Të gjithë kapitujt

2 i Mbretërve · Kapitulli 11

NGA MBRETËRIMI I ATALJES DERI NË VDEKJEN E ELIZEUT, Historia e Ataljes

20 vargje

NGA MBRETËRIMI I ATALJES DERI NË VDEKJEN E ELIZEUT

Historia e Ataljes

1Atalja, nëna e Okozisë, kur pa se i kishte vdekur i biri, u çua dhe i vrau të gjithë pasardhësit mbretërorë.

2Porse Josaba, bija e mbretit Joram, e motra e Okozisë, e mori Joasin, djalin e Okozisë, e vodhi prej djemve të mbretit që po i vrisnin, si dhe nanshoren e tij dhe i fshehu në dhomën e fjetjes prej syve të Ataljes, që të mos e vritnin.

3Qëndroi i fshehur bashkë me nanshoren në Shtëpinë e Zotit për gjashtë vjet, gjatë kohës sa sundoi Atalja në vend.

4Të shtatin vit Jojada i bashkoi urdhër- qindësit e harëve dhe të rojës trupore të mbretit, i futi te vetja në Shtëpinë e Zotit, lidhi me ta besëlidhje dhe i bëri të përbetoheshin në Shtëpinë e Zotit. Atëherë ua dëftoi të birin e mbretit

5dhe u urdhëroi: “Ja çduhet të bëni: e treta juaj që hyn në shërbim të shtunën, le të ruajë te pallati mbretëror.

6E dyta e tretë te dera Sur, kurse e treta e tretë, ajo që është te dera e sprasme e rojtarëve, le të bëjë roje të dera mbretërore.

7Ndërsa dy njësitë e tjera që janë, ata që të shtunën dalin prej shërbimit, le të bëjnë roje në Shtëpinë e Zotit rreth mbretit.

8Rrini rreth e rreth mbretit me armë në dorë. Kush të provojë të depërtojë rrethin tuaj në Tempull, le të vritet. Ngado që të shkojë mbreti, ju do të jeni me të.

9Centurionët bënë ashtu si u kishte urdhëruar Jojada prift. Secili prej tyre mori njerëzit e vet, ata që të shtunën hynin në shërbim me ata që të shtunën dilnin nga shërbimi, dhe erdhën te Jojada prift.

10Jojada ua dha centurionëve heshtat e shqytat e Davidit mbret që ishin në Shtëpinë e Zotit.

11Rojet, me armë në dorë, qëndruan prej këndit të djathtë të Tempullit e në këndin e majtë të Tempullit, prej lterit e Tempullit, në mënyrë që të rrethonin mbretin.

12E solli birin e mbretit, ia vuri kurorën e i dha Dëshminë. E bënë mbret dhe e shuguruan e, duke rrahur shuplakë, bërtitnin: “Rroftë mbreti”!

13Atalja, kur e dëgjoi zhurmën e popullit, erdhi te populli në Tempullin e Zotit,

14e pa mbretin: qëndronte në vendin e rëndomtë mbi palk e, përreth tij, prijësit e borizanët, kurse mbarë populli i vendit brohoriste e u binte trumbetave. Atalja i shqeu petkat e veta e bërtiti: “Tradhti, tradhti”!

15Jojada prift u urdhëroi prijësve të ushtrisë e u tha: “Qiteni jashtë rrethit të Tempullit, e kushdo që të shkojë pas saj, le të pritet shpatë”. Sepse prifti kishte pasë dhënë urdhër: “Mos e vritni në Shtëpinë e Zotit”.

16E kapën e, kur ajo arriti te pallati mbretëror rrugës së Hyrjes së Kuajve, e vranë.

17Atëherë Jojada lidhi besëlidhje ndërmjet Zotit, mbretit e popullit që populli të jetë popull i Zotit. Edhe një besëlidhje ndërmjet mbretit e popullit.

18Pastaj mbarë populli i vendit hyri në tempullin e Baalit dhe e rrënuan. I shpartalluan lterët e truporet e tija plotësisht. Po edhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë përbri lterëve. Jojada prift vuri përsëri rojat përreth Shtëpisë së Zotit.

19Mori pastaj centurionët, harët, rojat dhe mbarë popullin e vendit dhe e përcollën mbretin prej Shtëpisë së Zotit dhe, rrugës së derës së Rojave, arritën në pallatin mbretëror. Mbreti u ul mbi fronin e mbretërve.

20Mbarë populli i vendit u gëzua dhe mbarë qyteti ra në fashë kur qe vrarë me shpatë Atalja.