Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 2

IV. DAVIDI, 1. Davidi mbret i Judës, etj.

32 vargje

IV. DAVIDI

1. Davidi mbret i Judës

Shugurimi i Davidit dhe porosia për njerëzit e Jabesit

1Pas kësaj, Davidi e pyeti Zotin: »A do të shkoj në ndonjërin prej qyteteve të Judës?« E Zoti iu përgjigj: »Shko!« Atëherë Davidi i tha: »Në cilin të shkoj?« Ai iu përgjigj: »Në Hebron.«

2Kështu, pra, shkoi Davidi e dy gratë e tija, Akinoama, nga Jezraheli, dhe Abigajla, gruaja e Nabalit, prej Karmelit.

3Po kështu Davidi mori me vete edhe të gjithë njerëzit që ishin me të, secilin me familjen e vet dhe ngulën në fshatrat e Hebronit.

4Atëherë erdhën njerëzit e Judës dhe aty e lyen Davidin për mbret që të sundojë mbi shtëpinë e Judës. I çuan fjalë Davidit se njerëzit e Jabesit të Galaadit e kishin varrosur Saulin.

5Prandaj edhe Davidi i dërgoi lajmëtarët te njerëzit e Jabesit të Galaadit dhe u tha: »Paçi bekimin e Zotit që keni kryer këtë vepër mëshire ndaj zotërisë tuaj Saulit, që e keni varrosur.

6Prandaj Zoti ju paftë me dashurinë e vet e me besnikërinë e vet; po edhe unë nuk do të harroj t’ju bëj gjithashtu mirë, pasi e keni bërë këtë punë të mirë.

7Tani merrni zemër e jini burra të fortë. Megjithëse ka vdekur Sauli, zotëria juaj, prapëseprapë shtëpia e Judës më ka lyer mua për mbret të vetin.«

Abneri e vë Isbaalin për mbret të Izraelit

8Porse Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, e mori Isbaalin, djalin e Saulit, e çoi në Mahanaim

9dhe aty e bëri mbret mbi Galaadin, mbi Aserin, mbi Jezrahelin, mbi Efraimin, mbi Beniaminin dhe mbi mbarë Izraelin.

10Isbaali, biri i Saulit, kur filloi të mbretërojë, kishte dyzet vjet dhe mbretëroi dy vjet. Vetëm fisi i Judës e ndiqte Davidin.

11Davidi mbretëroi mbi shtëpinë e Judës me qëndrim në Hebron shtatë vjet e gjashtë muaj.

Lufta ndërmjet Judës e Izraelit. Beteja në Gabaon

12Doli Abneri, biri i Nerit, e shërbëtorët e Isbaalit, të birit të Saulit, prej Mahanaimit në drejtim të Gabaonit.

13Po ashtu edhe Joabi, biri Sarvisë, dhe shërbëtorët e Davidit dolën edhe ata dhe u takuan në brigjet e liqenit të Gabaonit. Këta qëndronin në njërën anë të liqenit, kurse ata në anën tjetër.

14Abneri i tha Joabit: »Le të ngrihen djelmoshat e le të luftojnë para nesh.« Joabi iu përgjigj: »Le të çohen!«

15U ngritën pra, prej anës së Isbaalit, birit të Saulit, prej Beniaminit e u rreshtuan dymbëdhjetë vetë, po edhe dymbëdhjetë nga ana e djelmoshave të Davidit.

16Çdonjëri kapi kundërshtarin e vet për koke e ia nguli shpatën në ijë, kështu që të gjithë ranë vdekur së bashku. Për këtë arsye ai vend u quajt Fusha e Ijëve e ndodhet te Gabaoni.

17Përleshja u bë atë ditë shumë e ashpër dhe Abneri me njerëzit e Izraelit qe vënë në ikje prej djelmoshave të Davidit.

18Aty ndodheshin tre bijtë e Sarvisë: Joabi, Abisai dhe Asaeli. Porse Asaeli ishte vrapues tejet i shpejtë, porsi sorkadhi në fushë të larë.

19Asaeli iu vu në shpinë Abnerit dhe nuk i shmangej as djathtas as majtas, por e ndiqte drejt Abnerin.

20Abneri e solli kryet prapa dhe tha: »A mos je ti Asael?« Ai iu përgjigj: »Unë jam!«

21Abneri i tha: »Mbaj djathtas ose majtas, kap një djalosh dhe merri plaçkat e tija.« Por Asaeli nuk deshi ta linte e të mos e ndiqte.

22Përsëri Abneri i tha Asaelit: »Hiqu! Mos më ndiq më. Mos më shtrëngo të të godas e të të përplas për tokë. Atëherë s’do të mund t’i ngre sytë e mi e ta shikoj Joabin, vëllanë tënd.«

23Por ky s’deshi të bindej e të largohej. Atëherë Abneri i ra me anën e sprasme të heshtës në baqth dhe heshta i doli anëpërtej. Aty edhe vdiq. Dhe të gjithë që kalonin atypari ndaleshin e shikonin vendin ku ra dhe vdiq Asaeli.

24Por Joabi e Abisai e ndoqën Abnerin që po ikte derisa perëndoi dielli. Arritën deri në malin Amë, që është kundruall Gajahut në udhën e shkretëtirës drejt Gabaonit.

25Atëherë u bashkuan bijtë e Beniaminit me Abnerin, u mblodhën në çetë dhe zunë vend në majë të një bregu.

26Atëherë Abneri i thirri Joabit: »Deri në shfarosje do të tërbohet shpata jote a? A s’po sheh se dëshpërimi po na sjell rrënim? Deri kur nuk do t’i urdhërosh popullit që të zërë vend e të mos i ndjekë vëllezërit e vet?«

27Joabi iu përgjigj: »Pasha Hyjin e gjallë, po të mos kishe folur, deri në mëngjes populli nuk do të ishte ndalur duke ndjekur secili vëllanë e vet.«

28Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë ushtria u ndal. Nuk e ndoqi më Izraelin dhe nuk luftuan më.

29Abneri dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë atë natë nëpër Arabë, e kaluan Jordanin dhe, pasi kaluan tërë grykën e Betronit, arritën në Mahanaim.

30Kurse Joabi e la ndjekjen e Abnerit dhe bashkoi ushtrinë. Atëherë panë se prej ushtrisë së Davidit mungonin nëntëmbëdhjetë burra, përveç Asaelit.

31Shërbëtorët e Davidit vranë treqind e gjashtëdhjetë vetë prej beniaminëve, ushtarëve të Abnerit.

32E morën Asaelin dhe e varrosën në varrezën e t’et në Betlehem. Pastaj Joabi dhe njerëzit që ishin me të, vazhduan udhën gjithë natën dhe në agim arritën në Hebron.