Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 15

Qortimet e Azarisë dhe zotimet e besnikërisë

19 vargje

Qortimet e Azarisë dhe zotimet e besnikërisë

1Shpirti i Hyjit e pushtoi Azarinë, birin e Odedit,

2e Azaria i doli para Asës dhe i tha: “Ti Asë e ju të gjithë djemtë e Judës e të Beniaminit, më dëgjoni! Zoti qoftë me ju, pasi ju qetë me të! Nëse ju do ta kërkoni, ju edhe do ta gjeni! Nëse ju do ta lini, edhe ai do t’ju lërë ju!

3Kaluan shumë ditë në Izrael pa Hyjin e vërtetë, pa prift mësues e pa Ligj.

4Por kur u kthyen te Zoti, Hyji i Izraelit, pse ranë ngusht, dhe e kërkuan atë, ata edhe e gjetën.

5Në ato kohë nuk kishte siguri as për atë që shkonte as për atë që vinte,

6sepse ishte trazirë shumë e madhe për të gjithë banorët e vendeve: sepse sulej ndesh një komb kundër një kombi tjetër, një qytet kundër një qyteti tjetër, sepse Zoti i godiste me çdo lloj trazire.

7Por juve të mos ju lëshojë zemra dhe të mos ju meken duart tuaja e shpërblimi nuk do t’ju mungojë”!

8Kur Asa i dëgjoi këto fjalë dhe këtë profeci, mori zemër dhe i hoqi idhujt prej tokës së Judës e të Beniaminit edhe prej qyteteve të malit të Efraimit që i pushtoi dhe e shuguroi lterin e Zotit që ishte në treme të Zotit.

9Atëherë i bashkoi të gjithë judenjtë, beniaminët dhe ardhacakët që ishin me ta nga fisi i Efraimit, i Manaseut e i Simonit, sepse me shumicë prej Izraelit ishin strehuar tek ai duke parë se Zoti, Hyji i tij, ishte me të.

10Dhe u mblodhën në Jerusalem në të tretin muaj të të pesëmbëdhjetit vit të mbretërimit të Asës.

11Atë ditë i kushtuan Zotit fli prej presë që kishin sjellë: shtatëqind bagëti të trasha dhe shtatë mijë bagëti të imëta.

12Dhanë besën se do ta kërkojnë Zotin, Hyjin e etërve të vet, me gjithë zemër e me gjithë shpirt:

13kushdo që nuk do ta kërkojë Zotin, Hyjin e Izraelit, do të vritet me të madh e me të vogël, burra e gra.

14Iu përbetuan Zotit me zë të lartë e me brohoritje gazmore, me tinguj borish e brirësh.

15Të gjithë banorët e Judesë u gëzuan shumë për shkak të këtij betimi, sepse u përbetuan me gjithë zemër. Vërtet e kishin kërkuar Zotin me gjithë shpirt. Këndej edhe Zoti lejoi ta gjejnë dhe u dhuroi paqe në të gjithë kufinjtë e tyre.

16Mbreti Asa e shfronësoi edhe Maakën, nënën e vet, dhe se la të jetë më Zonja mbretëreshë, sepse e kishte punuar idhullin e Aserës; Asa e copëtoi idhullin dhe, pasi e bëri copë-copë, e dogji në përroin Cedron.

17Porse lartësirat u lanë në Izrael; megjithatë zemra e Asës ishte e përsosur gjatë gjithë jetës së tij.

18Gjithçka kishte kushtuar ati i tij dhe ai vet, i çoi në Shtëpinë e Hyjit: argjend, ar dhe enë të ndryshme.

19Nuk pati luftë deri në vitin e tridhjetepestë të mbretërimit të Asës.