Të gjithë kapitujt

Veprat e Apostujve · Kapitulli 19

Pali në Efes, Bijtë e Shevës, etj.

40 vargje

Pali në Efes

1Ndërkohë që Apoloni ishte në Korint, Pali, pasi i përshkoi krahinat e epërme, erdhi në Efes. Aty gjeti disa nxënës

2dhe u tha: “Kur e pranuat fenë, a e morët Shpirtin Shenjt?” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se ka Shpirt Shenjt.”

3“Cilin pagëzim atëherë ‑ vazhdoi Pali ‑ keni marrë?” Ata u përgjigjën: “Pagëzimin e Gjonit.”

4Pali u tha: “Gjoni ka pagëzuar me pagëzimin e kthimit, duke i predikuar popullit që të besojnë në Atë që do të vijë pas tij, d. m. th. në Jezusin.”

5Kur dëgjuan, u pagëzuan në Emër të Jezusit Zot

6e, kur Pali i vuri duart mbi ta, në ta zbriti Shpirti Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme e të profetizojnë.

7Të gjithë së bashku ishin dymbëdhjetë burra.

8Pali atëherë hyri në sinagogë dhe për tre muaj foli plot guxim: diskutonte e mundohej t’ua mbushë mendjen ta pranojnë Mbretërinë e Hyjit.

9Por, pasi disa kokëfortë që s’donin të binden, filluan edhe të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para bashkësisë, Pali këputi marrëdhëniet me ta, i ndau nxënësit e filloi të mësojë përditë në shkollën e Tiranit.

10Vazhdoi kështu për dy vjet. Kështu të gjithë banorët e krahinës së Azisë ‑ hebrenj e grekë ‑ e dëgjuan fjalën e Zotit.

Bijtë e Shevës

11Hyji, përmes duarve të Palit, bënte mrekulli të jashtëzakonshme,

12aq sa vinin shamia e petka prej trupit të Palit përmbi të sëmurë dhe prej tyre zhdukeshin sëmundjet e dilnin shpirtrat e ndytë.

13Po edhe disa çifutë, që endeshin andej këndej dhe përbenin shpirtrat e ndytë të dilnin, sprovuan ta thërrasin Emrin e Jezusit Zot, përmbi ata që kishin në trup shpirtrat e ndytë. Thoshin. “Po ju përbej në Jezusin, të cilin e predikon Pali.”

14Këtë e bënin shtatë bijtë e një farë Sheve, kryepriftit çifut.

15Por shpirti i keq ua ktheu: “Jezusin e njoh dhe Palin e di, por ju kush jeni?”

16Dhe njeriu, në trupin e të cilit ishte djalli, u lëshua në ta, i mundi të gjithë dhe, të zhveshur e të plagosur, ikën prej asaj shtëpie.

17Dëgjuan për këtë ngjarje banorët e Efesit ‑ çifutë e grekë ‑ dhe të gjithë i kapi tmerr i madh dhe madhërohej Emri i Zotërisë Jezus.

18Shumë nga ata që besuan, vinin e rrëfenin ballafaqe dhe i tregonin veprimet e veta të shortisë.

19Shumë prej atyre që kishin ushtruar mjeshtrinë e magjisë, i sillnin librat dhe i digjnin para të gjithëve. Kur e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë drahma argjendi.

20Kështu, me fuqinë e Zotit, fjala shtrihej vazhdimisht e fitonte në fuqi.

Rrëmujë në Efes

21Pas këtyre ngjarjeve, Pali vendosi të shkojë nëpër Maqedoni e Akajë për Jerusalem. Tha: “Pasi të gjendem atje, do të shkoj ta shoh edhe Romën.”

22Atëherë dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun e Erastin, kurse ai kaloi edhe disa kohë në Azi.

23Disi në atë kohë ndodhi një rrëmujë jo e vogël kundër Udhës.

24Një argjendar, që quhej Dhimitër, punonte tempuj të vegjël të Artemidës dhe kështu u sillte fitesë jo të vogël mjeshtërve.

25Ky i bashkoi këta dhe të gjithë të tjerët që merreshin me këtë veprimtari dhe u tha: “Burra, ju e dini se fitesa jonë varet nga kjo mjeshtëri,

26e po shihni se ky Pali, jo vetëm në Efes, por pothuajse edhe në mbarë Azinë, ia ka mbushur mendjen dhe e ka larguar një shumicë të madhe populli duke mësuar se nuk ka hyjni të punuara me dorë njeriu.

27Kështu, jo vetëm është në rrezik mjeshtëria jonë, por edhe tempulli i Artemidës, hyjneshës së madhe, s’ka për t’u çmuar më dhe do të mbarojë madhëria e asaj, të cilën e nderon krejt Azia dhe bota mbarë.”

28Kur e dëgjuan, u hidhëruan dhe zunë të bërtasin: “E madhe është Artemida e Efesit!”

29Pështjellimi zotëroi mbarë qytetin. Të gjithë së bashku u lëshuan në teatër duke i hequr zvarrë maqedonët, Gajin e Aristarkun, bashkudhëtarët e Palit.

30Pali vetë deshi të parqitej para popullit, por nuk ia lejuan nxënësit.

31Madje edhe disa aziarkë, miq të tij, çuan njerëz tek ai e iu lutën që të mos duket në teatër.

32Ndërkaq, disa bërtitnin një gjë, disa një tjetër: të bashkuarit ishin pështjelluar plotësisht, aq sa shumë prej tyre, as pse kishin shkuar atje s’dinin më.

33Disa prej popullit ia mbushën mendjen të flasë një farë Aleksandri. Këtë hebrenjtë e nxitnin të dalë para mbledhjes. Aleksandri dha shenjë me dorë e deshi të mbrohej para popullit.

34Kur e morën vesh se ishte hebre, të gjithë njëzëri nisën të bërtasin pa pushuar për dy orë: “E madhe është Artemida e Efesit!”

35Atëherë sekretari ia doli ta qetësojë dhe tha: “Burra të Efesit! Cili njeri nuk e di se qyteti i Efesit është rojtari i tempullit të Artemidës së Madhe dhe i trupores së saj që ra nga qielli?

36Pra, pasi kjo gjë s’mund të mohohet, duhet të qetësoheni, në mënyrë që të mos bëni ndonjë vepër për ngut.

37I sollët këta njerëz, që s’janë as vjedhës të gjërave të shenjta e as që e kanë blasfemuar hyjneshën tonë.

38Po qe se Dhimitri e mjeshtrat e tjerë të tij kanë ndonjë ankesë kundër ndokujt, gjyqet punojnë, e këtu janë edhe prokonsujt: le të paditen!

39Nëse kërkoni ndonjë gjë tjetër, do t’i jepet fund në kuvend të rregullt.

40Sepse kështu e vëmë veten në rrezik që të na çmohet kjo ngjarje e sotme si kryengritje, pasi s’kemi kurrfarë arsyeje, me anë të së cilës të mund ta përligjim këtë pështjellim.” Posa foli kështu, e shpërndau kuvendin.