Të gjithë kapitujt

2 e Selanikasve · Kapitulli 3

Lutuni për ne, Qortim lidhur me papunësinë, etj.

18 vargje

Lutuni për ne

1Pastaj, o vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet si ndër ju

2dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë e të këqij; sepse të gjithë nuk kanë fe!

3Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i Keqi.

4Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do ti zbatoni.

5Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë e Krishtit!

Qortim lidhur me papunësinë

6Juve, o vëllezër, ju urdhërojmë në Emër të Jezu Krishtit Zot, të rrini larg nga çdo vëlla që jeton në përtaci, jo sipas porosisë që morët prej nesh.

7Sepse ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci:

8bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë.

9Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull - që të na përngjani.

10Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!”

11Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën.

12Të tillëve u urdhërojmë dhe u bëjmë be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë!

13Dhe ju, o vëllezër, mos u mërzitni duke bërë vepra të mira!

14Në qoftë se ndokush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni dhe mos u shoqëroni me të që të turpërohet,

15por mos e mbani për armik dhe këshillojeni si vëlla.

Bekimi

16Dhe vetë Zoti që jep paqen, gjithmonë dhe në çdo mënyrë jua dhëntë paqen. Zoti qoftë me ju të gjithë!

17Përshëndetje me dorën time - të Palit. Kështu shënoj çdo letër: unë kështu shkruaj.

18Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me ju të gjithë!