Të gjithë kapitujt

1 i Mbretërve · Kapitulli 15

Mbretëria e Abiamit në Judë /913-911/, Mbretëria e Asës në Judë /911-870/, etj.

33 vargje

Mbretëria e Abiamit në Judë /913-911/

1Në të tetëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Jeroboamit, të birit të Nabatit, Abiami u bë mbret i Judës.

2Mbretëroi në Jerusalem tre vjet. Emri i nënës së tij ishte Maakë. Ishte e bija e Abesalomit.

3Ai u dha pas të gjitha mëkateve që kishte bërë i ati para tij. Zemra e tij nuk qe e ndershme ndaj Zotit, Hyjit të vet, siç ishte zemra e Davidit, stërgjyshit të tij.

4Por, për dashuri të Davidit, Zoti, Hyji i tij ia dha një dritëz në Jerusalem duke e ngritur birin e tij pas tij për ta mbajtur gjallë Jerusalemin.

5E kjo sepse Davidi kishte bërë ç’është e drejtë para syve të Zotit dhe gjatë krejt jetës së tij nuk iu shmang asnjë urdhri, që Zoti ia kishte dhënë, përveç në çështjen e Uri Heteut.

7Veprat e tjera të Abiamit dhe gjithçka bëri, pse a nuk janë të shkruara në Librin e Analeve të Judës? Ndërmjet Abiamit e Jeroboamit u bë luftë e vazhdueshme.

8Abiami fjeti me të parët e vet. Qe varrosur në Qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi Asa, i biri.

Mbretëria e Asës në Judë /911-870/

9Në të njëzetin vit të mbretërimit të Jeroboamit, mbretit të Izraelit, mbret i Judës u bë Asa.

10Ky mbretëroi në Jerusalem dyzet e një vjet. Emri i nënës së tij ishte Maakë, bija e Abesalomit.

11Asa bëri ç’është e drejtë para syve të Zotit, sikurse Davidi, stërgjyshi i tij.

12Ai i dëboi nga vendi laviret e kushtuara dhe i zhduki të gjithë idhujt që i punuan të parët e tij.

13Për më tepër i hoqi të drejtën e Nënës-Mbretëreshë nënës së vet, Maakës, sepse ajo kishte punuar një idhull të turpshëm të Aserës. Asa e copëtoi të turpshmin idhull dhe e dogji në përruan Cedron.

14Porse lartësirat nuk i zhduku, megjithëse zemra e Asës ishte e përsosur para syve të Zotit gjatë gjithë jetës së tij.

15Ai i solli në Shtëpinë e Zotit të gjitha sendet e kushtuara prej t’et e prej tij: argjend, ar dhe enë.

16Ndërmjet Asës e Baasës, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre pati luftë.

17Baasa, mbreti i Izraelit, e sulmoi Judën dhe zuri ta forcojë Ramën për t’ia penguar lëvizjet Asës, mbretit të Judës.

18Atëherë Asa mori të gjithë argjendin dhe arin që kishte mbetur në vishtarin e Shtëpisë së Zotit dhe në vishtarin e pallatit mbretëror, ua dha shërbëtorëve të vet dhe i çoi te Benadadi, biri i Tabremonit, të birit të Hezionit, mbretit të Sirisë, i cili banonte në Damask. I çoi këtë porosi:

19»Mbetet në fuqi besëlidhja ndërmjet meje e teje sikurse ndërmjet babës tënd e babës tim. Prandaj të dërgova dhuratë argjend e ar. Të lutem prishe besëlidhjen që ke me Baasën, mbretin e Izraelit, që të më hiqet qafe!«

20Benadadi e dëgjoi mbretin Asë. Kundër qyteteve të Izraelit i dërgoi krerët e ushtrisë së vet dhe pushtuan Ahionin, Danin, Abelbetmaakën dhe mbarë Keneretin me tërë tokën e Neftaliut.

21Kur e mori vesh Baasa, e ndërpreu fortifikimin e Ramës dhe u kthye në Tersë.

22Atëherë mbreti Asë, bashkoi mbarë Judenë pa përjashtuar askënd; i mori gurët e lëndën e Ramës që e kishte fortifikuar Baasa. Mbreti Asë me ta fortifikoi Gabanë e Beniaminit dhe Masfën.

23Të gjitha veprat e tjera të Asës, trimëritë e tija dhe gjithçka bëri tjetër, si dhe qytetet që i fortifikoi, pse a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës? Në të vërtetë në pleqërinë e tij vuajti nga një sëmundje këmbësh.

24Pushoi me të parët e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit, babait të tij. Në vend të tij mbretëroi Jozafati, djali i tij.

Mbretëria e Nadabit në Izrael /910-909/

25Nadabi, biri i Jeroboamit, mbretëroi mbi Izrael në vitin e dytë të Asës, mbretit të Judës. Mbretëroi mbi Izrael dy vjet.

26Bëri ç’është e keqe ndër sy të Zotit, eci udhës së babës së vet dhe në mëkatin e tij, me të cilin e bëri të mëkatojë edhe Izraelin.

27Baasa, biri i Ahisë, prej shtëpisë së Isaharit, i vuri pritë dhe e vrau në Gebeton, që është qytet i filistenjve, kur Nadabi e mbarë Izraeli po mbanin në rrethim Gebetonin.

28Baasa e vrau në të tretin vit të mbretërimit të Asës në Judë dhe mbretëroi në vend të tij.

29Pasi e mori mbretërinë në dorë, e vrau mbarë shtëpinë e Jeroboamit. S’la gjallë asnjë frymë të vetme prej farës së tij derisa ia shoi farën sipas fjalës së Zotit që e kishte thënë me anë të shërbëtorit të vet Ahisë nga Siloja

30për shkak të mëkateve të Jeroboamit që i kishte bërë vetë, dhe të mëkateve që e kishte bërë Izraelin t’i bënte, duke shkaktuar kështu felgrimin e Zotit, Hyjit të Izraelit.

31Veprat e tjera të Nadabit dhe të gjitha trimëritë që i ka bërë, a nuk janë këto të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Izraelit?

32Ndërmjet Asës e Baasës, mbretit të Izraelit, u bë luftë gjatë gjithë jetës së tyre.

Mbretërimi i Baasës në Izrael /909-886/

33Të tretin vit të mbretërimit të Asës, mbretit të Judës, në Tersë u bë mbret mbi mbarë Izraelin Baasa, biri i Ahisë e mbretëroi njëzet e katër vjet.

34Ai bëri ç’është e keqe para syve të Zotit dhe eci udhës së Jeroboamit e në mëkatin e tij me të cilin e kishte bërë Izraelin të mëkatonte.