Të gjithë kapitujt

2 i Makabenjve · Kapitulli 9

Mbarimi i Antiokut Epifan, Letra e Antiokut çifutëve

29 vargje

Mbarimi i Antiokut Epifan

1Po në këtë kohë, Antioku po kthehej i çnderuar nga krahinat e Persisë.

2Kishte pasë hyrë në qytetin Persepolis dhe sprovoi ta plaçkisë faltoren e ta pushtojë qytetin. Por, populli u ngrit kundër, i mori armët e kështu e vunë në ikje. I vënë në të ikur prej njerëzve të vendit, Antiokut iu desh të largohet i turpëruar.

3Kur po gjendej në rrethe të Ekbatanës, e lajmëruan se çka i kishte ndodhur Nikanorit e Timoteut.

4I ndezur flakë prej hidhërimit, kishte parasysh edhe turpin që e kishte pësuar prej atyre që e vunë në ikje, mendonte të shfrejë mbi judenj. Prandaj, urdhëroi që grahësi i karrocës ta vazhdonte rrugën pa ndërprerje. Por, tash e ndiqte ndëshkimi i Qiellit, sepse kështu kishte folur plot kreni: »Kur të arrijë atje, Jerusalemin do ta bëj varr të përbashkët të judenjve!«

5Por, Ai që sheh gjithçka, Zoti Hyji i Izraelit, e goditi me një sëmundje të pashërueshme e të papashme. Posa e kreu atë fjalë, e kapi një dhembje e madhe rropullish e dhembje e padurueshme zorrësh,

6gjë kjo që ishte me të vërtetë e drejtë, sepse ai u kishte shkaktuar të tjerëve dhembje të shumta e të padurueshme në rropulli.

7Por, ai, megjithatë, s’hiqte dorë nga krenia e vet, madje, plot krenari, buçiste flakë nga felgrimi kundër judenjve dhe urdhëroi të shpejtohej vrapimi. Por, i ndodhi të rrëzohet nga karroca në vrapim të mahnitshëm e, nga rrëzimi i rëndë, t’i copëtohen gjymtyrët e trupit.

8Ai që, në kreninë e vet mbinjerëzore, kujtonte se mund t’u urdhërojë valëve të detit, ai që kujtonte se mund t’i peshojë në peshore malet e larta, e pa veten të plandosur për tokë e, mandej i bartur në bartore, duke u dëftuar të gjithëve qartas fuqinë e Hyjit,

9aq sa, nga sytë e të patenzonit rridhnin krimba e për së gjalli, në dhembje e në ofshame të mëdha, i derdhej mishi e, për shkak të kalbësimit, qelbësira e tij i çonte të vjedhat mbarë ushtrisë.

10Ai që pak më parë kujtonte se i prek yjet e qiellit me dorë, tash askush s’mund ta mbartëte për shkak të erës së rëndë të qelbësirës.

11Vetëm tash, i copëtuar, nisi ta ulë kreninë e madhe të veten dhe ta kuptojë gjendjen e vet nën frushkullin hyjnor, sepse i shtoheshin dhimbjet nga një ças në tjetrin.

12E kur as ai vet nuk mund të duronte më erën e rëndë të veten, tha kështu: »Është e drejtë t’i nënshtrohesh Hyjit e vdekatari të mos krenohet!«

13Ky bakeq nisi t’i lutet Zotit, i cili tashmë nuk do të ketë mëshirë për të. Thoshte

14se do ta shpallte Qytetin e shenjtë, të lirë, kundër të cilin ishte ngutur ta rrafshojë me truall dhe ta bëjë varr,

15kurse judenjtë, të cilët nuk i çmonte të denjë as për t’u kondisur për së vdekuri, por se do t’ua qiste shpendëve për t’i ngrënë e se do t’ua hidhte egërsirave bashkë me fëmijë, do t’i barazonte me athinas të gjithë,

16se Tempullin e shenjtë, të cilin më parë e kishte plaçkitur, do ta stoliste me dhurata shumë të bukura, dhe se do t’i kthente në numër edhe më të madh të gjitha enët dhe shpenzimet e flijimeve do t’i mbulonte me të ardhurat e veta,

17madje për më tepër se edhe ai do të bëhej çifut dhe se do t’i binte kryq e tërthor botës duke predikuar fuqinë e Hyjit.

Letra e Antiokut çifutëve

18Por, pasi dhimbjet nuk i pushonin aspak - sepse kishte rënduar mbi të gjyqi i drejtë i Perëndisë - pasi s’kishte më farë shprese për vetvete, u shkroi judenjve letrën që po e sjellim këtu më poshtë në trajtë të përlutjes, me këtë përmbajtje:

19»Judenjve, qytetarëve të shkëlqyer, mbreti dhe prijësi Antiok: të fala të shumta, mirëqenie e mirëvajtje!

20Nëse jeni mirë ju e fëmijët tuaj, nëse punët tuaja u shkojnë ashtu si ju dëshiron zemra, plot shpresë në Qiellin, duke u lutur me gjithë shpirt, i falënderohem Hyjit.

21Unë, në të vërtetë, megjithëse isha i sëmurë, ju kujtoj me dashamirësi për nderin dhe mirësjelljen tuaj ndaj meje. Në kthimin tim nga krahinat e Persisë, pasi më kapi një sëmundje e padurueshme, mendoj se është e domosdoshme të kujdesem për të mirën e sigurinë e përbashkët të të gjithëve.

22Megjithëse nuk e kam humbur shpresën në gjendjen time, por me shpresë të madhe se do t’i shpëtoj kësaj ligësine,

23e duke pasur parasysh se edhe im atë, në kohë kur bënte ndonjë fushatë kundër krahinave të veriut, shënonte pasardhësin e vet,

24që, po ndodhi ndonjë ngjarje e papritur ose lajme jo të mira, shtetasit të mos turbullohen, por ta dinë kujt ia ka besuar ai punët e shtetit.

25Mandej, duke e ditur se sunduesit e afërm dhe fqinjët e mbretërisë ruajnë rastin e volitshëm e presin pale a po ndodh gjë, e caktova për mbret birin tim Antiokun, të cilin, shpeshherë kur bëja ndonjë fushatë në krahinat e veriut, shumicës prej jush jua kam besuar e porositur. Ndryshe i kam shkruar edhe atij këtë letër që po e bashkangjis.

26Prandaj, po ju lutem e po kërkoj prej jush të mos i harroni bamirësitë që i keni marrë prej meje botërisht e privatisht e ta ruani dashamirësinë tuaj ndaj meje e ndaj birit tim.

27Kam besim se edhe ai, duke i ndjekur udhëzimet e mia, do të sillet me ju me maturi e me njerëzi.«

28Kështu, pra, ky vrastar e hyjshmues, duke pësuar dhimbje tejet të rënda, siç u kishte shkaktuar të tjerëve, i dha fund jetës së vet në male të shkreta, në vende të huaja me një fat të mjerë.

29Filipi, miku i tij i afërm, solli kufomën e tij, i cili, mandej, prej frikës së birit të tij Antiokut, shkoi në Egjipt te Ptolemeu Filometor.