Të gjithë kapitujt

2 i Kronikave · Kapitulli 29

2. RIPËRTËRITJA E EZEKISË, Një vështrim mbi mbretërinë, etj.

36 vargje

2. RIPËRTËRITJA E EZEKISË

Një vështrim mbi mbretërinë

1Ezekia u bë mbret në moshën njëzet e pesë vjeçare. Mbretëroi në Jerusalem njëzet e nëntë vjet. Emri i nënës së tij ishte Abi. Ishte bija e Zakarisë.

2Bëri atë që ishte e pëlqyeshme para syve të Zotit, siç kishte vepruar Davidi, stërgjyshi i tij.

Pastrimi i Tempullit

3Në muajin e parë, të vitit të parë të mbretërimit të vet, Ezekia i hapi dyert e Shtëpisë së Zotit dhe i ndreqi ato.

4I thirri priftërinjtë e levitët, i bashkoi në sheshin e lindjes

5dhe u tha: “Më dëgjoni, levitë! Më parë shenjtërohuni ju e pastaj pastrojeni Shtëpinë e Zotit, Hyjit të etërve tuaj! Mënjanoni nga Shenjtërorja çdo papastërti.

6Etërit tanë mëkatuan e bën të keqen në sytë e Zotit, Hyjit tonë. E lanë atë. E kthyen fytyrën në anën tjetër, ia kthyen shpinën dhe shkuan larg shtëpisë së Zotit.

7Për më tepër i mbyllën dyert që ishin në treme, i fikën dritëzat, nuk dogjën kem dhe nuk kushtuan fli të shkrumbimit në Shenjtëroren e Hyjit të Izraelit.

8Këndej edhe u ndez flakë hidhërimi i Zotit kundër Judës e Jerusalemit dhe i bëri shembull tmerri, çudie e loje, siç po shihni me sytë tuaj.

9Dhe, ja, etërit tanë ranë rrah prej shpatës; bijtë tanë, bijat tona e gratë qenë humbur në robëri për shkak të këtij mëkati.

10Tani kam vendosur në zemrën time të lidh besëlidhje me Zotin, Hyjin e Izraelit, që ta largojë prej nesh zemërimin e hidhërimit të vet.

11Bijtë e mi, mos jini të pakujdesshëm, sepse ju ka zgjedhur Zoti të qëndroni para tij, ti shërbeni, ta adhuroni e ti digjni kem”.

12Atëherë u çuan levitët: Mahati, biri i Amasait e Joeli, biri i Azarisë, prej Kaatajve; kurse prej bijve të Merariut Cisi, biri i Abdiut e Azaria, biri i Jalelelit; prej bijve të Gersonit Joahi, biri i Zemës e Edeni, biri i Joahit;

13kurse prej bijve të Elisafanit Samriu e Jahieli; ndërsa prej bijve të Asafit, Zakaria e Matania;

14e prej bijve të Hemanit, Jahieli e Semeji, po edhe prej bijve të Iditunit, Semeja e Ozieli.

15I bashkuan vëllezërit e vet, u shenjtëruan dhe hynë sipas urdhrit të mbretit e të Zotit për ta shpërblyer Shtëpinë e Hyjit.

16Hynë gjithashtu edhe priftërinjtë në Tempullin e Hyjit për ta pastruar atë, e larguan çdo papastërti që gjetën brenda në anije dhe e nxorrën jashta në oborr. Atëherë levitët i morën dhe i nxorrën përjashta në përroin Cedron.

17Filluan të shenjtërojnë ditën e parë të muajit të parë dhe të tetën ditë të të njëjtit muaj, hynë në tremen e Tempullit të Zotit dhe e shenjtëruan Tempullin e Zotit gjatë tetë ditëve, kështu që të gjashtëmbëdhjetën ditë të të njëjtit muaj, e kryen.

Flia e pendimit

18Atëherë hynë te mbreti Ezeki e i thanë: “E kemi pastruar mbarë Shtëpinë e Zotit: lterin e flive të shkrumbimit, të gjitha enët e tija, tryezën e bukëve të kushtimit dhe enët e saja,

19i kthyem të gjitha orenditë e tempullit që i kishte larguar mbreti Akaz gjatë mbretërimit dhe të pabesnikërisë së tij, dhe i shenjtëruam të gjitha. Ja, të gjitha i kemi vënë përbri lterit të Zotit”.

20Mbreti Ezeki u ngrit herët në mëngjes, i bashkoi të parët e qytetit dhe shkoi në Shtëpinë e Zotit.

21Sollën shtatë mëzetër, shtatë desh, shtatë qengja e shtatë cjepër si fli për mëkatet e mbretërisë, për Shenjtëroren dhe për Judën. Atëherë u urdhëroi priftërinjve, bijve të Aronit, ti kushtojnë përmbi lter të Zotit.

22I prenë mëzetërit dhe priftërinjtë e morën gjakun dhe e zbrazën mbi lter. I prenë edhe deshtë dhe gjakun e tyre e derdhën mbi lter; i prenë edhe qengjat dhe gjakun e tyre e zbrazën mbi lter.

23I afruan cjeptë e caktuar për fli për mëkat para mbretit dhe para bashkësisë dhe i vunë duart mbi ta,

24priftërinjtë i flijuan ata dhe gjakun e tyre e spërkatën mbi lter për shpërblim të mbarë Izraelit, sepse mbreti kishte dhënë urdhër të bëhej fli shkrumbimi dhe fli për mëkat e mbarë Izraelit.

25Mbreti i caktoi levitët në Shtëpinë e Zotit me cimbale, harpa e cetra sipas rregullores së Davidit, të vegimtarit të mbretit, Gadit, dhe të profetit Natan, sepse urdhëri erdhi prej Zotit me anë të profetëve.

26Qëndruan pra, në këmbë levitët me veglat muzikore të Davidit dhe priftërinjtë me bori.

27Ezekia urdhëroi të kushtohej flia e shkrumbimit mbi lter. Ndërkohë që po flijohej flia e shkrumbimit, ia filluan ti këndonin lavde Zotit, tu bien borive dhe ti përcillnin me vegla të ndryshme muzikore të Davidit, mbretit të Izraelit.

28Mbarë populli adhuronte, këngëtarët dhe ata që mbanin boritë vazhdonin shërbesën e vet ndërkohë që flijohej deri që u krye flia e shkrumbimit.

29Kur mori fund kushtimi, mbreti dhe të gjithë ata që ishin me të, ranë me faqe përdhe dhe adhuruan.

30Mbreti dhe prijësit u urdhëruan levitëve ti këndojnë Zotit lavde me fjalë të Davidit dhe të Asafit vegimtar. E lavdëruan me hare të patregueshme, u gjunjëzuan dhe adhuruan.

31Atëherë Ezekia shtoi edhe këtë: “Tani, pasi i keni shuguruar duart tuaja për ti shërbyer Hyjit, afrohuni e kushtoni theroret e flitë e falenderimit në Shtëpinë e Zotit”. Sepse mbarë bashkësia kishte sjellë kushte e fli falenderimi. Kushdo, që i mbastonte zemra, kushtonte fli shkrumbimi.

32Numri i flive të shkrumbimit, që i kishte sjellë bashkësia, kishte: shtatëdhjetë mëzetër, njëqind desh, dyqind qingja; të gjitha këto fli shkrumbimi në nder të Zotit.

33U shuguruan si kusht gjashtëqind bagëti të trasha e tri mijë bagëti të imëta.

34Meqenëse priftërinj ishin pak dhe nuk mund t’ia dilnin ti rripnin kafshët për fli shkrumbimi, këndej u ndihmuan edhe levitët, vëllezërit e tyre, deri që nuk u krye puna e nuk u shenjtëruan priftërinjtë e tjerë, sepse levitët kanë qenë më të zellshëm se priftërinjtë për tu shenjtëruar.

35E pati shumë fli shkrumbimi, dhjamë të flive pajtimore si dhe njomje që u përkasin flive të shkrumbimit. Kështu u rikthye shërbesa hyjnore e Shtëpisë së Zotit.

36Prandaj u gëzua Ezekia dhe mbarë populli që Zoti e bëri këtë gjë për popull, sepse të gjitha këto u bënë papritmas.