Të gjithë kapitujt

Psalmet · Kapitulli 118

Liturgjia për të kremten e Tanave

29 vargje

Liturgjia për të kremten e Tanave

1ALELUJA! Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij!

2Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, e amshuar është dashuria e tij!

3Le të thotë tani shtëpia e Aronit, e amshuar është dashuria e tij!

4Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, e amshuar është dashuria e tij!

5Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

6Zoti është me mua, s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

7Me mua është Zoti, ndihmëtari im, për asgjë i bëj armiqtë e mi.

8Më mirë është të strehohesh te Zoti se të kesh besim në njerëz.

9Më mirë është të strehohesh te Zoti, se të kesh besim në princa.

10Më rrethuan të gjithë paganët, i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

11Rreth e përqark më rrethuan, por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

12Më rrethuan porsi bletët, porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

13Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, por më ndihmoi ndihma e Zotit.

14Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, ai është shpëtimtari im.

15Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi në tendat e të drejtëve:

16“E djathta e Zotit u madhërua! E djathta e Zotit më lartësoi! E djathta e Zotit u madhërua”!

17S’do të vdes, të jetoj dua, do t’i kumtoj veprat e Zotit!

18Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

19Mi hapni dyert e drejtësisë, dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

20Ja, këtu është dera e Zotit; nëpër të do të hyjnë të drejtët.

21Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, dhe u bëre Shpëtimtari im.

22Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit;

23Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë!

24Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të galdojmë e të gëzojmë në të!

25Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, deh, o Zot, jepe të mbarën!

26Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27Hyji është Zot, ai na ndriçoi: rendituni të gëzuar në reshtin kremtor me rrema në dorë deri në ballë të lterit!

28Ti je Hyji im, ty të falënderoj, Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

29Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij!