Të gjithë kapitujt

1 i Mbretërve · Kapitulli 3

II. HISTORIA E MADHËRISË SË SALOMONIT, 1. Salomoni i urtë, etj.

28 vargje

II. HISTORIA E MADHËRISË SË SALOMONIT

1. Salomoni i urtë

Hyrje

1Salomoni lidhi krushqi me faraonin, mbretin e Egjiptit. U martua me bijën e faraonit dhe atë e vendosi në Qytetin e Davidit derisa të kryente së ndërtuari shtëpinë e vet, Tempullin e Zotit dhe murin rrethues të Jerusalemit.

2Asokohe populli kushtonte fli ende në lartësira, sepse deri atëherë ende nuk ishte ndërtuar tempulli për nder të emrit të Zotit.

3Salomoni e donte Zotin dhe jetonte sipas porosive që i kishte dhënë i ati, Davidi, me përjashtim se flijonte në lartësira dhe digjte temjan.

Ëndrra në Gabaon

4Shkoi, pra, Salomoni në Gabaon për të flijuar atje. Atje ishte lartësira më me rëndësi. Salomoni aty, mbi atë lter kushtoi një mijë fli shkrumbimi.

5Në Gabaon Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: »Kërko çfarë do që të të jap unë!«

6Salomoni tha: »Ti je sjellë me shërbëtorin tënd Davidin, babën tim, me besnikëri të madhe, sepse ai ka jetuar para syve të tu me besë, me drejtësi e me ndershmëri të zemrës së vet. Ti ia mbajte besën e bëre që mbi fronin e tij të rrijë djali i tij, siç është sot.

7E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar.

8Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit të panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë.

9Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që të dijë të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?«

10Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri

11dhe Hyji i tha Salomonit: »Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi,

12ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.

13Por edhe ato që ti nuk i kërkove, po t’i jap unë, d.m.th. pasuri e lavdi saqë s’ka për të qenë askush i ngjashëm me ty ndër mbretër gjatë gjithë jetës sate.

14E në qoftë se ti do të ecësh udhëve të mia duke mbajtur ligjet e urdhërimet e mia, siç eci yt atë, Davidi, të shumta do t’i bëj edhe ditët e jetës sate.«

15Salomonit i doli gjumi dhe e mori vesh se kishte qenë ëndërr. Kur u kthye në Jerusalem, qëndroi para Arkës së Besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi, kushtoi fli pajtimi dhe u bëri gosti të gjithë shërbëtorëve të vet.

Gjyqi i Salomonit

16Mandej erdhën dy lavire dhe qëndruan para tij.

17Njëra prej tyre tha: »Me leje, imzot! Unë e kjo grua jetonim në të njëjtën shtëpi. Mua më lindi fëmija pranë saj në shtëpi.

18Të tretën ditën, pasi më lindi fëmija, lindi edhe kjo. Ishim së bashku dhe askush tjetër nuk ishte me ne në dhomë, përveç ne të dyjave.

19Një natë kësaj i vdiq fëmija, sepse kishte rënë mbi të ndërsa po flinte.

20Kjo u çua në pellg të natës, pa zhurmë e mori djalin tim nga gjiri im, i shërbëtores sate ndërsa isha fjetur dhe e vuri pranë vetes; kurse djalin e vet që kishte vdekur, e vendosi në gjirin tim.

21Kur u ngrita në mëngjes për t’i dhënë fëmijës gji, pashë se ishte i vdekur. Por kur e shikova me kujdes në dritë të qartë, pashë se s’ishte fëmija që kisha lindur unë.«

22Gruaja tjetër u përgjigj: »S’është e vërtetë! Djali im është gjallë, kurse djali yt ka vdekur!« Kurse ajo tjetra thoshte: »Po gënjen! Djali yt ka vdekur, kurse imi është gjallë!« Dhe kështu grindeshin para mbretit.

23Atëherë mbreti tha: »Kjo po thotë: ‘Djali im është gjallë e djali yt ka vdekur’; kurse kjo tjetra po përgjigjet: ‘Jo! Por djali yt ka vdekur e im bir është gjallë.’«

24Prandaj edhe mbreti tha: »Ma bini shpatën!« Kur e prunë shpatën para mbretit:

25»Ndajeni - tha - foshnjën e gjallë në dy pjesë dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës!«

26Porse gruaja, djali i së cilës ishte gjallë, sepse i theri në zemër për djalin e vet - i tha mbretit: »Po të lutem, zotëri, jepjani asaj foshnjën e gjallë dhe mos e vrisni!« Përkundrazi ajo tjetra thoshte: »As mua as asaj: le të ndahet!«

27Atëherë mbreti u përgjigj e tha: »Jepjani kësaj foshnjën e gjallë e të mos vritet: kjo është nëna e saj!«

28Mbarë Izraeli dëgjoi për pleqërinë që bëri mbreti dhe i dhanë nderim mbretit duke parë se kishte dijen e Hyjit për të ndarë drejtësinë.