Të gjithë kapitujt

1 i Samuelit · Kapitulli 26

Davidi i kursen jetën Saulit

25 vargje

Davidi i kursen jetën Saulit

1Zifasit shkuan te Sauli në Gabà e i thanë: “Ja, Davidi fshihet në kodrën e Hakilës, përballë shkretëtirës”.

2Sauli u çua dhe zbriti në shkretëtirën Zif dhe me të tri mijë vetë, burra të zgjedhur të Izraelit, për ta gjurmuar Davidin në shkretëtirën Zif.

3Sauli nguli fushimin në kodrën e Hakilës, që është përballë shkretëtirës, anash rrugës. E Davidi banonte në shkretëtirë. Kur pa se kishte ardhur Sauli pas tij në shkretëtirë,

4dërgoi hetues dhe mësoi se me të vërtetë kishte ardhur atje.

5Davidi u çua e shkoi në vendin ku ishte Sauli. Kur e pa vendin ku flinte Sauli dhe Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së tij, Sauli po flinte brenda rrethit, kurse populli tjetër rreth e rreth tij,

6Davidi i tha Akimelekut heteas dhe Abisait, birit të Sarvisë, vëllait të Joabit: “Cili zbret me mua te Sauli në fushim”? Iu përgjigj Abisai: “Unë zbres me ty”.

7Erdhën, pra, Davidi e Abisai natën tek ushtria dhe e gjetën Saulin duke fjetur në gjumë brenda rrethit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë te koka e vet, kurse Abneri e populli tjetër po flinin përreth tij.

8Atëherë Abisai i tha Davidit: “Hyji sot ta ka lëshuar në duar të tua armikun tënd: tani po e përshkoj me heshtë e po e mbërthej përtokë me një të rënë të vetme, të sjell një herë tjetër s’do të kem nevojë”.

9Por Davidi iu përgjigj: “Ruaj se e vret! Cili shtriu dorën e vet mbi të shuguruarin e Zotit e do të jetë i pafajshëm”?

10Atëherë Davidi shtoi: “Pasha jetën e Zotit, vetë Zoti do ta godasë, ose do ti vijë dita të vdesë, ose do të dalë në luftë e do të vritet.

11Zoti mos e thëntë që unë të çoj dorë kundër të shuguruarit të Zotit! Tani pra, merre heshtën që është te koka e tij dhe brokën e ujit e të largohemi”.

12Kështu, pra, i mori Davidi heshtën dhe brokën e ujit, që ishte te koka e Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa, askush sditi gjë, askush nuk u zgjua. Të gjithë flinin: një gjumë i rëndë i dërguar prej Zotit i kishte pushtuar të gjithë.

13Kur kaloi Davidi në anën e kundërt, u ndal në majë të malit, mjaft larg, në një largësi mjaft të madhe ndërmjet,

14atëherë Davidi i lëshoi zë ushtrisë dhe Abnerit, birit të Nerit e tha: “A nuk do të përgjigjesh, o Abner”? Abneri u përgjigj: “Kush je ti? Bërtet dhe e trazon mbretin!”

15Atëherë Davidi i tha Abnerit: “Ti je burrë, a jo? E kush është trim si ti në Izrael? Pse, atëherë nuk e ruajte zotërinë tënd, mbretin? E pra, ka hyrë dikush prej popullit me qëllim që ta vrasë mbretin, zotërinë tënd!

16S’është mirë siç ke vepruar ti! Pasha Zotin e gjallë, e keni merituar vdekjen që të gjithë ju që nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të shuguruarin e Zotit. Tani, pra, shiko ku është heshta e mbretit e ku është broka e ujit, që ishte te koka e tij”!

17Por Sauli e njohu zërin e Davidit e tha: “A mos është ky zëri yt, biri im David”? Davidi tha: “Zëri im, o mbret, zotëria im”!

18E vazhdoi: “Për çarsye imzoti e ndjek shërbëtorin e vet? Çkam bërë? Çfarë faji është në mua?

19Tani, pra, le ti dëgjojë, po të lutem, zotëria im, mbreti, fjalët e shërbëtorit të vet: Nëse Zoti të çon peshë kundër meje, i pëlqeftë flia e erëndshme! Por në qofshin njerëzit ata që të nxisin, qofshin mallkuar para Zotit, pse më dëbuan sot e më hodhën jashtë trashëgimit të Zotit, duke më thënë: Shko, shërbeju zotave të huaj!

20E tani, mos u derdhtë gjaku im për tokë larg prej fytyrës së Zotit, pasi mbreti i Izraelit ka dalë që të kërkojë një plesht, sikurse kur ndokush del të gjuajë thëllëzën maleve”.

21Sauli tha: “Kam mëkatuar! Kthehu, biri im, David! Assesi s’do të të bëj më keq, meqenëse sot para syve të tu jeta ime ka qenë e çmueshme. Shihet se kam vepruar marrëzisht e kam gabuar shumë, tepër shumë”.

22Por Davidi iu përgjigj: “Ja ku është heshta e mbretit! Le të vijë një djalosh e le ta marrë.

23Zoti shpërbleftë gjithkënd sipas drejtësisë së vet e besnikërisë. Zoti sot të lëshoi në duar të mia, por unë sdesha të çoja dorën time mbi të shuguruarin e Zotit.

24Dhe sikurse jeta jote sot qe e shtrenjtë për sytë e mi, ashtu edhe jeta ime qoftë e çmueshme për sytë e Zotit e më shpëtoftë prej çdo rreziku”.

25Sauli i tha Davidit: “Qofsh bekuar, biri im David! Çkado që do të ndërmarrësh, faqebardhë do të dalësh”! Davidi shkoi në punë të vet e Sauli u kthye në shtëpi të vet.