Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 1

Davidi dëgjon për vdekjen e Saulit, Elegjia e Davidit mbi Saulin e mbi Jonatanin

27 vargje

Davidi dëgjon për vdekjen e Saulit

1Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga përleshja pasi kishte zhbirë amalekasit. Qëndroi dy ditë në Siceleg.

2Kur qe, të tretën ditë, po vinte një njeri prej aradheve të Saulit. Ishte me rroba të shqyera e me krye të mbuluar nga pluhuri. Kur arriti para Davidit, ra me fytyrë përdhe dhe i bëri nderim.

3Davidi e pyeti: »Nga po vjen?« ai iu përgjigj: »Ika prej taborreve të Izraelit.«

4Davidi i tha: »Çfarë ka ndodhur? Më trego!« Ai iu përgjigj: »Populli iku prej përleshjes dhe shumë njerëz prej popullit ranë të vdekur. U vranë edhe Sauli dhe Jonatani, djali i tij.«

5Davidi i tha djaloshit që po i sillte lajmin: »Nga e di se kanë mbetur Sauli e Jonatani, biri i tij?«

6Djaloshi që po sillte lajmin u përgjigj: »Rastësisht erdha në malin Gjelboé kur qe, shoh se Sauli ishte mbështetur mbi heshtën e vet, kurse karrocat e luftës dhe kalorësit po e shtrëngonin përreth.

7Ai u kthye e më pa dhe më thirri; unë iu përgjigja: ‘Tek jam!’

8Ai më pyeti: ‘Kush je ti?’ Unë iu përgjigja: ‘Jam i amalekas.’

9Atëherë vazhdoi: ‘Sulu në mua e më vra, sepse jam në grahmat e vdekjes sado që shpirti është ende i tëri në mua.’

10Kërceva mbi të dhe e vrava, sepse e dija se pas rënies nuk do të mbetej gjallë. Atëherë ia mora kurorën mbretërore që e kishte mbi kokë, si dhe mëdorëzën që e kishte në dorë, dhe i solla këtu tek ti, zotëria im.«

11Si e mori vesh Davidi, shqeu petkat e veta. Po ashtu edhe të gjithë njerëzit që ishin me të.

12Qanë e vajtuan dhe agjëruan deri në mbrëmje për Saulin e për Jonatanin, birin e tij, dhe për mbarë popullin e Zotit e shtëpinë e Izraelit, që mbetën të vrarë prej shpate.

13Mandej Davidi i tha djaloshit që i solli lajmin: »Nga je?« Ai iu përgjigj: »Jam biri i një ardhacaku amalekas.«

14Atëherë Davidi i tha: »Si nuk u trembe të ngrije dorën për ta vrarë të shuguruarin e Zotit?«

15Davidi e thirri njërin prej djelmoshave dhe i urdhëroi: »Afrohu dhe vraje!« Ai i ra dhe e vrau.

16Davidi i tha: »Gjaku yt mbi kokën tënde, sepse goja jote dëshmoi kundër teje kur the: ‘Unë e vrava të shuguruarin e Zotit.’«

Elegjia e Davidit mbi Saulin e mbi Jonatanin

17Atëherë Davidi bëri këtë vajtim mbi Saulin e mbi Jonatanin, birin e tij,

18e urdhëroi që t’u mësohet bijve të Judës kënga e harkut, siç është e shkruar në Librin e të Drejtit. Davidi tha:

19»Vaj për ty, o Izrael, si e pati kështu nderi yt?! Trimat e trimave, ja, në malet e tua ranë!

20Mos e shpallni në Get kumtin e zi, mos e tregoni në udhët e Askalonit: që të mos gëzohen bijat e filistenjve, që të mos kënaqen bijat e parrethprerëve.

21Ju, o bjeshkët e Gjelboesë, vesë as shi mbi ju mos rëntë, djerra arat në ty mbetshin, mbasi në ju keqas u mposht mburoja e trimave mbi trima! Mburoja e Saulit jo me vaj lyer,

22por me gjak të vrarësh’ e me dhjamë kreshnikësh. Harku i Jonatanit kurrë në të thatë nuk shkrepi, shpata e Saulit kurr huq nuk vringëlloi!

23Saul e Jonatan, të dashur e bujarë: si në jetë dhe në vdekje mbetën të pandarë! Më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët ishin!

24O ju bija të Izraelit, përmbi Saulin të gjitha qani. Ai ju veshte me grimiz e purpur, për më tepër ju stoliste me kolona e argjende ari!

25Ranë trimat në mes të betejës Heu Jonatani i vrarë në mal prehet!

26Vdekja jote për mua të mjerin dhembje e madhe, or vëlla Jonatan! Se sa fort unë ty të doja: e për mua miqësia jote ish më shumë se e gruas dashuria.

27Heu si ranë trimat mbi trima, armët e luftës si u copëtuan!?«