Të gjithë kapitujt

Romakëve · Kapitulli 6

Të vdesim për kah mëkati që të jetojmë me Krishtin, T’i shërbejmë drejtësisë

23 vargje

Të vdesim për kah mëkati që të jetojmë me Krishtin

1Çka, pra, të themi? Të jetojmë në mëkat, që të shumëzohet hiri?

2Prite Zot! Pasi vdiqëm për kah mëkati, si atëherë të jetojmë në të?

3Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij?

4Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

5Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij.

6Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit,

7sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.

8E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të,

9mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të.

10Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin.

11Po kështu edhe ju: mbane veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

12Pra, mëkati të mos mbretërojë më në trupin tuaj të vdekshëm që t’ju bindeni prirjeve të tija.

13As mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si vegla padrejtësie, por vini veten në shërbim të Hyjit porsi të gjallë, të kthyer nga të vdekurit dhe gjymtyrët tuaja bëni vegla drejtësie për Hyjin,

14sepse mëkati s’do të zotërojë më me ju, pasi nuk jeni nën Ligj, por nën ndikimin e hirit.

T’i shërbejmë drejtësisë

15Çka atëherë? Të mëkatojmë pasi nuk jemi nën Ligj, por nën hir? Prite Zot!

16Pse, a nuk e dini: në qoftë se e vini veten në shërbim të dikujt për ta dëgjuar si skllevër, se jeni skllevër të atij që e dëgjoni: qoftë mëkatit - për vdekje; qoftë dëgjesës - për drejtësi?

17Por, faleminderës Hyjit: ju, që më parë qetë robër të mëkatit, tani iu bindët me gjithë zemër rregullës së mësimit që ju qe dhënë.

18Pra, të liruar nga mëkati, u bëtë tani shërbëtorët e drejtësisë.

19Po flas në mënyrë njerëzore për arsye të natyrës suaj të ligshtë njerëzore: sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të fëlligështisë e të shrregullimit, që ju çonte në kryengritje kundër Hyjit - ashtu tani vini në shërbim të drejtësisë që të shenjtëroheni.

20Në të vërtetë, kur ishit robër të mëkatit, ishit të »lirë« nga drejtësia.

21E ç’të mirë kishit atëherë? Tani turpëroheni për atë gjendje, sepse fundi i saj është - vdekja.

22Tani, pasi jeni të liruar nga mëkati e u bëtë shërbëtorët e Hyjit, jepni fryte që ju çojnë në shenjtërim, e si rrjedhim është - jeta e pasosur.

23Pra, paga e mëkatit është vdekja, ndërsa jeta e pasosur është dhuratë e Hyjit, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.