Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 15

Premtimi dhe besëlidhja

21 vargje

Premtimi dhe besëlidhja

1Pas këtyre ngjarjeve, fjala e Zotit i qe drejtuar Abramit në një vegim. I tha: »Abram, mos ki frikë! Unë jam mbrojtësi yt! Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh!«

2Abrami përgjigji: »O Zot, Hyj, ç’më duhen dhuratat e tua, pasi shkoj i shuar pa pasardhës dhe trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri prej Damaskut.«

3Dhe Abrami vazhdoi: »Qe, po sheh se nuk më dhe pasardhës dhe ja, një rob i shtëpisë do të më trashëgojë.«

4Atëherë Zoti i tha këto fjalë: »Ky nuk do të jetë, trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje.«

5Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: »Shikoje qiellin dhe numëroj yjet, po munde!« Dhe shtoi: »Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu.«

6Abrami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi.

7I tha edhe: »Unë jam Zoti që të nxora nga Uri i Kaldesë për ta dhënë këtë tokë pronë.«

8Abrami i tha: »O Zot, Hyj, nga mund ta di se ajo do të jetë prona ime?«

9Zoti përgjigji: »Ma gjej një mështjerrë tri vjeçe dhe një dash tri vjeç, një turtull dhe një pëllumb.«

10Abrami i mori këto të gjitha dhe i preu për mjedis dhe secilën prej gjysmave e vendoi njërën kundruall tjetrës. Shpendët nuk i preu.

11Shpendët grabitqarë lëshoheshin mbi kufoma, por Abrami i dëbonte.

12Në të perënduar të dielli, Abramin e lodhi gjumi dhe, ja, e kaploi një tmerr i madh dhe e mbështoll një errësirë e dendur.

13I qe thënë: »Dije mirë që tash se pasardhësit e tu do të jetojnë në një vend të huaj dhe atje do t’i bëjnë skllevër dhe do t’i shtypin e mundojnë plot katërqind vjet.

14Përnjëmend, popullin, të cilit do t’i shërbejnë, unë do ta gjykoj dhe, së fundi, ata do të dalin me pasuri të madhe.

15Ti do të shkosh tek etërit e tu në paqe, i varrosur në pleqëri të thellë.

16Në të katërtin brez, pasardhësit e tu do të kthehen këtu: sepse ende nuk janë mbushur bakeqësitë e amorrenjve.

17Kur perëndoi dielli, u bë një terr i zi, u duk një tangar i ndezur dhe flakadani i përshkoi ato pjesë.

18Atë ditë Zoti lidhi këtë besëlidhje me Abramin: »Këtë tokë do t’ia jap farës sate prej lumit të Egjiptit deri në Lumin e madh - Eufrat:

19cinenjtë e cenezenjtë, cedmonenjtë

20hetenjtë, ferezenjtë dhe rafaimët,

21amorrenjtë, kananenjtë, gergezenjtë e jebusenjtë.«