Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 27

4. DAVIDI TE FILISTENJTË, Davidi strehohet në Get, etj.

12 vargje

4. DAVIDI TE FILISTENJTË

Davidi strehohet në Get

1Davidi tha vetë me vete: “Dikur, një ditë a një tjetër, do të bie në duar të Saulit. A nuk është më mirë për mua të iki e të shpëtoj në tokën e filistenjve? Kështu Sauli do të mërzitet e do të pushojë të më kërkojë nëpër krahina të Izraelit. Kështu, pra, do të shpëtoj prej tij.”

2U ngrit, pra, Davidi e shkoi ai e njerëzit e tij - gjashtëqind vetë - tek Akisi, biri i Maohut, mbret i Getit.

3Davidi banoi me mbretin Akis në Get, ai dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; edhe Davidi me dy gratë e veta. Akinoamën prej Jezrahelit e Abigajlën, gruan e Nabalit prej Karmelit.

4E njoftuan Saulin se Davidi kishte ikur në Get dhe nuk e gjurmoi më.

Davidi vasal i filistenjve

5Davidi i tha Akisit: “Nëse kam gjetur hir para syve të tu, le të më jepet një qytet në këtë vend për të banuar aty. E pse, njëmend, të banojë shërbëtori yt me ty në qytetin mbretëror”?

6Akisi po atë ditë ia dha Sicelegun. Për këtë arsye Sicelegu u takon mbretërve të Judës deri në ditën e sotme.

7Davidi qëndroi në tokën e filistenjve një vit e katër muaj.

8Davidi me njerëzit e vet dilte e plaçkiste gjezuritët, gerzitët e amalecitët, sepse këta popuj e banonin tokën prej Telemit në drejtim të Surit deri në Egjipt.

9Davidi shkretëronte mbarë vendin, slinte gjallë as trim as grua; merrte dele, lopë, gomarë, deve e petka. Kur kthehej, shkonte tek Akisi.

10E Akisi i thoshte: “Kë keni sulmuar sot”? Davidi i përgjigjej: “Sot i ramë Nagebit të Judës”, ose: “I ramë Nagebit të Jerameelit”, ose: “I ramë Nagebit të Ceniut”.

11Davidi nuk falte as trim as grua dhe nuk i sillte në Get, sepse thoshte: “Mund të na padisin e të thonë kundër nesh: Kështu bëri Davidi. Këtë sjellje kishte për tërë kohën sa qëndroi në tokën e filistenjve.

12Akisi i besonte Davidit, sepse me vete thoshte: “Ka bërë ta urrejë tepër populli i Izraelit, prandaj do të jetë skllavi im përgjithmonë”.