Të gjithë kapitujt

1 e Timoteut · Kapitulli 2

Vërejtje rreth lutjes, Vërejtje rreth uratës

15 vargje

Vërejtje rreth lutjes

Vërejtje rreth uratës

1Po të porosis, pra, më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, lutja, falënderim për të gjithë njerëzit,

2për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të kthjellët në përkushtim të plotë dhe në mënyrë të denjë.

3Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë,

4vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës.

5Sepse, Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi mes Hyjit e njerëzve: Njeriu - Jezu Krishti,

6i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit. Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar.

7Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull - ju them të vërtetën, nuk gënjej - mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët.

8Dua, pra, që meshkujt në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.

9Gjithashtu dua që (edhe) gratë, të veshura si ka hije, të stolisen me turpshmëri dhe me urti, jo me gërsheta, me ar, me perla dhe me petka luksi,

10por, me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen përshpirtërisë.

11Në kohën e mësimit gruaja le të dëgjojë në heshtje dhe me nënshtrim të plotë.

12Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë, as të sundojë burrin, por - të rrijë në qetësi.

13Sepse i pari u krijua Adami, atëherë Eva.

14Dhe nuk qe gënjyer Adami, por, gruaja e gënjyer, e theu urdhrin.

15Dhe do të shëlbohet duke lindur fëmijë në qoftë se qëndron me urti në fe, në dashuri dhe në shenjtëri.