Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 23

Davidi në Cejlë, Davidi në Horesë. Jonatani vjen për ta parë, etj.

28 vargje

Davidi në Cejlë

1I lajmëruan Davidit e i thanë: “Ja, filistenjtë e kanë rrethuar Cejlën dhe po i plaçkitin lëmenjtë”.

2Davidi e pyeti Zotin e tha: “A të shkoj e ti godas këta filistenj”? Zoti i tha: “Shko, se do ti mundësh filistenjtë e do ta shpëtosh Cejlën”.

3Njerëzit që ishin me Davidin, i thanë: “Shiko: ne jemi në frikë të vazhdueshme edhe këtu në Judë! Po si do të jetë nëse do të shkojmë në Cejlë kundër çetave të filistenjëve”?

4Davidi përsëri kërkoi këshillë prej Zotit, i cili iu përgjigj: “Ngrihu e shko në Cejlë, sepse unë do ti lëshoj filistenjtë në dorë tënde”.

5Atëherë Davidi u nis me njerëzit e vet e shkoi në Cejlë, luftoi kundër filistenjve, i dëboi bagëtitë e tyre dhe i mundi keqas. Kështu Davidi i shpëtoi banorët e Cejlës. -

6Asohere kur Abiatari u strehua te Davidi, edhe ai zbriti me Davidin në Cejlë duke marrë me vete shpinorin.

7E lajmëruan Saulin se Davidi kishte zbritur në Cejlë. Sauli tha: “E lëshoi Zoti në duar të mia: ai vetë e qiti veten në lak pasi ka hyrë në qytet të mbyllur me dyer e me shula”!

8Sauli mblodhi mbarë popullin për të zbritur në luftë në Cejlë për ta rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.

9Kur e mori vesh Davidi se Sauli po bëhej gati për t’ia bërë të zezën tinëz, i tha Abiatarit prift: “Bjere shpinorin”!

10Atëherë Davidi tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Shërbëtori yt dëgjoi se Sauli po bëhet gati që të vijë kundër Cejlës për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.

11A do të më lëshojnë njerëzit e Cejlës në dorë të Saulit? A do të zbresë Sauli siç dëgjoi shërbëtori yt? O Zot, Hyji i Izraelit, dëftoji shërbëtorit tënd”! E Zoti i tha: “Do të zbresë”!

12E Davidi vazhdoi: “A do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi te Sauli këta, njerëzit e Cejlës”? Zoti iu përgjigj: “Do të të dorëzojnë”!

13U çua, pra, Davidi dhe njerëzit e tij - ishin gjashtëqind vetë - dolën prej Cejlës dhe endeshin andej - këndej, pa qëllim. E lajmëruan edhe Saulin se Davidi kishte dalë prej Cejlës, prandaj as nuk doli për sulm.

14Davidi shkoi për të jetuar në shkretëtirë, në vende të pakalueshme dhe qëndroi në male në shkretëtirën Zif. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Hyji nuk e lëshoi kurrë në duar të tija.

Davidi në Horesë. Jonatani vjen për ta parë

15Davidi e mori vesh se Sauli kishte dalë që ta kërkonte për t’ia marrë jetën. Davidi gjendej në shkretëtirën e Zifit, në Horesë.

16U çua Jonatani, biri i Saulit, dhe shkoi te Davidi në Horesë. Ai i dha zemër Davidit në emër të Zotit. I tha:

17“Mos ki frikë! Ti s’do të biesh në duar të Saulit, tim eti. Ti do të mbretërosh mbi Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë, Sauli”.

18U lidhën, pra, besa - besë me njëri -tjetrin para Zotit. Davidi qëndroi në Horesë, kurse Jonatani u kthye në shtëpinë e vet.

Davidi shpëton prej Saulit

19Zifasit shkuan te Sauli në Gaba e i thanë: “Davidi fshihet ndër ne në vende të sigurta në Horesë, në malin Hakilë, që është në jug të shkretëtirës.

20Tani, pra, po deshi zemra jote, o mbret, që të zbresë atje, zbrit; është puna jonë që ta shtiem në duar të mbretit”.

21Sauli u tha: “Qofshi bekuar prej Zotit, pasi po ankoni gjendjen time!

22Shkoni, po ju lutem, e përgatitni gjithçka me kujdes, shikoni me vëmendje e vëreni vendin nga kalon ai dhe merrni hetime kush e ka parë aty: po më thonë se është shumë dinak.

23Gjeni e vëreni të gjitha strehimet e tija ku fshihet e, kur t’ia gjeni vendin e sigurt, kthehuni tek unë që të vij edhe vetë me ju. E në qoftë se ecën nëpër tokë, do ta kërkoj në çdo vend të Judës”.

24Ata atëherë u ngritën e shkuan në Zif para Saulit. Davidi e njerëzit e tij ishin në shkretëtirën Maon, në Arabë, në jug të shkretëtirës.

25Atëherë doli edhe Sauli me njerëzit e vet për ta kërkuar Davidin. E lajmëruan për këtë Davidin. Davidi zbriti në Qetë e qëndronte në Maon. Kur e mori vesh Sauli, iu vu pas Davidit në shkretëtirën e Maonit.

26Sauli ecte njërit shpat të malit, kurse Davidi me njerëzit e vet shkonte shpatit tjetër të malit. Davidi u jepte sa ku mundte këmbëve për ti ikur Saulit. E Sauli me njerëzit e vet po krijonte rrethin për ta zënë Davidin me gjithë ta,

27kur ja, arriti lajmëtari që tha: “Shpejto e eja se filistenjtë e vërshuan tokën!”

28Atëherë Sauli e la ndjekjen e Davidit e u kthye për tu ndeshur me filistenjtë. Për këtë arsye ai vend u quajt: “Qeta e shpërndarjes”.