Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 1

III. SALOMONI DHE NDËRTIMI I TEMPULLIT, Salomoni e merr dhuratën e dijes, etj.

18 vargje

III. SALOMONI DHE NDËRTIMI I TEMPULLIT

Salomoni e merr dhuratën e dijes

1Salomoni, biri i Davidit, ishte përforcuar në mbretërinë e tij. Zoti, Hyji i tij, ishte me të dhe e ngriti në kulm madhërinë e tij.

2Atëherë Salomoni i urdhëroi mbarë Izraelit: mijëtarëve, urdhërqindësve, gjyqtarëve, prijësve të mbarë Izraelit, krerëve të familjeve

3dhe mbarë bashkësinë shkoi në kodrinën e Gabaonit, ku ishte Tenda e Takimit të Hyjit, që e kishte punuar Moisiu, shërbëtori i Hyjit, në shkretëtirë.

4Davidi e kishte sjellë Arkën e Hyjit prej Kariatiarimit në vendin që e kishte pasë bërë gati për të dhe ku ia kishte ngrehur Tendën: d. t. th. në Jerusalem.

5Lteri i bronztë, që e kishte punuar Beseleeli, biri i Urisë së Hurit, ishte atje para Banesës së Zotit e Salomoni dhe mbarë bashkësia shkuan atje.

6Shkoi pra, Salomoni te lteri i bronztë pranë Tendës së Takimit të Zotit dhe aty i kushtoi një mijë fli.

7Po këtë natë Hyji iu dëftua Salomonit. I tha: “Lyp çka dëshiron të të jap”.

8Salomoni iu përgjigj Hyjit: “Ti e përkrahe shumë tim atë Davidin, kurse mua më bëre mbret në vend të tij.

9Tani, pra, o Zot, Hyj, plotësoje zotimin tënd që ia dhe atit tim Davidit, pasi më bëre mbret mbi popullin tënd të shumtë që është i panumërt porsi pluhuri i tokës,

10më jep dije e kuptim që ta udhëheq popullin tënd. E njëmend, kush mundet ta sundojë denjësisht një popull kaq të madh siç është yti”?

11Atëherë Hyji i tha Salomonit: “Pasi i pëlqeu zemrës sate kjo gjë e nuk kërkove pasuri, mirëqenie e lavdi, as vdekjen e atyre që të urrenin, madje as jetë të gjatë, por kërkove urtësi e dije që të mund ti prish popullit tim, mbi të cilin të bëra mbret,

12të janë dhënë dija e kuptimi! Por unë do të të jap edhe mirëqenie e lavdi, kështu që askush ndër mbretër, as para teje as pas teje, të mos jetë i ngjashëm me ty”!

13U largua, pra, Salomoni nga prania e Tendës së Takimit prej kodrinës së Gabaonit në Jerusalem dhe mbretëroi mbi Izraelin.

14Bashkoi karroca lufte dhe kalorës. Pati një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës të shpërndarë nëpër qytete dhe pranë vetes në Jerusalem.

15Salomoni ia doli të sillte në Jerusalem argjend e ar si gurë, e lëndë cedri porsi dru mani që rritet në Sefelë me shumicë të madhe.

16Kuajt ia sillnin prej Egjiptit dhe prej Koes. Tregtarët e mbretit i blenin në Koa.

17Ata e sollën në vend një karrocë lufte dhe e shitën për gjashtëqind sikla të argjendtë si dhe një kalë për njëqind e pesëdhjetë. Kështu bëhej edhe për të gjithë mbretërit e tjerë të hetitëve e të Sirisë të cilët importonin përmes tyre.

Përgatitjet e fundit. Hirami i Tirit

18Salomoni vendosi ta ndërtojë një Shtëpi në nder të Emrit të Zotit dhe një pallat për vete.