Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 38

Historia e Judës dhe e Tamarës

30 vargje

Historia e Judës dhe e Tamarës

1Në atë kohë Juda u nda nga vëllezërit e vet e shkoi te një odo- lamas që quhej Hiram.

2Aty e pa vajzën e një kananeu që thirrej Sue. E mori për grua dhe jetoi me të.

3Ajo ngjizi dhe lindi djalin dhe e quajti Her.

4Sue mbeti përsëri shtatzënë, i lindi djalë dhe e quajti Onan.

5Lindi edhe djalin e tretë. Këtë e quajti Sela. Kjo ndodhej në Kasib, kur i lindi djali.

6Juda e martoi djalin e parë të vetin, Herin, me një grua që quhej Tamarë.

7Por, Heri, i parëlinduri i Judës, qe i keq para syve të Zotit, dhe Zoti e vrau.

8Juda i tha Onanit: »Merre gruan e vëllait tënd dhe bëje shoqe për t’i ngritur trashëgimtar vëllait tënd.«

9Ky, prejse e dinte se fëmija s’do të ishte i tij, kur hynte te gruaja e të vëllait, e derdhte farën për tokë që të mos i lindte të vëllait trashëgimtar.

10Prandaj, edhe këtë e mbyti Zoti, sepse bëri një vepër të poshtër.

11Për këtë arsye Juda i tha resë së vet, Tamarës: »Qëndro si vejushë në shtëpinë e t’yt atë derisa të më rritet im bir Selai.« I kish hyrë frika se mos i vdes edhe ky porsi vëllezërit e tij. Ajo shkoi të jetojë në shtëpinë e t’et.

12Kaloi shumë kohë dhe vdiq bija e Suehit, gruaja e Judës. Ky, kur kaloi koha e zisë, shkoi te qethtarët e deleve të veta bashkë me Hirasin, mikun e vet prej Odolamit, në Tamnë.

13E lajmëruan Tamarën se vjehrri i saj po shkonte në Tamnë për të qethur delet.

14Kjo, si i hoqi petkat e vejnisë, ndërroi petkat, u mbulua me vel, u ul para derës së Enaimit në udhë që shpie në Tamnë. Bëri kështu, sepse Selai ishte rritur e nuk ia kishin dhënë për burrë.

15Kur e pa Juda, mendoi se do të jetë lavire, sepse ajo e kishte mbuluar fytyrën.

16Ai u drejtua kah ajo në udhë e i tha: »Më lejo të të afrohem!« Nuk dinte se ishte e reja. Ajo i përgjigji: »Çka po më jep që të më afrohesh?«

17Ai i tha: »Do ta çoj një edh prej mretit«. Por, ajo i tha përsëri: »Nëse ma jep pengun derisa të ma dërgosh.«

18Juda i tha: »Çka kërkon të jap për peng?« Përgjigji: »Vulën tënde, gjalmën dhe shkopin që ke në dorë.« Ai ia dha. Iu afrua dhe gruaja mbeti shtatzënë.

19U çua dhe shkoi. Hoqi velin dhe u vesh me petkat e vejnisë.

20Juda e dërgoi edhin nëpër mikun e vet prej Odolamit, për të marrë pengun që ia kishte dhënë gruas. Ky, pasi nuk e gjeti atë,

21i pyeti njerëzit e atij vendi: »Ku është lavirja që rrinte në Enaim, në rrugë?« e pasi të gjithë i përgjigjën: »Në këtë vend nuk ka pasur kurrë lavire,«

22ky u kthye te Juda e i tha: »Unë nuk e gjeta. Por, edhe njerëzit e atij vendi më thanë se aty nuk ka ndenjur kurrë lavire.«

23Juda tha: »T’i mbajë se, ndryshe, po bëhemi gazi i dheut! Unë ia dërgova edhin që i premtova, por ti nuk e gjete.«

24Kur ç’po ndodh?… Pas tre muajsh po i lajmërojnë Judës: »Reja jote, Tamara, është dhënë pas fëlligështisë dhe prej fëlligështisë ka mbetur shtatzënë.« Juda tha: »Qiteni përjashta dhe le të digjet!«

25E kishin qitur për ta ndëshkuar. Kjo atëherë dërgoi t’i thonë vjehrrit: »Unë mbeta shtatzënë me atë njeri të cilit i përkasin këto. Njihi e kujt është kjo vulë, ky tej e ky shkop.«

26Ky, si i njohi pengjet, tha: »Është më e drejtë se unë, sepse unë nuk ia dhashë për grua Selait, djalit tim.« Vërtet nuk ra më kurrë me të në shtrat.

27Kur erdhi koha të lindë, u dukën binjakë në kraharorin e saj. Ndërsa po lindte, njëri e qiti dorën dhe mamia ia lidhi një pe të kuq e tha:

28»Ky doli i pari.«

29Por, ky e tërhoqi dorën dhe doli vëllai i tij. Gruaja tha: »Ç’vrimë bëre?« Dhe për këtë arsye iu ngjit emri Fares (d.m.th. Vrima).

30Atëherë doli i vëllai, në dorën e të cilit ishte peri i kuq. Ky u quajt Zara (d.m.th. Lindja e diellit).