnori që di të sillet mirë ndaj të gjallëve?

9”Më mirë është të shikohet me sy se sa të endet me dëshira”. Por edhe kjo është kotësi dhe mund i kotë.

10Gjithçka është e ka emrin e vet prej kohësh. Dihet edhe se kush është njeriu dhe se s’është i zoti të paditet me atë që është më i fortë se ai.

11Ku ka fjalë shumë, shumohet edhe kotësia. E ç’dobi ka atëherë njeriu?

12Kush e di çka është e mirë për njeriun në jetën e tij, në ditët e pakta të jetës së kotë të tij që i kalojnë porsi hija? Kush mund t’i tregojë njeriut çka do të jetë pas tij nën diell?