Të gjithë kapitujt

Tobiti · Kapitulli 4

IV. TOBIA

21 vargje

IV. TOBIA

1Po atë ditë Tobitit i ranë ndër mend paratë që i kishte lënë t’ia ruante Gabaeli në Rages të Medisë.

2Mendoi me vete: »Unë u luta të më marrë mordja. Përse të mos e thërras tim bir Tobinë e të mos i tregoj për këto para që i lashë të m’i ruajnë, para se të më vijë vdekja?«

3E thirri të birin Tobinë. Ai erdhi e ky i tha: »Biri im, kur unë të vdes, më varros si ka hije. Nderoje nënën tënde dhe mos e lër asnjë ditë sa të jetë gjallë. Bëj si t’i pëlqejë asaj dhe me asgjë mos ia prish zemrën.

4Mos e harro kurrë, biri im, se ajo ka pësuar shumë rreziqe për shkak tënd, kur ti ishe në kraharorin e saj. Kur të vdesë, varrose përbri meje në të njëjtin varr.

5Çdo ditë, biri im, kije Hyjin në mendje. Mos dëshiro kurrë të mëkatosh e t’u shmangësh urdhërimeve të tija. Bëj vepra të mira çdo ditë të jetës sate dhe ruaju e mos shko udhëve të padrejtësisë,

6sepse, po bëre të vërtetën, do të shkojë mbarë gjithçka që të veprosh sikurse atyre që vënë në veprim drejtësinë.

7Biro, prej pasurisë që do ta kesh, bëj lëmoshë dhe mos e mënjano faqen tënde nga asnjë skamnor që as Hyji të mos e mënjanojë faqen e vet prej teje.

8Bëj lëmoshë sipas pasurisë që do ta kesh, o bir: nëse ke shumë, jep shumë, nëse ke pak, mos u mat, por jep edhe nga ajo pakicë:

9kështu e bën gati një shpërblim të madh për ditën e ngushticës,

10sepse lëmosha çliron nga vdekja e nuk lë të shkojmë në errësirë.

11Lëmosha është dhuratë e vyeshme për të gjithë ata që e bëjnë në praninë e Tejetlartit.

12Ruaju, biri im, nga çdo fëlliqësirë. Para së gjithash, gruan merre nga fisi i të parëve të tu dhe ruaju e mos e merr nga kombet e tjera e që nuk është nga fisi i të parëve të tu, sepse ne jemi bij profetësh: të parët tanë janë përgjithmonë Noehi, Abrahami, Izaku e Jakobi! Biro, mos harro se të gjithë këta i morën gratë nga rodi i të parëve të vet dhe qenë betuar në fëmijët e vet: se fara e tyre do ta ketë për trashëgim dheun!

13Duaj, biro, vëllezërit e tu dhe mos të të rritet mendja e t’i nënçmosh bijtë e bijat e popullit tënd, për të mos e marrë gruan prej tyre. Mendja e madhe sjell rrënim dhe pakënaqësi të madhe. Përtacia sjell dëm e mjerim, sepse përtacia është nëna e urisë.

14Paga e çdo njeriu që të ketë punuar te ti, të mos rrijë assesi te ti, por jepja menjëherë dhe ruaju se ia zvogëlon! Nëse ti i shërben Hyjit, do ta marrësh shpërblimin. Ji i kujdesshëm, biro, në të gjitha veprat e tua dhe i mençur në të gjitha fjalët e tua

15dhe mos i bëj askujt çka s’dëshiron të të bëhet ty. Mos pi verë e mos u deh dhe pija të mos e shoqërojë jetën tënde!

16Ndaje bukën tënde me të uriturit dhe veshjen tënde me të zhveshurit. Gjithçka e ke tepër, jepe lëmoshë dhe, kur të bësh lëmoshë, në sytë e tu të mos ketë keqardhje.

17Ndaje bukën tënde dhe zbraze verën tënde mbi varret e të drejtëve, por jo të mëkatarëve.

18Kërkoji këshillat e të drejtëve e mos i përbuz këshillat e dobishme.

19Në çdo kohë bekoje Zotin dhe kërko prej tij t’i drejtojë udhët e tua e të gjitha shtigjet e tua që të shkojnë për së mbari synimet e tua, sepse urtia nuk u është dhënë të gjitha kombeve, por çdo e mirë vjen prej Zotit: sepse atë që e do ai e ngrit, dhe atë që ai e do e plandos në fundin e banesës së të vdekurve. Tash, o bir, mbaji mend urdhrat e mi dhe mos i shlyej nga zemra jote.

20E tani, o bir, po të njoftoj se unë i kam lënë për ruajtje dhjetë talenta argjendi te Gabaeli, biri i Gabrisë, në Rages të Medisë.

21Mos ki frikë, biri im, pse jemi bërë skamnorë. Ke pasuri të madhe nëse e ke frikë Hyjin, nëse i ruhesh çdo mëkati dhe nëse bën atë që është e mirë para syve të Zotit, Hyjit tënd.«