Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 17

Besëlidhja dhe rrethprerja

27 vargje

Besëlidhja dhe rrethprerja

1Kur Abrami i mbushi nëntëdhjetë e nëntë vjet, iu dëftua Zoti dhe i tha: »Unë jam Hyji i gjithpushtetshëm! Ec para meje dhe ji i përsosur!

2Po bëj besëlidhje ndërmjet meje e teje dhe do të bëj të shtohesh shumë, pa masë shumë!«

3Abrami ra me fytyrë përdhe.

4Dhe Hyji i tha: »Ja, marrëveshja ime me ty: Do të bëhesh trungu i popujve të shumtë.

5Nuk do ta kesh më emrin Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse të bëra babë të shumë kombeve.

6Do të bëj të shtohesh shumë, tesve shumë, prej teje do të bëj të rrjedhin popuj, dhe prej teje do të lindin mbretër.

7Do të bëj besëlidhje me ty ndërmjet meje e teje, dhe pas teje me brezni që do të rrjedhin prej teje. Kjo besëlidhje e përhershme mua do të më bëjë Hyjin tënd dhe Hyjin e pasardhësve të tu pas teje.

8Ty dhe pasardhësve të tu pas teje, do t’ua jap tokën e çojeve të tua, mbarë dheun e Kanaanit, pronë të përhershme. Dhe unë do të jem Hyji i tyre.«

9Hyji i tha përsëri Abrahamit: »Ti duhet ta ruash besëlidhjen time, po ashtu edhe pasardhësit e tu brez pas brezit.

10Ja, besëlidhja ime që duhet ta mbani ndërmjet meje e juve, d.m.th. ndërmjet pasardhësve të tu pas teje: të gjithë meshkujt e tu do të rrethpriten:

11do ta rrethprisni lëkurën e gjymtyrës tuaj, që të jetë shenjë besëlidhjeje ndërmjet meje dhe juve.

12Foshnja tetëditëshe ndër ju le të rrethpritet: çdo mashkull brezni pas breznie si ai që lind në shtëpi si ai që blehet me para prej çdo të huaji, që nuk është i fisit tuaj.

13Le të rrethpritet edhe skllavi i lindur në shtëpi ose i blerë. Besëlidhja ime do të bëhet në mishin tuaj, besëlidhje e përhershme.

14Mashkulli, i cili nuk do të rrethpritet, le të zhbihet prej popullit të vet: ai e thyen besëlidhjen time.«

15Hyji i tha gjithashtu Abrahamit: »Sarajën, gruan tënde, nuk do ta thërrasësh më me emër Sarajë, sepse emri i saj do të jetë Sarë.

16Unë do ta bekoj dhe edhe prej saj do të të fal një djalë. Unë do ta bekoj dhe prej saj do të rrjedhin popuj; prej saj do të lindin mbretërit e popujve.«

17Abrahami ra me fytyrë përdhe e u qesh duke menduar më vete: »Vallë, a këtij qindvjeçari do t’i lindë djalë? Po a thua Sara nëntëdhjetë vjeçe do të lindë?«

18I tha Hyjit: »E paça me jetë Ismaelin!«

19E Hyji i tha: »Sara, gruaja jote, do të lindë djalë dhe ngjitja emrin Izak. Do të lidh besëlidhje me të, një besëlidhje të përhershme, si edhe me farën e tij pas tij.

20Edhe për Ismaelin ta dëgjova uratën: qe, do ta bekoj, do ta bëj të shtohet e të shumohet tesve; prej tij do të lindin dymbëdhjetë prijës dhe prej tij do të rrjedhë një popull i madh.

21Por, besëlidhjen time do ta lidh me Izakun që do ta lindë Sara po në këtë kohë sot një vjet.«

22Kur Hyji e kreu bisedën me Abrahamin, prej Abrahamit u ngrit lart.

23Atëhere Abrahami e mori Ismaelin, djalin e vet, dhe të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij si dhe të gjithë ata që i kishte blerë: të gjithë meshkujt e shtëpisë: po atë ditë të gjithëve ua rrethpreu lëkurën e gjymtyrës së tyre sikurse i kishte urdhëruar Hyji.

24Abrahami kishte nëntëdhjetë e nëntë vjet kur e rrethpreu lëkurën e gjymtyrës së vet.

25Ismaeli ishte trembëdhjetë vjeç kur u rrethpre.

26Të njëjtën ditë u rrethpre Abrahami dhe djali i tij, Ismaeli.

27Po ashtu edhe të gjithë meshkujt e shtëpisë së tij, qoftë të lindur në shtëpi të tij, qoftë të blerë prej të huajve: edhe ata u rrethprenë me të.