Të gjithë kapitujt

2 i Samuelit · Kapitulli 11

Lufta e dytë e amonëve. Mëkati i Davidit

27 vargje

Lufta e dytë e amonëve. Mëkati i Davidit

1Tashti, në kthim të vitit, në kohën kur mbretërit e kanë doke të dalin në luftë, Davidi e dërgoi Joabin me shërbëtorët e vet e me mbarë Izraelin dhe këta shkretëruan mbarë vendin e bijve të Amonit dhe e rrethuan Rabën. Davidi qëndroi në Jerusalem.

2Një mbrëmje Davidi u çua prej shtratit e po shëtiste në tarracë të shtëpisë mbretërore. Nga tarraca pa një grua tek po lahej: e ishte shumë e bukur.

3Davidi dërgoi për të marrë hetime se kush ishte ajo grua. I treguan se ajo ishte Betsabeja, e bija e Eliamit, gruaja e Uri Heteut.

4Atëherë Davidi dërgoi lajmëtarë për ta sjellë. Kur erdhi ajo te Davidi, Davidi ra me të, që posa ishte shenjtëruar prej papastrisë së saj.

5Pastaj u kthye në shtëpi të vet. Gruaja mbeti shtatzënë. Dërgoi për ta lajmëruar Davidin e tha: »Ngjiza!«

6Davidi dërgoi njerëz te Joabi e i tha: »Dërgoje tek unë Uri Heteun.« Joabi e dërgoi te Davidi Urinë.

7Uria erdhi te Davidi. Davidi e pyeti si ishte Joabi e ushtria dhe si shkonin punët e luftës.

8Atëherë Davidi i tha Urisë: »Zbrit në shtëpinë tënde e laji këmbët e tua.« Uria doli prej pallatit të mbretit dhe i qe dërguar pas tij haje prej tryezës së mbretit.

9Porse Uria fjeti para derës së pallatit mbretëror me shërbëtorët e tjerë të zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi të vet.

10Erdhën e e lajmëruan Davidin: »Uria nuk shkoi në shtëpinë e vet.« Atëherë Davidi i tha Urisë: »Ndoshta nuk erdhe prej udhëtimit? Pse nuk shkove në shtëpinë tënde?«

11Uria iu përgjigj Davidit: »Arka, Izraeli e Juda banojnë nën çadra, Joabi, imzot, dhe shërbëtorët e zotërisë tim kanë për dyshek tokën e unë të hyj në shtëpinë time për të ngrënë e për të pirë e për të fjetur me gruan time? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, unë nuk do të bëj një gjë të tillë.«

12Prandaj Davidi i tha Urisë: »Qëndro këtu edhe sot e nesër do të të nis.« Uria qëndroi në Jerusalem edhe atë ditë e të nesërmen.

13Sepse Davidi e grishi të hajë e të pijë me të dhe e dehu. Ky, pasi doli në mbrëmje, shkoi e fjeti në shtratin e vet me shërbëtorët e zotërisë së vet, por në shtëpinë e vet nuk dëgjoi të zbresë.

14Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi për Urinë.

15Në letër shkruante: »Vëreni Urinë në vijën e parë, kur të jetë përleshja më e tmerrshme dhe tërhiquni prej tij që të goditet e të vdesë.«

16Kështu, pra, kur Joabi e rrethoi qytetin e vuri Urinë aty ku e dinte se trimat ishin më të fortë.

17Kur qytetarët dolën prej qytetit e po përlesheshin me Joabin, ranë disa prej popullit, prej ushtarëve të Davidit dhe mbeti i vrarë edhe Uri Heteu.

18Atëherë Joabi dërgoi ta njoftojnë Davidin lidhur me rrethanat e përleshjes

19dhe kasnecit i urdhëroi të thoshte: »Kur t’i kesh treguar mbretit të gjitha këto fjalë lidhur me përleshjen,

20nëse vë re se mbreti hidhërohet e thotë: ‘Përse iu afruat mureve për të luftuar? A nuk e keni ditur se prej murit hidhen shigjetat?

21Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerobaalit? A s’qe një grua që ia hodhi prej murit mbi të gurin që sillet të mokrës dhe ai mbeti vdekur në Tebes? Pse iu afruat murit?’, ti thuaji: Edhe shërbëtori yt Uri Heteu mbeti i vrarë.«

22Shkoi, pra, lajmëtari, arriti te Davidi dhe i tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Joabi.

23Lajmëtari i tha Davidit: »Sepse armiqtë patën njëfarë epërsie mbi ne, dolën kundër nesh në fushë të larë, por ne bëmë një sulm të furishëm dhe i ndoqëm deri në dyer të qytetit.

24Atëherë shigjetarët i gjuajtën me shigjeta shërbëtorët e tu nga lart prej murit e mbetën besa disa prej shërbëtorëve të mbretit, madje mbeti i vrarë edhe shërbëtori i mbretit Uria, ai Heteu.«

25Atëherë Davidi i tha kasnecit: »Kështu i thuaj Joabit: »Mos u prish për këtë punë: lufta ashtu e ka: tash ha shpata këtë, pastaj atë. Sulmoje qytetin më rreptësisht dhe shpartalloje. Edhe ti jepi zemër.«

26Kur gruaja e Urisë mori lajmin se i kishte vdekur Uria, burri i saj, ia bëri vajin.

27Pasi kaloi koha e zisë, Davidi çoi dhe e solli në shtëpinë e vet dhe ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu Zotit kurrsesi.