Të gjithë kapitujt

1 i Kronikave · Kapitulli 21

3. Përgatitjet për ndërtimin e Tempullit, Regjistrimi, etj.

30 vargje

3. Përgatitjet për ndërtimin e Tempullit

Regjistrimi

1Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin ta numërojë Izraelin.

2Dhe Davidi i tha Joabit e prijësve të Izraelit: »Dilni e regjistrojeni Izraelin prej Bersabesë e deri në Dan dhe ma sillni numrin që ta di.«

3Joabi i përgjigji: »Zoti e shtoftë popullin e vet edhe njëqindfish më shumë se ç’është! Vallë, o Imzot mbret, a nuk janë të gjithë shërbëtorët e tu? Pse po e kërkon këtë gjë Zotnia im që t’i njehet si mëkat Izraelit?«

4Por fjala e mbretit ishte më e fortë se e Joabit. Doli pra, Joabi dhe e qarkulloi mbarë Izraelin dhe u kthye në Jerusalem.

5Joabi ia dha Davidit numrin e regjistrimit dhe doli numri i gjithmbarshëm i Izraelit një milion e njëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës dolën katërqind e shtatëdhjetë mijë vetë të aftë për shpatë.

6Joabit nuk i pëlqeu urdhëri i mbretit këndej edhe nuk e regjistroi fisin e Levit as të Beniaminit.

Murtaja dhe falja e Zotit

7Ky urdhër nuk i pëlqeu Hyjit, prandaj edhe e goditi Izraelin.

8Atëherë Davidi i tha Hyjit: »Mëkatova shumë që e bëra këtë gjë. Të lutem, shlyeja fajin shërbëtorit tënd, sepse veprova tepër marrëzisht.«

9Zoti i tha Gadit, vëguesit të Davidit:

10»Shko, fol me Davidin e thuaj: Kështu thotë Zoti: Tri gjëra i vë para teje: zgjidhe njërën, të cilën të duash. Do të bëj atë që ta zgjedhësh.«

11Gadi erdhi te Davidi e i tha: »Kështu thotë Zoti: Zgjidh çfarë të duash:

12ose tri vjet urie, ose tre muaj të ikësh para armiqve të tu e të mos mundesh t’u ikësh shpatave të tyre, ose tri ditë shpatën e Zotit e murtaja ta përshkojë vendin dhe engjëlli i Zotit të shfarosë brenda mbarë kufijve të Izraelit. Vendos, pra, tani se çfarë duhet t’i përgjigj Atij që më ka dërguar.«

13Davidi i përgjigji Gadit: »Nga çdo anë qenkam ngusht! Por më mirë le të bie në duar të Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, e të mos bie në duar të njerëzve!«

14Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën prej izraelitëve shtatëdhjetë mijë burra.

15Gjithashtu Zoti e dërgoi engjëllin edhe në Jerusalem për ta goditur edhe atë. Kur filloi ta godasë, e pa Zoti, i erdhi dhimbje për këtë të keqe dhe i urdhëroi engjëllit shfarues: »Mjaft! Ndale dorën tënde!« Atëherë engjëlli po qëndronte pranë lëmës së Ornan Jebuseut.

16Davidi i lartësoi sytë dhe e pa engjëllin e Zotit duke qëndruar ndërmjet qiellit e tokës. E kishte nxjerrë shpatën prej millit dhe e kishte drejtuar dorën kundër Jerusalemit. Davidi dhe paria të veshur me grathore ranë me fytyrë përdhe.

17Atëherë Davidi iu lut Hyjit: »Po a nuk jam unë ai që dha urdhër të regjistrohet populli? Unë jam ai që mëkatova, unë e bëra të keqen: po ç’faj ka kjo grigjë? O Zot, Hyji im, le të sillet dora jote, po të lutem, kundër meje e kundër familjes së tim eti, deh të mos goditet populli yt!«

Ngritja e lterit

18Atëherë engjëlli i Zotit i urdhëroi Gadit t’i thotë Davidit të ngritet e ta ndërtojë një lter në nder të Zotit në lëmën e Ornan Jebuseut.

19Kështu, pra, Davidi veproi sipas urdhërit të Gadit që ia tha në emër të Zotit.

20Ornani, kur u soll dhe e pa engjëllin, u fsheh ai dhe katër djemtë e tij sepse: në atë kohë po fshinte grurin në lëmë.

21Kështu, pra, kur Davidi erdhi tek Ornani, po sa e pa Ornani, u nis e i doli përpara prej lëmës dhe u përkul para tij në nderim me fytyrë përdhe.

22Davidi i tha: »Ma jep lëmën tënde që ta ndërtoj në të një lter në nder të Zotit. Ma jep për aq argjend sa vlen e të pushojë shuplaka në popull.«

23Ornani i përgjigji Davidit: »Merre lirisht e Imzot mbreti të bëjë me të çfarë të duajë. Unë i jap edhe kafshët për fli shkrumbimi dhe shqupitë për dru dhe grurin për fli kushtimore: të gjitha këto i jap falas me gjithë ëndje.«

24Davidi mbret i tha Ornanit: »Jo, kështu assesi! Por do t’i paguaj me argjend sa të vlejnë. Sepse nuk dua t’ia kushtoj Zotit gjënë tënde, t’ia kushtoj Zotit fli shkrumbimi gjënë e falur.«

25Davidi i dha Ornanit për atë vend gjashtëqind sikla të artë me peshë të saktë

26dhe e ndërtoi aty lterin në nder të Zotit, i kushtoi flitë e shkrumbimit, të pajtimit dhe e thirri në ndihmë Zotin.

27Atëherë Zoti i urdhëroi engjëllit dhe ky e ktheu shpatën në mill.

28Po në këtë kohë, pasi Davidi pa se Zoti ia kishte dëgjuar uratën në lëmën e Ornan Jebuseut, Davidi zuri të kushtojë aty fli.

29Banesa e Zotit, e ndërtuar prej Moisiut në shkretëtirë, si dhe lteri i flive të shkrumbimit aso kohe ishin në kodrinën në Gabaon;

30por Davidi nuk mundi të shkonte ta këshillojë Zotin atje, sepse e kishte kapluar një frikë e madhe duke e parë shpatën e engjëllit të Zotit.