Të gjithë kapitujt

Zakaria · Kapitulli 7

Pyetje lidhur me agjërim, Kthim në të kaluarën e kombit

14 vargje

Pyetje lidhur me agjërim

1Në vitin e katërt të mbretit Dari, në ditën e katërt të muajit të nëntë që është Kasleu, i qe drejtuar fjala e Zotit Zakarisë.

2Beteli kishte dërguar Sarasarin e Regemmelekun e disa burra që ishin me të për t’iu lutur fytyrës së Zotit e

3për t’i pyetur priftërinjtë e Tempullit të Zotit të Ushtrive e profetët: “A duhet unë të mbaj zi e të agjëroj në muajin e pestë, siç po bëj tash sa vjet?”

Kthim në të kaluarën e kombit

4Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit të Ushtrive:

5“Thuaj mbarë popullit të vendit e priftërinjve: “Kur ju agjëroshit dhe qanit në të pestin e në të shtatin muaj gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve a me të vërtetë agjëronit për dashuri ndaj meje?

6Edhe kur hanit e pinit, a thua s’ hanit e nuk pinit për vetvete?

7Pse a nuk është ky vështrimi i fjalëve që i ka shpallur Zoti me anë të profetëve të mëparshëm , kur ende Jerusalemi banohej e ishte në paqe me qytetet që e rrethojnë, kur ende ishte i banuar Nagebi bashkë me Sefelën?”

8Fjala e Zotit i qe drejtuar Zakarisë:

9”Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Gjykoni gjyq të drejtë e kini dhimbje e dhembshuri njëri për tjetrin.

10Mos e shfrytëzoni vejushën, bonjakun, ardhacakun e skamnorin dhe mos ia mendoni të keqen në zemrën tuaj asnjëri vëllait të vet.

11Por, ata nuk deshën të jenë të kujdesshëm. Si kryengritës e sollën shpinën dhe i rënduan veshët e vet që të mos dëgjojnë.

12Diamant e bënë zemrën e vet të fortë për të mos i dëgjuar Ligjin e urdhrat që ua dërgoi Zoti i Ushtrive me shpirtin e vet nëpër profetët e mëparshëm. Atëherë flakë u ndez zemërimi i Zotit të Ushtrive.

13Atëherë ndodhi kështu: sikurse kur Ai i thërriste e ata nuk e dëgjuan, kështu edhe këta do ta thërrasin e unë nuk do t’i dëgjoj ‑ është fjala e Zotit të Ushtrive.

14Unë i treta ndër të gjitha ato kombe që nuk i njihnin. Toka mbeti shkretë pas tyre sa që askush nuk përshkohej nëpër të as nuk kthehej. Tokën veç ashtu të dëshirueshme e shndërruan në vend të shkretë.”