Të gjithë kapitujt

Romakëve · Kapitulli 4

Shembulli i Abrahamit, Premtimet realizohen me anë të fesë

25 vargje

Shembulli i Abrahamit

1Çka të themi se fitoi, pra, Abrahami, themeluesi i fisit tonë?

2Nëse Abrahami u bë i drejtë në saje të veprave, atëherë ka për çka të mburret - por jo para Hyjit.

3Në të vërtetë, çka thotë Shkrimi shenjt? ‘Abrahami i besoi Hyjit dhe kjo iu njeh për drejtësi.’

4Punëtorit nuk i llogaritet rroga si lëmoshë, por si detyrë.

5Përkundrazi, atij që nuk i bën veprat, por beson në Atë që shfajëson të shtrembërin, feja e tij i njehet drejtësi,

6sikurse edhe Davidi e shpall të lumtur atë njeri të cilin Hyji e bën të drejtë pavarësisht nga veprat:

7‘Të lumët ata të cilëve u janë falur fajet, të cilëve u janë mbuluar mëkatet!

8Lum ai njeri, të cilit Hyji nuk do t’ia numërojë mëkatin!’

9Kjo lumturi, tashti, a u përket vetëm të rrethprerëve apo edhe të parrethprerëve? Themi, pra: ‘Feja Abrahamit iu çmua drejtësi.’

10E si iu çmua? Kur ishte i rrethprerë apo kur ende nuk ishte i rrethprerë? Jo, kur ishte i rrethprerë, por kur ende ishte i parrethprerë!

11Shenjën e rrethprerjes e mori porsi vulën e drejtësisë, të cilën e fitoi me anë të fesë, ende para se të ishte i rrethprerë, që të bëhej ati i të gjithë besimtarëve: i të parrethprerëve - që edhe feja e tyre t’u çmohej drejtësi -

12dhe ati i të rrethprerëve, por jo vetëm i atyre që janë të rrethprerë vetëm simbas Ligjit, por i atyre që, bashkë me këtë edhe jetojnë simbas fesë së Abrahamit, atit tonë, kur ende ishte i parrethprerë.

Premtimet realizohen me anë të fesë

13Në të vërtetë, premtimi se Abrahami dhe pasardhësit e tij do ta trashëgojnë botën nuk iu bë me anë të ndonjë Ligji, por me anë të fesë.

14Dhe njëmend, nëse trashëgimtarë bëhen simbas Ligjit, atëherë feja është e kotë dhe premtimi është i pa farë vlere.

15Sepse, Ligji sjell zemërimin; e ku nuk ka Ligj, nuk ka as kundërvajtje.

16Prandaj, trashëgimtarë bëhemi me anë të fesë që, në saje të hirit të jetë premtimi i vlershëm për të gjithë trashëgimtarët, e jo vetëm për ata nga Ligji, por edhe për ata që janë trashëgimtarë në saje të fesë së Abrahamit [i cili është ati ynë, i të gjithëve,

17sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Po të bëj atin e shumë popujve’] - para Atij të cilit i besoi, para Hyjit që ngjall të vdekurit dhe grish në jetë atë që nuk është.

18Duke shpresuar kundër çdo shprese, ai besoi që të bëhet kështu ‘ati i shumë popujve’ simbas fjalës: ‘E tillë do të jetë pasardhësia jote!’

19Dhe me fe të palëkundshme - edhe pse afërsisht njëqindvjeçar - nuk dyshoi në trupin e vet pothuajse të vdekur dhe në kraharorin e Sarës edhe ai pothuajse i vdekur.

20Nuk dyshoi në premtimin e Hyjit, por u forcua me anë të fesë dhe i dha lavdi Hyjit

21plotësisht i bindur se çka i premtoi Hyji, ai edhe do ta çojë në vend.

22Ja, pra, përse kjo gjë iu numërua për drejtësi.

23Por nuk ishte shkruar vetëm për të: ‘iu numërua…’,

24por se do të na numërohet edhe neve, të cilët besojmë në Atë që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin, Zotin tonë,

25i cili u flijua për faje tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë.