Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 2

Punimet

17 vargje

1I caktoi shtatëdhjetë mijë vetë bartës krahu dhe tetëdhjetë mijë gdhendës guri në mal dhe tri mijë e gjashtëqind kryepunëtorë.

2Atëherë i çoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit: “Siç ke vepruar me babain tim Davidin dhe i ke dërguar lëndë cedri që ta ndërtonte pallatin për të banuar ai në të,

3po ashtu vepro edhe për mua që t’ia ndërtoj një Shtëpi Emrit të Zotit, Hyjit tim, e ta shuguroj për të djegur para tij erëra të këndëshme tymuese, për të kushtuar vazhdimisht bukë dhe fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, të shtunave, hënëve të reja dhe në të gjitha të kremtet e Zotit, Hyjit tonë, për amshim që i janë urdhëruar Izraelit.

4Shtëpia, të cilën dëshiroj ta ndërtoj, është e madhe, sepse i madh është Zoti ynë përmbi të gjithë zotat.

5E kush do të kishte mundësi ti ndërtojë Atij një Shtëpi të denjë? Në qoftë se qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund ta zënë Atë, po kush jam unë që të mund t’ia ndërtoj Shtëpinë? Por vetëm kaq sa të digjet kemi në praninë e tij.

6Tani, ma dërgo një njeri të ditur që di të punojë me ar, me argjend, me bronz, me hekur, me purpur të kuq e ngjyrë vjollcë e që të jetë i ushtruar në mjeshtrinë e skalitjes; ai do të punojë me këta artizanët që i kam në Jude e në Jerusalem, të cilët i përgatiti im atë Davidi.

7Ti më dërgo edhe lëndë cedri, bredhi e pishe prej Libanit. Unë e di se shërbëtorët e tu dinë ta presin drurin e Libanit, madje edhe shërbëtorët e mi do të jenë me shërbëtorët e tu

8që të më përgatiten lëndë të shumta, sepse Shtëpia që dëshiroj ta ndërtoj duhet të jetë e vetme dhe e madhërishme.

9Druprerësve, shërbëtorëve të tu, do tu jap si ushqim njëzet mijë kora grurë po edhe aq kora elb, njëzet mijë batë verë si dhe njëzet mijë batë vaj”.

10E Hirami, mbreti i Tirit, iu përgjigj me anë të një letre që ia dërgoi Salomonit: “Pasi Zoti e deshi popullin e vet, bëri që ti të mbretërosh mbi të”.

11Dhe shtoi: “Bekuar qoftë Zoti, Hyji i Izraelit, i cili bëri qiellin e tokën, që ia dha Davidit mbret një djalë të dijshëm, të mençur, të arsyeshëm e të urtë që të ndërtojë Shtëpi në nder të Zotit dhe pallat për vete.

12Tani po ta dërgoj një njeri të urtë, të dijshëm si ai, Hiramin, mjeshtrin tim,

13djalin e njërës prej bijave të Danit, babai i të cilit qe tiras. Ky di të punojë në arë e në argjend, në bronz e në hekur, në gur e në dru, në purpur, në pëlhurë ngjyrë vjollcë e në pëlhurë të kuqe. Di të gdhendë çdo gdhendje; ia pret mendja hollë e, çka i sheh syri, ia bën dora. Do të punojë me mjeshtrit e tu dhe me mjeshtrit e zotërisë tim, Davidit, babait tënd.

14Ti imzot, veç dërgoje grurin, elbin, vajin, verën që i ke premtuar për shërbëtorët e tu.

15Ne do ti presim drurët nga Libani aq sa të të nevojiten dhe do ti përcjellim me trapa nëpër det në Jope e ty të mbetet vetëm ti shpiesh në Jerusalem”.

Punimet

16Atëherë Salomoni i regjistroi të gjithë burrat ardhacakë që ishin në tokën e Izraelit, pas numërimit që e bëri babai i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind.

17Prej tyre i caktoi shtatëdhjetë mijë bartës dhe tetëdhjetë mijë gurnxjerrës në gurore, kurse për kryepunëtorë të tyre i caktoi tri mijë e gjashtëqind vetë.